Opozita skeptike për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Aktuale November 16, 2018 - 12:39
Detajet

Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Fatmir Xhelili (PDK), për “Zërin” ka thënë se institucionet e Kosovës kanë punuar mjaft shumë rreth anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

 “Institucionet e Kosovës, të gjitha segmentet dhe instrumentet e shtetit, posaçërisht Policia ka punuar me përkushtim, ka arritur që të jetë një polici e besueshme, një polici që zbaton rend e ligj dhe një polici që është e besueshme për të hyrë në raporte kontraktuale dhe në partneritet me policitë e tjera”, është shprehur ai.

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL sipas Xhelilit do të shkonte edhe në interesin e vet organizatës dhe të shteteve anëtare.

 “Edhe ashtu Policia jonë ka raporte kontraktuale edhe me shumë polici të shteteve në rajon dhe në Evropë, mirëpo normalisht që anëtarësimi në INTERPOL do ta krijonte edhe një hapësirë më të volitshme që Policia jonë të jetë pjesë integrale e policive botërore dhe do të ishte një interes i dyanshëm, edhe për INTERPOL-in, edhe për shtetet anëtare, edhe për Policinë tonë”, ka theksuar ai.

LEXO EDHE: MPB-ja, e bindur se Kosova do të bëhet pjesë e INTRPOL-it

Në anën tjetër anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Dukagjin Gorani (PSD), ka thënë se shpreson që Kosova të ketë sukses në këtë çështje, megjithatë ai është shprehur skeptik nëse Kosova do t’ia dalë të bëhet pjesë e INTERPOL-it.

Sipas Goranit, Kosova ende nuk është mjaftueshëm e përgatitur për t’u futur në INTERPOL.

 “Çfarë mund të them është që ky proces është mjaft problematik dhe shpresoj që do të ketë sukses, por duket që përgatitjet nga ana e Kosovës nuk kanë qenë të mjaftueshme”, ka deklaruar Gorani.

Pavarësisht tij, njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Ismali është shprehur optimist se Kosova do të bëhet pjesë e INTERPOL-it përgjatë këtij muaji.

“Kam besim të plotë që më datë 20 të këtij muaji Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL dhe kësaj radhe Policia e Kosovës do të bëhet e barabartë me të gjitha policitë e tjera”, ka potencuar Islami. /ZERI