Dështimet që mund ta rrëzojnë Qeverinë

Aktuale October 16, 2018 - 07:49
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Dështimi në procesin e liberalizimit të vizave, përplasjet brenda koalicionit qeverisës për dialogun me Serbinë dhe ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale vlerësohen si tre përcaktuesit që mund ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” dhe rrjedhimisht ta dërgojnë vendin në zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse ka më shumë se një vit jetë, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të jetë e pasigurt në funksionimin e saj. Madje vlerësohet se shkas për rrëzimin e saj mund të bëhen pikërisht temat e mëdha, siç është dialogu me Serbinë, shtyrja eventuale e liberalizmit të vizave. Përveçqë tashmë janë dhënë sinjale se liberalizimi mund të mos përmbyllet deri vitin që vjen, kryeministri Haradinaj tashmë ka marrë alarmin nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, se shumë shpejt mund ta përfundojë punën si kryeministër.

LEXO EDHE: Thaçi deputetëve të LDK-së: Faleminderit që më votuat masivisht

Ky “kërcënim” i presidentit ndaj shefit të ekzekutivit ka ardhur pas mospajtimeve të tyre lidhur me dialogun, respektivisht me idenë e Thaçit për korrigjim të kufirit me Serbinë. Analistët politikë vlerësojnë se ngecja në këto procese të rëndësishme për vendin, si dhe aktivizimi i Gjykatës Speciale janë përcaktorë të mundshëm për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e pushtetit shprehen të sigurt se qeveria aktuale nuk do të rrëzohet.

Dialogu, pas zgjedhjeve

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme e tek pastaj duhet të vazhdohet me fazën finale të këtij procesi.

 “Së pari zgjedhje, pastaj dialog - projekt që prodhon stabilitet institucional dhe eviton rreziqet gjeopolitike që po i kanosen Kosovës. Nuk mund të pretendojmë t’i normalizojmë raportet me Serbinë e në të njëjtën kohë të kemi raporte jonormale institucionale brenda në Kosovë. Gjendja aktuale në Kosovë nuk po prodhon normalitet të brendshëm e as zhvillim në asnjë segment të jetës”, ka deklaruar ai.

Sipas Hotit, një veprim i tillë normalizon gjendjen politike dhe siguron stabilitetin institucional në Kosovë. Ai më tej ka thënë se nuk mund të vazhdohet rrugëtimi i Kosovës drejt BE-së me këtë qasje që kanë institucionet aktualisht.    

Ndërkaq zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka thënë se ky subjekt është i vetmi që është angazhuar për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

“Sa i përket mocionit për rrëzim të Qeverisë, ne jemi i vetmi subjekt opozitar që i kemi dhënë nënshkrimet. Por duhet kuptuar se mundësi serioze për rrëzimin e saj është vetëm opozita e bashkuar me strategji të përbashkët dhe kjo nuk bëhet pa Partinë Socialdemokrate”, ka deklaruar ajo.

Sipas Kuçit, rruga e vetme për të çuar deri te konkretizimi i veprimeve për rrëzim të Qeverisë është koordinimi i opozitës.

Opozita në mungesë prej katër votash

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka konsideruar se Qeveria aktuale është duke çuar përpara vetëm agjendat e saj të ngushta.

“Tashmë është e qartë që Qeveria nuk i ka numrat. Është e panatyrshme që ajo të mos ketë numra. Në këtë situatë të cilën jemi po shohim që krejtësisht është jofunksionale. Qeveria thjesht është duke shtyrë përpara agjenda të ngushta partiake, duke e keqpërdorur edhe buxhetin e vendit dhe të gjitha resurset që i kanë në dispozicion”, ka deklaruar ajo.

Sipas Nagavcit, vetëm zgjedhjet përbëjnë zgjidhjen për situatën në të cilën ndodhet Kosova. Me këtë rast ajo ka pohuar se LVV-ja është duke punuar në këtë drejtim me partitë e tjera që ndodhen në opozitë.

