Shtatë vjet pa konsensus

Aktuale October 24, 2018 - 07:56
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ndonëse janë bërë shtatë vjet prejse ka nisur dialogu mes Kosovës e Serbisë, partitë politike në vend nuk po arrijnë të dakordohen rreth këtij procesi. I përçarë spektri politik po vazhdon të jetë prej vitit 2011, kur edhe kishte filluar ky proces në kuadër të nivelit teknik atë kohë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

As faza finale në të cilën ndodhet ky proces aktualisht nuk po i bën bashkë pushtetin e opozitën.

Madje në etapën përmbyllëse të dialogut, e cila ka nisur në qershor të këtij viti, pos moskoordinimit pozitë - opozitë po mungon edhe dakordimi mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës.

LEXO EDHE: Votimi për vizat mund të shtyhet

As kryeministri Ramush Haradinaj e as kryeparlamentari Kadri Veseli nuk po e mbështesin idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë, e cila tashmë është shpërfaqur prej presidentit Hashim Thaçi, që është duke e përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë.

Ish-kryenegociatoroja e këtij procesi, Edita Tahiri, gjatë një bisede për “Zërin” e ka vlerësuar të rrezikshme idenë e kreut të shtetit mbi kufijtë.

Kurse në rast se nuk arrihet një konsensus nacional rreth dialogut, sipas saj duhet të krijohet një qeveri e unitetit ose vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Konsensus, qeveri të unitetit ose zgjedhje të parakohshme

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka vlerësuar se është tejet e rëndësishme që në kuadër të fazës finale të dialogut të arrihet një konsensus nacional mes spektrit politik në Kosovë. Por sipas saj, paralajmërimi i presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë ka krijuar pasiguri në këtë drejtim.

“Një faktor për këtë moskonsensus është pikërisht ajo që Thaçi ka dalë me një ide për prekje kufijsh dhe natyrisht që është krijuar një pasiguri dhe mosbesim në këtë proces. Por ana e mirë e këtij procesi është se e gjithë Kosova i ka thënë jo ndryshimit të kufijve”, ka potencuar ajo gjatë një bisede për “Zërin”, teksa e ka cilësuar të rrezikshme idenë e presidentit Thaçi.

Sipas saj, situata është mjaft e komplikuar, pasi presidenti duhet ta mbrojë Kushtetutën, kufijtë dhe mirëqenien e shtetit të Kosovës e jo të dalë vetë me një ide jashtëkushtetuese.

Ish-kryenegociatorja kosovare më tej ka konsideruar se në rast se nuk arrihet një dakordim i gjerë rreth dialogut duhet të formohet një qeveri e unitetit ose vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Ujdia ose pajtimi nacional është një alternativë. Nëse kjo nuk jep rezultate duhet të mendohet ndoshta për qeverinë e unitetit, e kam thënë edhe më herët. E treta, në qoftë se as kjo nuk ecën pasi ashtu kështu e kemi një bllokim institucional, si alternativë e fundit duhet të mendohen edhe zgjedhjet nacionale”, ka nënvizuar ajo.

Hendeku, i thellë mes pushtetit e opozitës

Në anën tjetër, partitë në pushtet dhe ato që ndodhen në opozitë nuk po arrijnë dot që ta gjejnë një gjuhë të përbashkët sa i përket procesit të dialogut. Përfaqësuesit e këtyre taborëve kanë qëndrime krejtësisht të kundërta mbi atë se çfarë është arritur deri më tash në këtë proces dhe se si duhet të vazhdohet tutje.  

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, ka thënë se Kosova ka punuar mjaft shumë në procesin e negociatave me Serbinë përgjatë viteve.

“Kosova më shumë ka qenë konstruktive në dialog. Pala jonë ka punuar më shumë, ka qenë më e sinqertë, më e përkushtuar”, ka deklaruar Pajaziti.

