Opozita nuk e do rrëzimin e Qeverisë me votat e Listës Serbe

Aktuale November 12, 2018 - 07:56
Lista Serbe ka hapur mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera për rrëzimin e qeverisë
Image

Lista Serbe ditë më parë u ka ofruar bashkëpunim partive opozitare për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Kjo mbështetje ka ardhur pas vendimit të ekzekutivit për vendosjen e taksës prej 10% për produktet e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës, megjithatë partitë opozitare edhe pse kërkojnë zgjedhje të parakohshme, janë kundër rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbeshkruan sot gazeta "Zëri".

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës prej 10% për produktet nga Serbia e Bosnja ka bërë që Lista Serbe t’i ofrojë votat e deputetëve të saj për rrëzimin e Qeverisë. Megjithatë, subjektet opozitare edhe pse po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme janë kundër rrëzimit të Qeverisës me votat e Listës Serbe. Opozitarët thonë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, por sipas tyre, bashkëpunimi me Listën Serbe do të ishte i pakuptimtë.

LEXO EDHE: Sholtes: Shpresoj vizat të hiqen deri në maj të 2019-s

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se bashkëpunimi i kësaj partie me Listën Serbe për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” do të ishte i pakuptimtë.

“Nuk kemi biseduar për këtë çështje, por mendoj se bashkëpunimi me Listën Serbe nuk ka kuptim për shumë arsye. Arsyeja pse ata po duan ta rrëzojnë Qeverinë nuk është arsye e vërtetë. Ne e përkrahim kryeministrin Haradinaj për taksën që e ka vënë për prodhimet e Serbisë dhe mendojmë se masat duhet të ishin edhe më të ashpra që të mos lejohet hyrja e mallrave të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ai. .

Sipas tij, edhe nëse Lista Serbe do të ishte mundësia e vetme për rrëzimin e Qeverisë, opozita nuk duhet të kishte bashkëpunuar me këtë parti.

Në anën tjetër as Partia Socialdemokrate nuk ka vendim për bashkëpunim me Listën Serbe për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. Deputetë do të mblidhen në fillim të kësaj jave për të diskutuar rreth kësaj. Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” zyrtarja për informim në këtë parti, Natyra Kuqi.

Ndërkohë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj. Avdyli ka thënë se lider shtetëror i guximshëm është ai i cili merr guximin për t’u ballafaquar me realitetin dhe se nuk ia vlen të qëndrojë në pushtet nëse nuk e ka shumicën në Kuvend. Prandaj sipas Avdylit, kryeministri duhet të ofrojë dorëheqjen.

“Qëndrimi i Ramush Haradinajt në post me më pak se 40 deputetë tregon që ai post vlerësohet më shumë se interesat e vendit. Kosova duhet edhe kur nuk të dhuron poste e privilegje, prandaj tani është koha për ta treguar guximin e tij duke dhënë dorëheqje. Qëndrimi edhe më tutje në atë post vërteton fjalën tonë të urtë që  lakmia korit burrin. Por përtej saj, edhe ecja e Kosovës përpara po dëmtohet nga ky lëmsh institucional i shkaktuar nga ky mishmash koalicioni PANA-s”, ka thënë Avdyli.

Rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” e kanë konsideruar si të pamundur deputetë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti i kësaj partie Rasim Selmanaj, ka thënë për gazetën se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë.

 “Lista Serbe vazhdon të mbajë qëndrimin edhe jemi në Qeveri, edhe nuk jemi. Nuk ka ndonjë qëndrim të prerë. Pavarësisht se në vazhdimësi që nga dita e parë flitet për rrëzimin e Qeverisë, ajo vazhdon të punojë sepse opozita nuk i ka numrat ta rrëzojë atë. Unë mendoj se nuk bëhet fjalë për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë Avdyli.

Sipas tij, Lista Serbe po punon sipas interesave dhe lojërave të veta.

Kurse analisti i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka thënë se Lista Serbe dirigjohet nga qeveria e Serbisë dhe se nga ky subjekt nuk mund të priten vendime të mira për Kosovën.

“Argumenti i parë është pikërisht koalicioni i cili është varur nga Lista Serbe, e cila herë po ka interesat e saj, herë hyn, herë heq dorë nga Qeveria. Mund të ndodhë që edhe e kanë seriozisht, por edhe nëse e kanë seriozisht ajo nuk është element i besueshmërisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Baraliu ka konsideruar se nëse partitë në opozitë kanë interes rrëzimin e Qeverisë, atëherë ata edhe mund të koordinohen me këtë parti.

 “Nëse opozita ka interes dhe ka qëllim ta ushtrojë të drejtën e mocionit të mosbesimit ndaj kësaj Qeverie, atëherë varet nga ta se si do të koordinohen meqë nuk i kanë numrat. Mund të ndodhë edhe mund të bashkëpunojnë, por varet se sa janë serioze të tria partitë opozitare e varet se çfarë kërkon Lista Serbe ndonëse ajo është deklaruar se do ta përkrahë opozitën për ta rrëzuar këtë Qeveri. Mbetet të pritet të shihet nëse ato janë serioze”, ka thënë ai. /ZERI