S’marrin përgjegjësi për dështim, e fajësojnë Serbinë

Aktuale November 22, 2018 - 07:44
Lexo tjera detaje
Image

 

Menjëherë pas dështimit të Kosovës për t’u bërë anëtare e INTERPOL-it, organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, krerët institucionalë të Kosovës krejt barrën e përgjegjësisë për një gjë të tillë e hodhën te Serbia, duke amnistuar kështu tërësisht veten. Kjo pasi, sipas tyre, shteti serb gjatë tërë kohës bëri fushatë të egër për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. I të njëjtit mendim është edhe ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa, i cili ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosova nuk ka qenë shkaktare për dështimin në INTERPOL. Por krejt ndryshe vlerësojnë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët thonë se pamundësia e Kosovës për t’u bërë pjesë e kësaj organizate paraqet dështim të pastër të diplomacisë kosovare. Fajin mbi diplomacinë kosovare e hedhin edhe përfaqësuesit e opozitës, të cilët konsiderojnë se përgjegjësia për një dështim të tillë bie mbi kryediplomatin Behgjet Pacolli, por edhe mbi presidentin Hashim Thaçi e kryeministrin Ramush Haradinaj. Andaj, sipas tyre, që të tria këto figura politike duhet të japin dorëheqje nga pozitat që mbajnë aktualisht, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mustafa: Serbia bëri fushatë të egër kundër Kosovës

Gjersa ka folur rreth dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa ka thënë se shkaktare për një gjë të tillë nuk ka qenë as MPB-ja e askush nga Kosova. Përkundrazi, sipas tij, deri te një rezultat i tillë negativ ka çuar “lufta” e vazhdueshme e shtetit të Serbisë kundër Kosovës. “Pse nuk kemi pasur sukses për t’u anëtarësuar këtë vit nuk ka qenë shkaktare Kosova, as lobimi, as Ministria e Punëve të Brendshme, por ka qenë vetë shtrirja gjeopolitike e shteteve të cilat e kanë përkrahur Serbinë me atë fushatën e egër kundër anëtarësimit të Kosovës”, ka deklaruar Mustafa gjatë një bisede për “Zërin”.

Por pavarësisht kësaj, Mustafa është shprehur optimist se një luftë e tillë e Serbisë do të tejkalohet vitin që vjen. “Tash e tutje duhet të jemi të përgatitur që të aplikojmë prapë vitin e ardhshëm për anëtarësim në INTERPOL”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, sipas kreut të MPB-së, shteti serb është i interesuar që të mos e lërë Kosovën të hyjë në asnjë organizatë ndërkombëtare. “Serbisë i konvenon që në asnjë institucion ndërkombëtar të mos anëtarësohemi. Por ne duhet ta bëjmë tonën, të dëshmojmë me kundërargumente që jemi të përgatitur t’i kontribuojmë sigurisë globale, por pengesat janë nga ana e Serbisë”, ka potencuar i pari i MPB-së teksa ka thënë se Kosova do t’i kryejë punët e shtëpisë ashtu siç i takon. 

Mospranimi në INTERPOL, goditje për Kosovën

Dështimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme (nga LDK-ja), Ismet Beqiri, e ka cilësuar si një goditje tejet të madhe për Kosovën. Sipas Beqirit, dihet qartazi që Serbia ka bërë luftë të ashpër për ta penguar Kosovën në të tilla çështje, porse një gjë e tillë ka qenë e pritshme. Andaj, siç ai është shprehur, institucionet e vendit nuk duhet ta hedhin përgjegjësinë tjetërkund. “E vërtetë është që është bërë një propagandë dhe një luftë e madhe e Serbisë për ta penguar këtë. Në fund të fundit është çka kemi pritur ne, çka kanë pritur udhëheqësit tanë, që dalin tash e thonë që Serbia na ka penguar. Kjo është qesharake edhe të thuhet, sepse është e qartë që Serbia këtë punë e bën. Ata nuk na njohin neve si shtet dhe çka kemi mundur të presim? Të na përkrahin?”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Kjo pasi, siç Beqiri ka thënë, përgjegjësia për një dështim të tillë, siç është rasti në INTERPOL, bie drejtpërdrejt mbi udhëheqësit e institucioneve.

