Votimi për vizat mund të shtyhet

Aktuale October 24, 2018 - 07:52
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ministrja Dhurata Hoxha ka deklaruar për “Zërin” se nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet derisa të sigurohet qëndrimi pozitiv i shumicës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, disa herë ka deklaruar se qytetarët e Kosovës në fund të këtij viti do të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian. Por duke u ofruar fundi i vitit edhe shefja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës ka filluar t’i ndryshojë deklaratat.

E para e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës ka deklaruar dje për gazetën “Zëri” se nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet derisa të sigurohet qëndrimi pozitiv i shumicës.

“Nëse nuk ka shumicë gjatë votimit për liberalizimin e vizave te Këshilli i Ministrave vendimi për votim shtyhet derisa nuk merret qëndrimi pozitiv i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Procedurat nuk kthehen prapa dhe konsideroj se shembulli i kthimit në proces deri më tani nuk ka ngjarë, as në rastin tonë nuk do të ngjajë”, ka thënë Hoxha për “Zërin.

Ajo po ashtu ka thënë se po punohet me shtetet skeptike për liberalizim si: Gjermania, Holanda e Franca me qëllim që të sigurohet edhe përkrahja e tyre.

“Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë me vendet mike, duke marrë parasysh edhe procesin e brendshëm politik në këto vende mike. Çështja e liberalizimit të vizave nuk është e lidhur me situatën në Kosovë, por me fushatat politike të brendshme në këto vende. Dihet se ka debate të brendshme politike pro dhe kundër emigrimit, me ndikime në zgjedhjet e brendshme, fuqizimin e të djathtës me debatet populliste të drejtuara për opinionin e brendshëm në këto vende mike. Po punojmë intensivisht që të sigurohet përkrahja e këtyre shteteve”, ka thënë tutje Hoxha.

Ministrja e Integrimeve Evropiane ka bërë të ditur që në muajin dhjetor 2018 pritet që Këshilli i Ministrave ta trajtojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Jemi në një situatë kur nuk mund të flasim për data, sepse nuk varet nga ne dhe e gjitha tani është në duart e shteteve anëtare. Ne i kemi përmbushur kriteret, i kemi bërë detyrat tona, tani i mbetet BE-së ta përmbushë pjesën e vet. Këshilli i Ministrave mban mbledhjen sipas agjendës, sipas të gjitha gjasave në muajin dhjetor, këtu pritet shqyrtimi dhe marrja e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka thënë ajo.

Hoxhaj: Këtë vit kosovarët s’mund të udhëtojnë pa viza

Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se përderisa Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret do të ishte e drejtë nga Bashkimi Evropian të ketë vendimmarrje gjatë këtij viti për liberalizim të vizave për vendin.

“Ajo çfarë ne presim këtë vit është një vendim politik, natyrisht se nuk do të ketë mundësi që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë më 2018-n pa viza, por ne presim që në dhjetor të ketë një vendim politik, i cili e qartëson se kur mund të udhëtojmë në vitin 2019 pa viza. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e mundshme. Neve na u është thënë se procesi është teknik, jo politik dhe nëse i kryejmë punët tona Kosova në fund të procesit do të shpërblehet. Ne i kemi bërë punët të cilat janë pritur nga ne dhe besoj se BE-ja do ta shpërblejë Kosovën me një gjë të tillë”, ka thënë Hoxha.

Edhe pse ka shtete hezituese për këtë proces brenda BE-së, Hoxhaj vlerëson se kjo nuk ka arsye që të mos e përmbyllë procesin e vizave për Kosovën.

“Duket se kohëve të fundit ka hezitim në disa prej kryeqyteteve të shteteve anëtare të BE-së, mirëpo nuk është mirë të përmenden emrat e këtyre shteteve anëtare sepse ende nuk është fuqizuar qëndrimi i tyre në Bruksel, por qasja jonë është që BE-ja nuk ka asnjë arsyeje të mos e përmbyllë këtë proces”, ka theksuar ai.

