Mjekët e huaj po i trajtojnë fëmijët kosovarë me sëmundje në zemër
Foto: Laura Hasani

Mjekët e huaj po i trajtojnë fëmijët kosovarë me sëmundje në zemër

Aktuale January 24, 2020 - 12:45
Derisa spitali Kirurgjiko-Pediatrik po ndërtohet, institucionet publike shëndetësore në vend nuk kanë përgatitur punëtorët shëndetësorë për të dhënë shërbime aty. Përgatitja e tyre thuhet se është dashur të bëhet më herët, pasi trajnimet marrin shumë kohë

Edhe pse ndërtimi i spitalit Kirurgjiko-Pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është paraparë të përfundojë këtë vit, shërbimet në këtë spital pritet të mos jepen menjëherë, pasi stafi mjekësor që është paraparë të punojë në të nuk ka marrë trajnime adekuate. Që në vitin 2018 ishte shprehur nevoja urgjente për t’i dërguar mjekët për trajnim jashtë vendit, por konsiderohet se një gjë e tillë nuk ishte bërë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për spitalin e ri, në të cilin ishte paraparë të shtoheshin edhe shërbimet e reja, nuk do të ketë as kardiokirurg, pasi Kosova nuk e ka asnjë të tillë. Fëmijët, të cilët kanë probleme me zemër e që duhet t’u nënshtrohen intervenimeve, edhe më tej një gjë të tillë duhet ta bëjnë jashtë vendit.

Kujtojmë se në vitin 2016 ishte vënë gur themeli i spitalit Kirurgjiko-Pediatrik, por nga atëherë nuk kishte filluar ndërtimi i tij. Për ndërtimin e spitalit Emiratet te Bashkuara Arabe kishin dhënë donacion në vlerë prej 20 milionë eurove.

Fëmijët me probleme në zemër janë ndihmuar nga organizata “Gift of Life Kosova”, që të gjejnë shërim jashtë vendit. Kryetari i kësaj organizate, Mazllum Belegu, ka thënë për “Zërin” se gjatë vitit të kaluar 33 fëmijë janë trajtuar në QKUK nga mjekët e ardhur nga Amerika. Sipas tij, ka pasur edhe fëmijë, të cilët janë dërguar jashtë vendit për shërim e që ka edhe fëmijë, të cilët po presin të dërgohen në shtetet tjera për t’u trajtuar.

“Gjatë vitit që shkoi janë trajtuar 33 fëmijë, 28 janë trajtuar nga ekipi i mjekëve i SHBA-së në Klinikën e Kardiokirurgjisë së QKUK-së në javën e fundit të muajit gusht dhe edhe pesë të tjerë janë dërguar në Zvicër dhe në Angli përmes organizatës ‘Chain of Hope’ i Anglisë dhe ‘Gift of Life International’ i SHBA-së. Në këtë muaj ende nuk është dërguar asnjë fëmijë, por janë në pritje për të shkuar në SHBA edhe dy fëmijë. Ndoshta do të trajtohen muajin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Belegu ka bërë të ditur se gjatë këtij viti në Kosovë do të vijnë disa ekipe mjekësore nga jashtë, të cilët do t’i trajtojnë fëmijët me probleme shëndetësore në vend.

“Gjatë këtij viti do të vijnë në organizimin e ‘Gift of Life International’ tri herë ekipet, me fillim ose në fund të muajit mars dhe edhe dy herë të tjera më vonë, kur gjithsej do të trajtohen së paku 60 fëmijë, po ashtu në Klinikën e Kardiokirurgjisë të QKUK-së. Në ndërkohë ka mundësi të shkojë edhe ndonjë fëmijë tjetër në SHBA”, ka theksuar ai./ZERI

Lexo edhe Mjekët s’janë trajnuar për spitalin e ri të Pediatrisë
Aktuale January 24, 2020