Vasolli: Procesi i heqjes së vizave mund të shtyhet deri në 2020-n

Aktuale November 17, 2018 - 13:08
Lexo tjera detaje

Njohësi i procesit të integrimit, Besnik Vasolli, ka thënë për “Zërin” që përderisa procesi për heqjen e vizave është në fazën përfundimtare, nëse nuk hyn këtë vit në agjendë të Këshillit të Ministrave, atëherë sipas tij kjo gjë rrezikon të shtyhet deri në vitin 2020.

“Procesi i liberalizimit të vizave është në stadin përfundimtar. Unë pres dhe shpresoj që në dhjetor do të diskutohet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe që do të merret një vendim pozitiv. Por opsioni i dytë është që vendimi të merret në mars të vitit 2019 dhe të hyjë në fuqi në maj, kur edhe përfundon mandati i Parlamentit Evropian. Nëse shkohet me këtë opsion, atëherë kam frikë që disa deputetë në Parlamentin Evropian mund të jenë më skeptikë shkaku i fushatës politike që ata veç do ta zhvillojnë në atë kohë”, ka thekusar Vasolli.

Sipas tij, opsioni tjetër me rrezik për këtë proces është që vendimmarrja për heqjen e vizave të shtyhet pas zgjedhjeve të reja në Parlament Evropian.

“Opsioni tjetër, aspak i favorshëm, është që vendimmarrja të shtyhet deri pas zgjedhjeve në maj. Duke pasur parasysh kohën e nevojshme për konsolidim të institucioneve të reja pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, atëherë ekziston një drojë e bazuar që procesi i liberalizimit të vizave në Kosovë të ndodhë tek në vitin 2020. Sido që të jetë, ky është një proces shumë politik dhe ne mund të ndikojmë shumë pak”, ka thënë ai.
V

asolli më tutje ka vlerësuar se është pozitive që janë duke u zhvilluar takime lobuese anembanë BE-së, si dhe që fushata vetëdijsuese për këtë proces është duke ndodhur.

“Ajo çka ne duhet të vazhdojmë të bëjmë është të sigurohemi që zbatimi i kritereve të vazhdojë të jetë prioritare për ne, është shumë me rendësi që numri i migruesve jo të rregullt të bjerë edhe më tutje dhe të vazhdohet me ritëm të njëjtë riatdhesimi i atyre që janë në listë për t’u rikthyer në Kosovë”, ka thënë ai.