Vendimi për vizat shpresojmë të merret sa më shpejt

Aktuale November 08, 2018 - 10:56
Ambasadorja e Kroacisë, Marija Kapitanoviq, flet për vizat...

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, gjatë një interviste për gazetën ‘Zëri’, ka deklaruar se shpreson që vendimi për vizat të merret sa më shpejtë të jetë e mundur. Ajo ka shtuar se liberalizimi i vizave nuk ndërlidhet me zgjedhjet në Parlametin  Evropian që mbahen vitin tjetër.

Zëri: A ka ndonjë mundësi për të udhëtuar pa viza vitin e ardhshëm?

Kapitanoviq: Me të vërtetë nuk mund të parashikoj, tani procesi ka kaluar në konsultimet e shteteve anëtare. Nga ana jonë, çfarë mund të them është se shpresojmë që vendimi të merret sa më shpejt të jetë e mundur, sepse kjo është edhe një procedurë teknike. Parlamenti Evropian ofroi mbështetje, Komisioni Evropian dha një mendim pozitiv, pastaj PE-ja e mbështeti atë me shumicë votash.

Zëri: Por problemi qëndron në Këshill, më shumë se 10 shtete janë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Pse ka hezitim kur dihet se Kosova i plotësoi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, demarkacionin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit?

Kapitanoviq: Përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave është pjesë e përmbushjes së kritereve për reformat e tjera të BE-së, prandaj ajo që është e rëndësishme është që të ketë vazhdimësi për t'i mbajtur këto kritere në nivel të mirë dhe siç thashë më parë, kemi të bëjmë me çështje procedurale dhe se tanimë janë duke vazhduar konsultimet.

Zëri: A ndërlidhet një hezitim i tillë i BE-së për heqjen e vizave për Kosovën me zgjedhjet për Parlament Evropian, që do të mbahen në gjysmën e parë të vitit tjetër?

Kapitanoviq: Siç thashë më parë, Parlamenti Evropian mbështeti liberalizimin e vizave për Kosovën. Në të vërtetë ata votuan në favor të inicimit të negociatave me organet e tjera të BE-së dhe tani vendimi i takon shteteve anëtare, kështu që Parlamenti Evropian votoi në favor.

Zëri: A besoni se Komisioni do të votojë në fillim të dhjetorit?

Kapitanoviq: Siç thashë, është një proces dhe në këtë moment me të vërtetë nuk mund të parashikoj.