PSD-ja ia bën kuorumin pushtetit

Aktuale October 16, 2018 - 07:59
LVV-ja dhe LDK-ja nuk kanë marrë pjesë në seancë
Image

Koalicioni qeverisës po përballet me mungesë të numrave në Kuvend. Derisa dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë bojkotuar seancën e djeshme të Kuvendit, pushtetit kuorumin ia ka bërë një subjekt tjetër opozitar, Partia Socialdemokrate (PSD), shkruan sot gazeta "Zëri".

Dy subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, para fillimit të seancës së djeshme paralajmëruan se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë në shenjë kundërshtimi ndaj koalicionit qeverisës. Ata bënë të ditur që do të marrin pjesë vetëm në seancën e së enjtes, ku do të diskutohet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

LEXO EDHE: Dështimet që mund ta rrëzojnë Qeverinë

Mirëpo së njëjtës iniciativë nuk iu bashkëngjit edhe partia tjetër opozitare, Partia Socialdemokrate. Madje ishte kjo parti që ua mundësoi partive të pushtetit që ta vazhdojnë seancën e së hënës.
Pavarësisht pjesëmarrjes së PSD-së në seancë pushteti sërish është përballur me mungesë kuorumi. Në këtë seancë në mungesë kuorumi nuk kanë arritur të kalojnë shumica e projektligjeve në rend dite, duke përfshirë kështu edhe projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Po ashtu është vendosur të shtyhet edhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë. Kjo seancë pas disa orëve debat është ndërprerë në mungesë kuorumi, përderisa seanca e radhës do të jetë të enjten.

Kadri Veseli “përplaset” me Zafir Berishën

Kryeparlamentari Kadri Veseli gjatë seancës së djeshme është “përplasur” me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha. Derisa Veseli u bënte thirrje deputetëve që të hyjnë në sallë, deputeti Berisha reagoi duke thënë: “Le të shkojmë në zgjedhje”.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e kryeparlamentarit Veseli. “Zafir, veç voto, edhe 4 vota i duhen opozitës, po të them publikisht, ti edhe 2 ose tre i ke atje, por po frikësohem që më së shumti ata frikësohen nga zgjedhjet, bashkë me opozitën. Kjo është ajo që ndodh se me pas burrni, po”, ka thënë Veseli duke iu drejtuar Berishës.
Veseli po ashtu ka thënë se nuk do të lejojë që individë të caktuar të vendosin për fatin e Kuvendit të Kosovës.

“Nuk do të lejoj që individë të caktuar të përcaktojnë fatin e Kuvendit të Kosovës. Ka vetëm individë të caktuar që po dëshirojnë të demonstrojnë para nesh personalitet”, ka thënë Veseli.

Nuk kalon projektligji për vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme

Kuvendi nuk e ka miratuar projektligjin për vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Hajdar Beqa, kërkoi që ky projektligj të mos miratohet. Ai kritikoi mosprezencën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila njëherësh ishte edhe propozuesi i këtij projektligji. “Edhe Lëvizja Vetëvendosje që e ka bërë këtë propozim edhe në Komision nuk ka qenë serioze, nuk po është as në seanca. Mendoj që kjo pikë duhet të hiqet nga rendi i ditës ose të votohet kundër,” ka thënë Beqa.
Ndërsa Frashër Krasniqi, nga PSD-ja, kërkoi që ky projektligj të miratohet. “PSD-ja e mbështet këtë projektligj. Mendoj që projektligji i propozuar nga Qeveria nuk e rregullon çështjen ashtu siç është e rregulluar në ligj. Kërkojmë miratimin e këtij projektligji. Është fatkeqësi që nuk i kemi të gjithë deputetët këtu që të miratohet ky projektligj”, ka thënë ai.
Ndërsa Bilall Sherifi ka thënë se një projektligj i tillë do të duhej të procedohej më tutje.
Kurse Memli Krasniqi, nga PDK-ja, ka thënë se do të votojnë kundër pasi ky projektligj është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së dhe një çështje e tillë është e rregulluar me Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara.

“Ajo që vlen të theksohet, vetë dispozitat themelore të këtij ligji janë në kundërshtim me legjislacionin e BE-së. Ne e kemi në procedurë një projektligj që trajton një çështje të tillë. E kemi Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara. Mendojmë që është me rëndësi të hidhet në votim dhe ne do të votojmë kundër, ashtu siç është propozuar”, ka theksuar ai.

Në mungesë kuorumi nuk votohet projektligji për kompleksin “Adem Jashari”

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë as projektligjin për Kompleksin Memorial në Prekaz pasi nuk ka pasur kuorum. Ishte Lista Serbe ajo e cila nuk ka marrë pjesë në votim, kurse Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja nuk kanë qenë fare në seancë.

Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari e Zhvillim Rural, Muharrem Nitaj, ka kërkuar që të hiqet nga rendi ditës, por kërkesa e tij nuk u miratua pasi që kjo pikë u hodh në votim.

“Ky projektligj është i një rëndësie të jashtëzakonshme, është shtyrë dhe nuk është votuar për gjithë atë kohë. Po shohim që edhe sot gjasat janë shumë të vogla që të kalojë ky projektligj. Ne e kemi vizituar kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ si komision dhe e kemi parë që vërtet është një gjendje katastrofike në mbajtjen e kullave të Jasharëve. Është i një rëndësie të madhe kalimi i këtij projektligji, por meqenëse numrat janë siç janë, unë propozoj që votimi të shtyhet për mbledhjen e ardhshme dhe të mos dërgojmë një mesazh shumë të keq që po nxirret në votim dhe nuk po kalon”, ka thënë ai.
Për këtë projektligj ka reaguar edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate Enver Hoti, i cili ka thënë se ky projektligj është dashur të kalojë qysh herën e parë. Madje ai ka fajësuar LDK-në dhe LVV-në që nuk kanë qenë në sallë për ta votuar këtë projektligj. “Kam një kërkesë ndoshta për grupimet politike opozitare LVV dhe LDK që nuk janë këtu, mendoj që është dashur të jenë këtu pranë sallës dhe kur të vijë radha e këtij projektligji të futen brenda dhe të votojnë. E dimë si është gjendja në memorialin ‘Adem Jashari’ në Prekaz dhe mendoj që është një papërgjegjësi totale e të gjithë deputetëve, grupeve politike, nëse nuk votohet edhe sot ky projektligj”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, përpos kësaj Kuvendi në seancën e  djeshme e ka hequr nga rendi i ditës votimin e propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Kjo ka ardhur pas deklaratës së deputetit të PSD-së Visar Ymerit, i cili ka kërkuar që të shtyhet votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun Kosovë - Serbi.

“Ne jemi të interesuar të ulemi bashkë dhe të tentojmë të paktën t’i përafrojmë qëndrimet sa i përket rezolutës. U bëj ftesë grupeve parlamentare që të diskutojmë për këtë rezolutë”, ka thënë ai.