Tutje ai ka thënë që institucionet e vendit dhe partitë politike pa dallim duhet ta bëjnë të qartë që nëse nuk i jepen vizat Kosovës do të ishte një padrejtësi e madhe për Kosovën nga ana e BE-së.

LVV: Nuk do të ketë liberalizim as këtë vit

Në anën tjetër deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane për “Zërin” ka thënë se nuk pret që as këtë vit të kemi liberalizim të vizave.

“As këtë vit nuk do të ketë lëvizje të lirë. E tëra që mund të pritet eventualisht është një vendimmarrje në fund të vitit, mirëpo duke u bazuar në atë që po ndodh në vend dhe në qëndrimet që kemi nga zyrtarë të ndryshëm nga Bashkësia Evropiane, nëse kjo vendimmarrje nuk do të ndodhë këtë vit, atëherë tërë procesi mund të shtyhet në një afat të pacaktuar”, ka thënë ajo.

Tutje deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se duke e pasur parasysh që vitin e ardhshëm kemi ndërrim të përbërjes së Parlamentit Evropian, atëherë çështja e liberalizimit të vizave mund të shtyhet edhe për një kohë të gjatë.

 Sipas saj, Kosova asnjëherë nuk ka përmbushur kriterin e dhënë nga BE-ja për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Nëse nuk ka vendimmarrje këtë vit, çështja e vizave mund të zvarritet tutje

Taulant Kryeziu, kryetar i bordit ekzekutiv të institutit “Epic”, ka thënë për “Zërin” që nëse këtë vit nuk kemi vendimmarrje nga Bashkimi Evropian për vizat e Kosovës, atëherë procesi rrezikon të shtyhet tutje për shkak të zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, si dhe të ndërrimit të udhëheqjes së Presidencës së BE-së, i cili do të ndodhë në vitin 2019.

“Nëse vazhdohet të prodhohen lajmet negative si muajt e fundit, të cilat janë përmendur edhe nga grupi punues COWEB, që ishte jashtëzakonisht kritik ndaj përfaqësuesve institucionalë në gjuhën denigruese ndaj sistemit të drejtësisë, atëherë kjo gjë mund të prodhojë skenarë negativë që të mos ketë vendimmarrje për vizat as këtë vit, por të shtyhet në vitin 2019. Nëse ndodh kjo janë disa elemente dekurajuese dhe jo të favorshme për ne sepse ndryshohet udhëheqja e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe janë zgjedhjet për Parlament Evropian”, ka theksuar ai.

Tutje Kryeziu ka thënë se nëse as këtë vit nuk do të ketë vendimmarrje do të duhej të kërkohej përgjegjësi nga krerët e shtetit, të cilët vazhdimisht kanë deklaruar se do t’i marrim vizat gjatë vitit 2018.

“Ne vazhdimisht kemi thënë që nëse vendimmarrja përfundon këtë vit do të ishte lajm i mirë për ne. Përndryshe nëse kjo nuk ndodh as në këtë vit do të duhej të kërkohej përgjegjësi politike ndaj lidershipit politik, të cilët kanë deklaruar që në fund të këtij viti do të lëvizet lirshëm nëpër Evropë. Ata duhet të marrin përgjegjësi sepse kanë rritur pritshmërinë e qytetarëve tanë”, ka thënë tutje ai. 

Sipas tij, tri shtete anëtare të BE-së mbeten skeptike për vizat e Kosovës.

“Ka hezitime në tri vende, Gjermania ende nuk ka pozicion, po ashtu Holanda e Franca kanë skepticizëm ende në raport me vizat e Kosovës. Këto shtete me votimin në Parlament Evropian, pra hera e parë kur është parë vullneti i tyre është  dëshmuar që kanë hezitime për vizat e Kosovës, këto aktualisht janë parametrat e vetëm për të parë se si mund të ecë tutje ky proces”, ka thënë ai.