Hyseni: Më 2017 Kosova humbi rastin e artë për anëtarësim në INTERPOL

Aktuale October 23, 2018 - 15:43
Lajmet e fundit nga vendi

Kosova po synon që këtë vit të bëhet përfundimisht pjesë e organizatës më të madhe të policisë ndërkombëtare. Më 20 nëntor në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet të votohet mbi kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, raporton zeri.info.

Pavarësisht se vitin e kaluar Kosova e kishte tërhequr kërkesën për t’u bërë pjesë e kësaj organizate (nën pretekstin se nuk ishin votat e mjaftueshme), këtë vit përfaqësuesit institucionalë po shprehen të vendosur se nëntori do të sjellë lajm të mirë për Republikën e Kosovës. Sipas tyre, situata këtë vit është shumë më e favorshme për ta përmbyllur këtë çështje.

Pavarësisht kësaj, ish-drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) nga Qeveria e kaluar konsiderojnë se Kosova ka humbur rastin e artë mbi këtë çështje gjatë vitit që shkoi. Ndërkohë, për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it Kosovës i duhen votat e 2/3-ve të anëtarëve të pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme kur ndodh procesi i votimit.

Skender Hyseni, ish-ministër i MPJ-së dhe njëherit ministër i Punëve të Brendshme në qeverisjen e kaluar (nga LDK), ka konsideurar se tërheqja e kërkesës gjatë vitit të shkuar ka qenë një gabim trashanik i bërë nga ana e Kosovës.

“Ka qenë gabim strategjik tërheqja e aplikacionit vitin e kaluar sepse Kosova sot do të ishte anëtare e Interpolit. Po të mos e tërhiqte Qeveria e Kosovës aplikaconin, Kosova do të votohej patjetër sepse kanë qenë edhe dy vende të tjera për votim, Palestina dhe Ishujt Solomon dhe ky ka qenë edhe shansi për Kosovën. Sepse një numër i vendeve që e kanë votuar Palestinën dhe Ishujt Solomon nuk do të mund të votonin për ato vende dhe të mos votonin edhe për Kosovën”, ka theksuar ai për “Zërin”.

LEXO EDHE: Pacolli, i bindur për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

E meqë këtë herë në Emiratet e Bashkuara do të dalë vetëm një aplikacion në votim, ai i Kosovës, Hyseni është shprehur skeptik nëse një gjë e tillë do të përmbyllet suksesshëm.

“Duke pasur parasysh lobimin e ashpër të Federatës Ruse, kam frikë që nuk do të shkojë puna si duhet, përkundër dëshirës sime të madhe sepse do të më gëzonte shumë fakti po qe se Kosova do të votohej për anëtarësim në Interpol. Kjo është gjendja. Është lëshuar një shans i artë në vitin e kaluar, për fat të keq ka qenë një vlerësim krejtësisht shkurtpamës, jovizionar i qeverisë që e ka tërhequr aplikacionin. Prandaj, mbetet të shohim”, ka theksuar ai.

Hyseni më tej, ka thënë se institucionet e vendit këtë vit kanë punuar shumë pak në këtë drejtim. Ndërkohë, ka përmendur faktin që votimi (pranimi) në Interpol bëhen me 2/3 e vendeve anëtare që marrin pjesë në Asamble.

“Tash varet edhe sa vende do të marrin pjesë në Asamble të përgjithshme, cilat janë ato vende që do të marrin pjesë, a do të jenë më shumë vende që e kanë njohur Kosovën apo jo, sepse gjihtherë varet prej pranisë në Asamble. Pranimi bëhet me 2/3 e votave të atyre që janë të pranishëm dhe që votojnë”, ka theksuar ai.

Rrjedhimisht siç ai është shprehur, çështja është shumë më e komplikuar sesa që po interpretohet nga institucionet, veçmas nga MPJ dhe MPB. /Zeri