Por pavarësisht tij, deputeti i Vetëvendosjes Xhelal Sveçla ka thënë se procesi i bisedimeve me Serbinë nuk ka shkuar si duhet, prandaj para se të vazhdohet me fazën finale duhet që të bëhet një vlerësim i detajuar i tërë asaj që është arritur në procesin e dialogut deri më tani.

“Ne dëshirojmë që së pari të bëhet një vlerësim i dialogut të deritanishëm, kemi marrë edhe raportin e Qeverisë së Kosovës, ku na dëshmohet që janë 33 marrëveshje të arritura deri më tani që nga viti 2011 deri më tash, asnjëra nuk është realizuar në plotësi e sidomos nuk janë realizuar ato pika ku Kosova do të mundë të fitonte ndonjë gjë”, është shprehur ai.

Vetëm pas kësaj, sipas deputetit të Vetëvendosjes, do të duhej të ndodhte një dialog i brendshëm mes gjithë pjesëmarrësve në Kosovë për të punuar drejt një platforme të përbashkët.

Por për mosarritjen e një konsensusi nacional Pajaziti ka fajësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë partitë opozitare, pasi opozita nuk po u përgjigjet ftesave për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Pika e vetme që bashkon pushtetin e opozitën

Pavarësisht kësaj, në krejt këtë proces pozita e opozita ndajnë të njëjtin mendim vetëm rreth një pike që ndërlidhet me procesin e dialogut, kundërshtimin e idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë.

“Edhe opozita, edhe subjektet që janë në pozitë pajtohen se Hashim Thaçi nuk mund ta marrë një rol i cili nuk i takon që të negociojë në emër të Kosovës, duke qenë se Kosova është Republikë Parlamentare, rrjedhimisht Parlamenti është institucioni kryesor”, ka potencuar deputeti i LVV-së, Xhelal Sveçla.  

Në anën tjetër deputeti Pajaziti është shprehur optimist se do të arrihet një dakordim mes partive sa i përket këtij procesi. “Mendoj që është momenti i duhur të reflektojmë pozitivisht dhe të ulemi bashkërisht në dialog”, ka nënvizuar deputeti i PDK-së.  

E për të ardhur deri te një dakordim i plotë sipas Edita Tahirit duhet që të ketë bisedime intensive mes forcave politike që janë në Kvend.   

Dialogu, larg finales

Në anën tjetër, njohësi i rrethanave politike Azem Vllasi ka vlerësuar se përmbyllja e negociatave me Serbinë nuk është aspak afër që të ndodhë.

“Dialogu as nuk është afër finales, as afër një marrëveshjeje përfundimtare. Në këtë fazë, që pretendohet se është faza finale e dialogut, në të vërtetë është krijuar një konfuzion dhe një mjegullim i krejt procesit të dialogut me idenë për korrigjim të kufijve e këmbim të territoreve. Kjo pasi lidhur me këtë çështje pala kosovare dhe pala serbe kanë qëndrime krejtësisht të kundërta”, ka deklaruar ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Pavarësisht kësaj, Vllasi ka pohuar se dialogu duhet të vazhdojë, porse më e rrugës do të ishte analizimi i marrëveshjeve të deritanishme.

Ndërkohë ka vlerësuar se Serbia duhet ta njohë Kosovën kështu si është, si shtet të pavarur dhe me kufijtë aktualë. Edhe Kosova sipas tij, po ashtu duhet ta njohë Serbinë, në mënyrë që më pas të bisedohet për të gjitha temat që janë në interes reciprok për të dyja shtetet.

Teksa ka folur rreth mosarritjes së konsensusit përgjatë gati një dekade, Vllasi ka thënë se një gjë e tillë paraqet problem të konsiderueshëm për Kosovën, veçanërisht për etapën përmbyllëse.

“Mungesa e një konsensusi të brendshëm është një problem shtesë, i cili e largon perspektivën e dialogut final ose të një marrëveshjeje finale”, ka nënvizuar ai.