Hoti: Dhurimi i pronave për komunat Serbe, shkelje e kushtetutës

Aktuale November 15, 2018 - 13:07
Detajet

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Avdullah Hoti ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për dhurimin e pronave të AKP-së në shërbim të tri komunave me shumicë serbe në Mitrovicën veriore, transmeton “zëri.info”.

“Qeveria ka vendosur më 6 nëntor 2018 tu dhurojë tri komunave me shumicë serbe, Mitrovicës Veriore, Ranillugut dhe Kllokotit, pronat e AKP-së që gjenden në ato komuna. Këtu përfshihen asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe toka bujqësore që duhet të privatizohen”, ka njoftuar Hoti.

Sipas tij baza ligjore mbi të cilën është marrë ky vendim është i paqartë duke e konsideruar kështu gabim këtë vendim të Qeverisë.

“Baza ligjore mbi të cilën merret ky vendim është e paqartë. Ky është një prej gabimeve më të mëdha që bënë kjo Qeveri. Para disa dite, Kryetari i Mitrovicës Veriore deklaroi se nuk do të ketë më privatizim në atë komunë. Me prekjen e infrastrukturës ligjore dhe kushtetuese të procesit të privatizimit të pronave, bëhet shkelje e kushtetutës dhe shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Hoti në një postim në “Facebook”.

LEXO EDHE: Hoti: Qeveria jolegjitime, pasojat po i bartë shteti

Tutje Hoti ka potencuar që kjo qasje e Qeverisë së Kosovës i bën të pasigurt në investime.

“Në ekonominë e tregut që po ndërton Kosova, është e paqartë se çfarë ju duhen komunave tokat bujqësore dhe ndërmarrjet komerciale që duhet të funksionojnë në sektorin privat me produktivitet dhe efikasitet sipas kushteve të konkurrencës së hapur.

Me gjasë, disa nga këto prona tanimë janë privatizuar dhe tash do të duhet të kompensohen investitorët privat. Kjo qasje i bënë pasigurt në investimet e tyre të gjithë ata që kanë privatizuar prona në Kosovës për qëllime komerciale”, ka shkruar tutje ai.

Gjithë këtë gjë ai e ka konsideruar edhe si diskriminuese.

“Ky Vendim është diskriminues po aq sa udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, me të cilin Qeveria Haradinaj mbulon me grante 90% të investimit të bujqve në komunat në veri të Kosovës, derisa në komunat e tjera me shumicë shqiptare vetëm 50%. Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit”, ka përfunduar Hoti postimin e tij.

Ky vendim nga Qeveria e Kosovës është marrë më 6 nëntor të këtij viti. /ZËRI