Prapaskenat e pakos ligjore për ushtrinë e Kosovës (Dokument)

Aktuale October 18, 2018 - 16:15
Lajmet e fundit nga vendi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e kishte “zbuluar” se Kosova mund ta krijojë ushtrinë e saj përmes plotësim/ndryshimit të ligjit për FSK-në.

Me kuadrot e ministrisë, ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të zyrës së tij, Thaçi e kishte finalizuar pakon ligjore që Republikën e Kosovës e bënte me ushtri.

Atë projektligj, më 7 mars 2017, Thaçi ia kishte dorëzuar Veselit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, transmeton Ballkani.info.

Por, jo shumë ditë më pas, Thaçi dhe krerët e koalicionit qeverisës ishin pajtuar për pezullimin e përkohshëm dhe ndërmarrjen e një fushatë vetëdijesimi për komunitetet pakicë, si përpjekje për t’i bindur ata që të votojnë për krijimin e ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Kjo ishte kërkesa e vetme e partnerëve ndërkombëtarë asokohe, para procedimit të krijimit të ushtrisë përmes projektligjit.

Jozyrtarisht mësohet se marrëveshja me ndërkombëtarët ishte që projektligjet të procedohen për votim në Qeveri e Kuvend pas datës 20 nëntor 2018, pra pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

LEXO EDHE: Zv.minisrti i FSK-së u bën thirrje komuniteteve të bëhen pjesë e ushtrisë

Pas përfundimit të fushatës përbrenda, radha ishte për një konsultë përfundimtare me stafet profesionale nëpër qendrat botërore.

Presidenti këtë “tur” ia kishte lënë stafit udhëheqës të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pjesë e të cilit ishte edhe zëvendësministri i MFSK-së, Burim Ramadani.

Ky “tur” kishte zgjatur prej 17 deri më 24 korrik 2018.

Me tu kthyer nga vizitat nëpër vendet e Kuintit dhe në një numër të madh të vendeve të NATO-s, zëvendësministri Burim Ramadani dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, e kishin përgatitur një raport të cilin ia kishin dërguar presidentit Thaçi, kryeparlamentarit Veseli, kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të FSK-së.

Ky raport i dorëzuar tek krerët shtetërorë, kishte provokuar bajraktarizmin e kryeministrit Haradinaj dhe e kishte nxitur atë që ta thyej marrëveshjen me liderët e tjerë dhe ndërkombëtarët për kohën e procedimit të projektligjeve të FSK-së për votim në Qeveri dhe Kuvend.

Dërgimi i atëhershëm i tij në mënyrë të pakoordinuar, i cili vazhdon të rrezikojë anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ishte rikonfirmuar më pas edhe nga një përgjigje e presidentit Thaçi në një konferencë për media, para votimit në mbledhjen e Qeverisë.
Ndërsa, procedimi në mbledhjen e Qeverisë pa koordinim me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në ishte konfirmuar më pas edhe nga reagimet e Ambasadës së SHBA-së, NATO-s dhe vetë Zyrës së BE-së në Kosovë.

Pas votimit në mbledhjen e Qeverisë, Thaçi kishte deklaruar se të gjitha institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kanë një qëndrim për themelimin e ushtrisë së Kosovës, si dhe kishte kërkuar që periudha deri në miratimin e tij të shfrytëzohej nga të gjithë për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi.

Projektligji i proceduar nga Thaçi në përmbajtje nuk dallon fare nga projektligjet e proceduara nga Qeveria e Kosovës.

Në iniciativën e presidentit Thaçi ishte paraparë një projektligj i vetëm që përfshinte të tri projektligjet, pra Ligjin për Shërbim në FSK, Ligji për FSK-në, Ligjin për Ministrinë e FSK-së, kurse Qeveria e Kosovës i kishte proceduar ndarazi të tria këto.

Dallim tjetër ndërmjet tyre është edhe kohëzgjatja e mandatit të komandantit të FSK-së, nga 5 vjet sa parashihej me projektligjin e presidentit, në 4 vjet tash. Gjithashtu, në versionin e parë ishte paraparë që dikasteri qeveritar të quhej “Ministria e FSK”-së, kurse në versionin e dytë ishte “Ministria e Mbrojtjes”. Në versionin e parë, po ashtu, ishte paraparë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, kurse në versionin e dytë parashihet vetëm mbrojtja e integritetit territorial.

Përveç këtyre ekziston edhe një dallim tërësisht dekorativ, ku në versionin e dytë të projektligjit për shërbim në FSK, në nenin 10 është shtuar një paragraf, ku pos presidentit, ministrit të Mbrojtjes dhe KOMFSK-së, autoritet kompetent për dhënien e medaljeve dhe mirënjohjeve është edhe kryeministri.

Ndërmjet projektligjeve të proceduara nga Thaçi dhe të modifikuara nga Qeveria e Kosovës nuk ekziston më asnjë dallim.

Është e sigurt që propaganda për marrjen e meritave për themelimin e ushtrisë së Kosovës do të ashpërsohet edhe më shumë ditëve të ardhshme, por ajo që mund të konstatohet lehtësisht është se procedimi i projektligjit për krijimin e ushtrisë nga ana e presidentit Thaçi, e ka thyer status quo-n dhe e ka zhbllokuar procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. 

Image

Image

Image