Numër 'rekord' i kosovarëve nëpër motele, dyshime edhe për veprimtari të jashtëligjshme

Aktuale November 15, 2018 - 19:10
Lexo Detajet

Motelet e vendit janë kthyer në “shtëpi” të dytë për disa prej qytetarëve. Shumë prej tyre, një pjesë të ditës e kalojnë duke “pushuar” në motele. Në gjithë vendin, janë rreth 180 të tilla që ofrojnë shërbim dhe akomodim të vizitorëve. Ofertat e tyre për pushim dhe fjetje fillojnë nga pesë deri në 70 euro, varësisht nga kushtet që ofrojnë. Ndërkohë, që shpesh në to kryen kontrolle edhe Policia, nën dyshimin për veprimtari të jashtëligjshme, shkruan Gazeta Express.

Rrugët e Kosovës janë mbushur me motele. Madje, në shumë vende ato janë hapur edhe ngjitur me njëra-tjetrën.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në tërë vendin janë të regjistruara rreth 180 motele. Pjesa më e madhe e tyre gjenden në Rajonin e Prishtinës, pastaj të Pejës, Prizrenit.

Gjithë këto motele bashkë kanë 2 mijë e 142 dhoma, me 2 mijë e 861 shtretër, për akomodim të vizitorëve. Përveç këtyre shërbimeve, motelet nga kosovarët shfrytëzohen edhe për të bërë qejf.

Ofertat për fjetje dhe pushim në këto motele fillojnë nga 5 euro e më e larta deri në 70 euro, varësisht nga kushtet që i ofrojnë.

Por, më shumë se kosovarët duket se këto motele shfrytëzohen nga diaspora.

Vetëm në vitin 2016, numri i vizitorëve të jashtëm nëpër motelet e vendit arrinte në 83 mijë e 710 vizitorë. Shumica e tyre vinin nga Shqipëria, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Derisa, me numrin më të madh të vizitorëve dhe të qëndrimeve të tyre renditet Rajoni i Prishtinës, me 25 mijë e 422 vizitorë për një vit dhe 38 mijë e 679 net qëndrime.

Në disa prej moteleve, Policia e Kosovës në kuadër te planit Zhvillimor Strategjik të luftës ndaj Trafikimit me Qenie Njerëzore zhvillon edhe aksione nën dyshimin për prostitucion.

Në Zyrën për Informim të Policisë së Kosovës, deklarojnë se ata kryejnë kontrolle të banesave, lokaleve e bizneseve afariste në pajtueshmëri me Kodin e Procedurës Penale. Derisa thonë se këto kontrolle kryhen në koordinim dhe me leje të organeve të drejtësisë.

“Policia e Kosovës bazuar në Kushtetutën e vendit dhe Ligjin e Policisë, zbaton detyrat dhe autorizimet e veta ne mbare territorin e vendit. Policia kurdoherë që përmes rrugëve operative ose hetimore mëson se është kryer, po kryhet apo planifikon të kryhet ndonjë veprimtari e kundërligjshme ndërmerr hapa parandalues apo hetues varësisht nga situata”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për Turizëm të Kosovës, moteli përkufizohet si objekt i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera.