Pushteti hedh fajin tek BE-ja për mosliberalizimin e vizave

Aktuale November 12, 2018 - 15:39
Detajet

Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i Bashkimit Evropian janë duke zhvilluar trialogun për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndërkohë vlerësohet se tri ose katër javët në vijim janë vendimtare në këtë proces, pasi nëse në këtë periudhë arrihet pajtimi në mes të këtyre tri institucioneve, atëherë mund të pritet që në fillim të dhjetorit të merret vendimi për liberalizim, shkruan gazeta “Zëri”.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, për “Zërin” ka thënë që qytetarëve kosovarë po u bëhet padrejtësi në raport me heqjen e vizave.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe këtë e kanë theksuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Qytetarëve të Kosovës po vazhdon t’u bëhet një e padrejtë me mosmundësinë e lëvizjes së lirë, sikur popujt e tjerë. Megjithatë mbetet të shihet deri kah fundi i vitit ose kur do të merret vendimi për vizat”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: LVV: Liberalizimi nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt
Mirëpo, sipas tij, pavarësisht kësaj institucionet e vendit janë duke u përpjekur maksimalisht që qytetarët sa më parë të fitojnë liberalizimin. “Ka përpjekje serioze për këtë proces nga ana e Kosovës dhe duhet në vazhdimësi të lobohet edhe tek ato shtete që po hezitojnë që Kosova ta ketë të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se nëse kosovarëve nuk u lejohet lëvizja e lirë në zonën Schengen me këtë veprim Bashkimi Evropian po ia kthen shpinën Kosovës.
“Mendoj që është sinjal shumë dekurajues, është komplet i padrejtë dhe nëse një gjë e tillë vërtet do të ndodhë, atëherë do të jetë me të vërtetë një kthim i shpinës Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Me vite na kanë thënë që nuk është vendim politik, por është çështje teknike, janë pikërisht qëndrimet politike që dëshirojnë ta mbajnë Kosovën të përjashtuar nga një e drejtë fundamentale”. 


Ndonëse shprehet optimist se liberalizimi mund të ndodhë, Krasniqi thotë Austria si udhëheqëse e presidencës së BE-së duhet ta fusë në rend dite çështjen e vizave për Kosovën.

“Unë ende jam optimist i kujdesshëm në kuptimin që shpresoj Austria do ta marrë përgjegjësinë, të cilën e ka si udhëheqëse e Presidencës së BE-së që ta fusë në rend të ditës çështjen e vendimit sepse ne nuk jemi fajtorë për mosmarrëveshjet që shtetet e BE-së i kanë mes vete edhe për problemet e politikave të tyre të brendshme. Ne kërkojmë të drejtën tonë, me vite na kanë thënë duhet t’i kryejmë këto punë, krejt punët i kemi kryer, sot do të ishte përtej standardit të dyfishtë nëse ata tërhiqen nga krejt ato zotime që i kanë dhënë me vite”, ka thënë ai. /ZERI