LEXO EDHE: Serbia, pengesë për Kosovën në çdo proces

Arsyet që çuan drejt dështimit

Arsyet se pse Kosova dështoi t’i bashkohej INTERPOL-it kanë të bëjnë me pazaret e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Kështu ka vlerësuar anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme (nga LVV-ja) Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se pas ndodhive të fundit shtetet e botës nuk po e marrin më seriozisht Kosovën.   “Pazaret territoriale të Thaçit me Vuçiqin, që kulmuan te takimi me Putinin, kanë shkaktuar konfuzion te shumë shtete që na e kanë njohur pavarësinë. Në këtë vit ka ndodhur një vetëkontestim i shtetësisë dhe pavarësisë sonë nëpërmjet aventurave absurde të presidentit të Kosovës”, është shprehur ai.

Përgjegjës për krejt këtë situatë, sipas tij, janë krerët institucionalë të vendit, duke nisur nga presidenti, kryeministri e deri te ministri i Punëve të Jashtme. “Ata duhet të japin dorëheqje menjëherë. Thaçi e Pacolli, por edhe Haradinaj. Duke u treguar të butë e të dobët karshi Serbisë, karshi Vuçiqit, Daçiqit e Radojçiqit, e kanë dobësuar pozitën tonë si shtet kudo, e kanë stërkequr perceptimin mbi neve”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Arben Fetoshi ka konsideruar se dështimi i Kosovës për t’u bërë anëtare e INTERPOL-it është dështim direkt i diplomacisë kosovare. Rrjedhimisht, sipas tij, i pari i MPJ-së do të duhej ta lironte menjëherë pozitën pas këtij dështimi. “Ky është edhe një dështim i diplomacisë sonë, i cili do të duhej të pasohej me dorëheqjen e ministrit të Jashtëm. Jo se një akt i tillë do të ndikonte në ndryshim cilësor të menjëhershëm, por së paku do ta përçonte mesazhin e përgjegjësisë institucionale”, ka theksuar ai.

Fetoshi më tutje ka vlerësuar se dialogu me Serbinë ka qenë faktor edhe më determinues për dështimin, pasi sipas tij marrëveshja eventuale do ta eliminonte angazhimin agresiv të Serbisë kundër Kosovës. Për rrjedhojë, siç ai është shprehur, s’do të duhej të kishte pengesa jo vetëm për anëtarësimin në INTERPOL, por as në organizatat e tjera ndërkombëtare. “Mirëpo tani është bërë edhe më e qartë se marrëveshja ligjërisht obligative me Serbinë do të jetë e pamundur pa një presion të shtuar të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Beogradit, si dhe pa një qasje të re që reflekton përgjegjësinë dhe unitetin e skenës politike të Kosovës”, ka përfunduar Fetoshi.

Hapat që duhet t’i ndjekë Kosova pas dështimit

Që të mos përsëriten më skenarë të tillë, si ai i dështimit në INTERPOL, Xhelal Sveçla ka vlerësuar se Kosova duhet ta ndryshojë qasjen e politikëbërjes karshi Serbisë. “Butësia dhe dobësia që po tregohen karshi Serbisë vetëm sa e shtojnë lakminë e saj karshi pretendimeve për Kosovën. Ndaj Serbisë Kosova duhet të dëshmojë sovranitetin dhe subjektivitetin e një vendi serioz”, ka theksuar ai.

Fillimisht, sipas Sveçlës, nevojitet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Pastaj ai ka vlerësuar se duhet të ketë një angazhim konkret dhe serioz për ta anëtarësuar Kosovën nëpër organizatat ndërkombëtare, siç është rasti edhe i INTERPOL-it e jo siç ka thënë ai, të punohet vetëm në orët e fundit./ZËRI