 “Neve si opozitë na nevojiten edhe 3-4 vota, jemi duke bashkëpunuar edhe me subjektet e tjera opozitare dhe duke shikuar mundësitë për rrëzimin e Qeverisë. Sa më parë që kjo të ndodhë, është aq më mirë”, është shprehur ajo.

Dy përcaktues për zgjedhjet

Në anën tjetër Rasim Alija, nga instituti “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se koalicionin qeverisës e ka ndjekur “hija” e zgjedhjeve të parakohshme prejse e ka marrë pushtetin.

“Kjo edhe për shkak të mungesës së legjitimitetit si pasojë e numrave të pamjaftueshëm, por edhe për shkak të zhvillimeve e të qëndrimeve të kundërta për tema të caktuara brenda vetë koalicionit”, ka theksuar ai.

Alija më tej ka thënë se janë dy skenarë që do të mundë ta çonin vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

 “Janë dy përcaktorë për opsionin e zgjedhjeve brenda këtij viti. Kalkulimi i partnerit të madh në koalicion, përkatësisht i PDK-së, nëse i konvenojnë zgjedhjet brenda këtij viti, sepse vetëm me ndonjërin nga anëtarët e koalicionit mund të kemi një rrëzim qeverie”, ka deklaruar ai.

Kurse skenari i dytë sipas tij ka të bëjë me faktin e ngecjes së temave të mëdha. Kësisoj, po qe se nuk përmbyllen këto çështje madhore siç është dialogu e liberalizimi dhe po qe se fillon aktivizimin Gjykata Speciale vendi ka gjasa të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Përcaktori i dytë është momentumi kur vendoset për zgjedhje të reja. Kjo nënkupton se si do të zhvillohen ngjarjet në raport me dialogun, Gjykatën Speciale, liberalizimin e vizave, hyrjen në dimër e që rrjedhimisht mund të ketë dalje më të vogël të votuesve, funksionalizimi i KQZ-së e një sërë aspektesh të tjera të cilat e përcaktojnë vendimin dhe disponimin e secilit subjekt politik për zgjedhje të reja”, ka potencuar ai.

Pozita, e qetë dhe e sigurt

Pavarësisht këtyre, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, është shprehur i bindur që partitë opozitare nuk mund ta rrëzojnë qeverinë aktuale.

“Por ne nuk besojmë që opozita mund t’i sigurojë votat për ta shkarkuar Qeverinë”, ka theksuar ai për “Zërin”. 

Ndonëse koalicioni qeverisës nuk i ka as 61 deputetë aktualisht, ai ka thënë se koalicioni i ka 67 të tillë.

“Seanca e sotme ka dëshmuar që ne kemi 67 deputetë dhe kemi votuar projektligjet, të cilat kanë qenë në lexim të dytë. Po vërehet që kemi më shumë se 61 deputetë. Kështu që koalicioni është mirë sa i përket numrave. Kjo është lojë tipike e demokracisë”, ka deklaruar ai gjatë ditës së djeshme.

Pavarësisht tij, politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se koha për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme ka qenë qysh herët, andaj para se të ndërmerret ky veprim duhet të shikohet se çka do të ndodhë më tutje.

 “Koha për zgjedhje ka qenë dje, por pas largimit të këtij pushteti kleptokratik duhet të mendohet alternativa që jep shpresë reale se këto tema të pa anashkaluara do të përmbyllen me sukses e jo duke i mohuar”, ka theksuar ai.

Beqaj me këtë rast ka thënë se në zgjedhje është dashur të shkohet menjëherë pas mënyrës se si është krijuar koalicioni.  

“Prandaj zgjidhja nuk është në përsëritjen e skenarit të ngjashëm, por të përgatitet alternativa adekuate për çdo temë, e veçmas për dialogun me Serbinë”, ka shtuar ai.