Shënohet dita Ndërkombëtare e Biotikës

Aktuale October 19, 2018 - 10:44
Lajmet e fundit nga vendi

Oda e Mjekëve të Kosovës organizoi Konferencën e 3-të Ndërkombëtare të Biotikës.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu foli për rëndësinë e kësaj sfere, raporton “Zëri.info”.

"Kosova është anëtare në rrjetin e Biotikës. Ne po jetojmë në një botë me plotë vështirësi. Ne si profesionistë dhe si njerëz duke bashkëpunuar me të gjitha grupet do të jemi solidar në profesionalizëm dhe humanizëm. Respektimi i personalitetit të njeriut,pacientit është një nga vlerat kryesore të etikës dhe drejtës mjekësore.", tha ai.

Ndërsa, Arbër Geci tha se sa i përket sferës së Biotikës një rol të rëndësishëm luan edhe arsimimi.

"Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të anëtarësimit në shumë organizata ndërkombëtare. Me hapjen e kësaj konference dua të them se rol të rëndësishëm vazhdon të ketë sistemi arsimor dhe përgatitja profesionale. Parimet etike janë vlera të pa zëvendësueshme. Në profesione si mjekësia dhe arsimi parimet etike janë të domosdoshme", theksoi ai

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe Ministri u Arsimit në Maqedoni, Arbër Ademi i cili tha se po bëjnë përpjekje për institucionalizimin rajonal të kësaj disipline.

"Kjo ditë i jep rëndësi një shkence të re pra Biotikës rëndësia e së cilës po shndërrohet në esenciale. Biotika merre me politikat që reflektojnë vlerat bazë dhe humane. Kjo shkencë ka shumë për të hulumtuar. Përveç në nivel nacional përpjekjet tona janë për institucionalizimin e Biotikës në nivel rajonal", tha ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema tha se kjo konferencë e cila po zhvillohet tani do të jetë fitimprurëse për të gjithë.

"Biotika përcakton disa principe bazë mes mjekut dhe pacientit. Sot biotika nuk duhet të konsiderohet vetëm si disiplinë. Të qenurit në hap me botën e zhvilluar në kushte biotike është sfidë e madhe por qëndron si prioritet tek ne. Mbledhja e ekspertëve të kësaj lëmie për të diskutuar në këtë konference më bënë të bisedoj se diskutimi në këtë konferencë të jetë një përfitim i madh për ne", tha ai.

Në këtë konferencë ishte e paraparë që të merrte pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi si dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismali të cilët po mungojnë./Zëri/