Serbia, pengesë për Kosovën në çdo proces

Aktuale November 22, 2018 - 07:49
Lexo tjera detaje
Image

 

Pavarësisht dialogut tashmë shtatëvjeçar për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit Serbia vazhdon të jetë pengesë për Kosovën në çdo proces. Përveç lobimit për tërheqjen e njohjeve të shtetit më të ri në Evropë, Serbia vazhdon të paraqitet pengesë edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dialogu shtatëvjeçar i quajtur “për normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndikuar në përmirësimin e raporteve në mes të të dyja vendeve. Përkundrazi, lufta diplomatike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ashpërsohet dita-ditës. Serbia vazhdon të paraqitet pengesë për Kosovën si në raportet e Kosovës me shtetet tjera, ashtu edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo është dëshmuar edhe në rastin e dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare - INTERPOL e një pengesë e tillë i ishte bërë edhe gjatë tentimit të Kosovës për anëtarësim në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim ( UNESCO). Përveç në politikën e jashtme, përmes Listës Serbe Beogradi ka vonuar edhe procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter” ka thënë se Serbia është vënë në fushatë agresive ndaj Kosovës, prandaj ai ka thënë se përveç taksës për produktet serbe Kosova në të ardhmen do të vendosë edhe masa tjera. “Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në INTERPOL. Po ashtu është duke minuar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë jetik Qeveria e Kosovës ka vendosur sot të rrisë tarifën doganore në 100%. Masat e mëtejshme do të shpallen së shpejti”, ka shkruar Hoxhaj në “Twitter”. Ndërsa deputetë në opozitë dhe analistë të çështjeve politike kanë fajësuar krerët e shtetit, të cilët sipas tyre kanë dialoguar me Serbinë pa kushte.

LEXO EDHE: S’marrin përgjegjësi për dështim, e fajësojnë Serbinë

LVV: Kosova nuk ka kërkuar nga Serbia të mos na bllokojë për anëtarësim

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se pala kosovare asnjëherë nuk ka kërkuar zotimin e palës serbe që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. “Pala kosovare asnjëherë nuk ka kërkuar zotimin e palës serbe gjatë negociatave që të mos na pengojë në anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ky është lëshim i palës kosovare dhe tani është e kuptueshme që Serbia del pengesë për Kosovën në procese të ndryshme”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Sipas saj, dialogu me Serbinë në këtë format që është duke vazhduar duhet të ndalet menjëherë. “Është e qartë që dialogu në këtë format duhet të ndalet sa më shpejt, duhet t’i kthehet legjitimiteti Kuvendit si organi më i lartë vendimmarrës. Duhet të shqyrtohet raporti i Qeverisë për sfidat dhe sukseset e dialogut në vitet 2011-2017 e ku realisht nuk ka asnjë arritje. Pas kësaj dhe pas zgjedhjeve duhet të bëhet një platformë për dialogun me Serbinë dhe vetëm atëherë të vazhdohet ky proces”, ka theksuar ajo.

PSD: Serbia do të vazhdojë ta bllokojë Kosovën

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka thënë për “Zërin” se shteti serb do të vazhdojë ta bllokojë Kosovën. Sipas saj, bllokadat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare tregojnë se dialogu mes dy shteteve ka dështuar. “Sigurisht se Qeveria e Serbisë do të vazhdojë ta bllokojë Kosovën aty ku mundet. Por, ky është edhe rezultat i mungesës së veprimeve të pushtetit në Kosovë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, që me politikat e tij ka rrëshqitur në pozita inferiore ndaj Serbisë, veçmas në dialogun e Brukselit. Fushata agresive e Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dëshmon dështimin e dialogut të deritanishëm midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.

Kuçi ka theksuar se opozita dhe pozita e vendit duhet të bëhen bashkë sa më parë për dialogun me Serbinë. “Kjo duhet të shërbejë si leksion edhe për pushtetin në Kosovë, që të bashkërendohet me opozitën për ta rikonfiguruar sa më parë dialogun me Serbinë, si dhe leksion për Brukselin që t’i rimendojë politikat e tij karshi Serbisë, e cila në njërën anë po pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE) dhe në anën tjetër po bllokon Kosovën brenda dhe jashtë. Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ishte pos të tjerash edhe përgjigje e Brukselit ndaj politikave destruktive të Serbisë karshi Kosovës dhe rajonit”, ka shtuar ajo.

Mushkolaj: Kosova do të vazhdojë të ketë probleme

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se Kosova do të vazhdojë të ketë probleme rreth anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, probleme që sipas tij do të vijnë nga shteti serb. “Kosova do të vazhdojë të ketë probleme sidomos për shkak të pengesave që vinë nga Serbia. Fatkeqësisht është lëshuar rasti që qysh në fillimet e dialogut të dyja palët të konsiderohen të barabarta dhe të ketë reciprocitet në çfarëdo çështjeje. Pala kosovare kur në krye ishte Hashim Thaçi dështoi ta bëjë një gjë të tillë. Nuk e di se si ka mundur të pranohet që të diskutohet me Serbinë, por jo në suaza të reciprocitetit, për çfarë fatkeqësisht ne kemi një situatë ku Serbia është duke avancuar në betejën e saj që të mos pranohet shtetësia e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, tashmë është vonë për të marrë masa ndaj këtij shteti. “Është shumë vonë që të ndërmerren masa. Jemi duke provuar me taksën, por beteja e Serbisë për Kosovën është më e fortë dhe kjo do të vazhdojë të ndodhë. Kjo që ka ndodhur deri tani është për fajin tonë, për shkak se është dashur të mos pranohet dialogu nëse me të vërtetë nuk konsiderohemi si shtet”, ka thënë ai.

Haxholli: Kosova ta ngrejë këtë çështje në mekanizmat ndërkombëtarë

Edhe Violeta Haxholli, monitoruese e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se Serbia po vazhdon ta bojkotojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Sipas saj, pala kosovare duhet ta ngrejë këtë çështje në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Serbia po vazhdon fushatën lobuese ndaj Kosovës. Është absurde që një vend i cili po kërkon t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën të vazhdojë ta bllokojë dhe ta bojkotojë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Pala kosovare duhet të ndërmarrë diçka në këtë drejtim për ta adresuar këtë çështje. Ajo duhet ta ngrejë çështjen e lotimit të Serbisë edhe në mekanizma ndërkombëtarë, sidomos te BE-ja, që është ndërmjetësuese e këtij procesi, edhe në takime të ndryshme pala Kosovare duhet ta ngrejë këtë çështje në çdo nivel”, ka thënë ajo.

Haxholli ka konsideruar se Kosova duhet t’ia bëjë me dije Serbisë se nëse vazhdon të lobojë kundër Kosovës do të ndërpresë dialogun me të. Sipas saj, Kosova duhet të kushtëzojë Serbinë në bisedime. “Duhet t’ia bëjë me dije edhe Serbisë që dialogu nuk vazhdon nëse Serbia vazhdon të lobojë kundër Kosovës dhe vazhdon ta bllokojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Dialogu asnjëherë nuk është dashur të vazhdojë pa kushte. Kosova ka disa karta në dorë, të cilat mund t’i përdorë ndaj Serbisë që ta kushtëzojë atë në dialog. Është taksa për produktet serbe, është kapitulli i 35-të që Serbia ka me BE-në dhe mund ta mbyllë vetëm duke normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, po ashtu janë edhe të drejtat e serbëve në Kosovë, ku mund t’i kërkojmë të njëjtat të drejta për shqiptarët në Preshevë”, ka thënë ajo./ZËRI