Mjekët s’janë trajnuar për spitalin e ri të Pediatrisë

Mjekët s’janë trajnuar për spitalin e ri të Pediatrisë

Aktuale January 24, 2020 - 12:42
Derisa spitali Kirurgjiko-Pediatrik po ndërtohet, institucionet publike shëndetësore në vend nuk kanë përgatitur punëtorët shëndetësorë për të dhënë shërbime aty. Përgatitja e tyre thuhet se është dashur të bëhet më herët, pasi trajnimet marrin shumë kohë

Edhe pse ndërtimi i spitalit Kirurgjiko-Pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është paraparë të përfundojë këtë vit, shërbimet në këtë spital pritet të mos jepen menjëherë, pasi stafi mjekësor që është paraparë të punojë në të nuk ka marrë trajnime adekuate. Që në vitin 2018 ishte shprehur nevoja urgjente për t’i dërguar mjekët për trajnim jashtë vendit, por konsiderohet se një gjë e tillë nuk ishte bërë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për spitalin e ri, në të cilin ishte paraparë të shtoheshin edhe shërbimet e reja, nuk do të ketë as kardiokirurg, pasi Kosova nuk e ka asnjë të tillë. Fëmijët, të cilët kanë probleme me zemër e që duhet t’u nënshtrohen intervenimeve, edhe më tej një gjë të tillë duhet ta bëjnë jashtë vendit.

Kujtojmë se në vitin 2016 ishte vënë gur themeli i spitalit Kirurgjiko-Pediatrik, por nga atëherë nuk kishte filluar ndërtimi i tij. Për ndërtimin e spitalit Emiratet te Bashkuara Arabe kishin dhënë donacion në vlerë prej 20 milionë eurove. Pediatri Ramush Beiqi ka thënë për “Zërin” se asnjë mjek nga Klinika e Pediatrisë nuk ka ndjekur trajnimet adekuate për të dhënë shërbime në klinikën e re. Derisa objekti po përfundohet, ai ka thënë se stafi nuk është gati.

Sipas tij, Kosova vazhdon të mos ketë asnjë kardiokirurg, i cili do të jepte shërbime në këtë spital.

“Sa unë e di, asnjë mjek nga Klinika e Pediatrisë deri më sot nuk ka shkuar për trajnim special, për punët e reja në Klinikën e Pediatrisë. Objekti ndërtohet, por stafi nuk është askund. Kryesore në këtë klinikë janë mjekët e infermierët, por që ata nuk janë dërguar për trajnim për klinikën e re. Klinika do jetë e re e njerëzit e vjetër”, ka theksuar ai.

Beiqi ka treguar se para dy vjetëve ka qenë urgjente që stafi të dërgohet për trajnime mjekësore jashtë vendit, por Ministria e Shëndetësisë nuk u ka bërë thirrje për të shkuar në shtetet tjera për trajnime.

“Në tërë botën përgatitja e stafit mjekësor të lartë dhe të mesëm merr më së shumti kohë, ndërtimi i objekteve në gjithë botën bëhet kurdo. Para dy vjetëve ka qenë urgjente që të dërgohet stafi nëpër institucionet shëndetësore më të avancuara të Evropës për trajnim dhe për profilizim. Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë se mjekët kanë marrë thirrje”, por mjekët demantojnë Ministrinë duke pohuar se nuk kanë marrë fare thirrje.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Drita Telaku-Qosaj, ka thënë për “Zërin” se nevojitet shtimi i numrit të punëtorëve shëndetësorë për spitalin e ri e sidomos shtimin e mjekëve për emergjencë në këtë spital.

“Stafi i cili punon në repartet, të cilat kalojnë në spitalin e ri, do të kalojë së bashku me repartet. Ata janë duke punuar tani këtë punë, por nevojitet shtimi i numrit, sidomos i mjekëve për emergjencë pediatrike”, ka potencuar ajo./ZERI