MPB-ja, e bindur se Kosova do të bëhet pjesë e INTRPOL-it

Aktuale November 16, 2018 - 12:25
Lajmet e fundit nga vendi, rajoni dhe bota

Lobimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL vazhdon të mbetet sekret nga Ministria e Punëve të Jashtme, pasi ky dikaster qeveritar që i prin procesit të anëtarësimit në organizatën më të madhe të policisë në botë nuk pranon të japë informata se cilat shtete janë pro e cilat janë kundër. Pavarësisht kësaj, zyrtarët qeveritarë dhe deputetët janë optimistë se më 20 nëntor Kosova do të anëtarësohet, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, ka thënë se kjo Ministri ka bërë punë të jashtëzakonshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Andaj ai është shprehur i bindur se Kosova do të bëhet pjesë e kësaj organizate.

LEXO EDHE: Rruga sekrete drejt INTERPOL-it

“Besoj shumë që do ta marrim një lajm të mirë me 20 nëntor, faktikisht më 21 nëntor”, ka theksuar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Ndërkohë i pyetur nëse MPB-ja ka ndonjë listë të shteteve që përkrahin anëtarësimin e Kosovës, Xhemajlaj ka thënë se nuk ekziston një listë e tillë.

“Jo, nuk kemi. Por edhe nuk është për t’u dhënë, sepse ka kohë edhe disa ditë dhe nuk ka nevojë të publikohet. Edhe mediet duhet të na kursejnë. E di që është në interes të medieve, por duhet të na kursejnë”, ka theksuar ai. /ZERI