Negociatorët “non grata”

Aktuale October 05, 2018 - 07:47
Lexo detajet
Image

Për më shumë se tre muaj presidenti Hashim Thaçi po e udhëheq fazën finale të dialogut me Serbinë pa u mandatar nga Kuvendi. Ndërkohë as ekipi negociator i propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk po e gjen përkrahjen e deputetëve për të marrë në duar dialogun me fqinjin verior. Partitë opozitare vazhdojnë t’i konsiderojnë “non grata” këta negociatorë, shkruan sot gazeta "Zëri"

Ani pse faza finale e dialogut Kosovë - Serbi ka nisur qe më shumë se tre muaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces pa miratimin e Kuvendit të Kosovës. Pos tij, përkrahje nga deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk po arrin të marrë as ekipi negociator i caktuar nga ana e Qeverisë, në krye të së cilës është vendosur zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

LEXO EDHE: Hoxhaj paralajmëron zëvendësim të ministrave

Përfaqësuesit e partive opozitare konsiderojnë se veprimi i Qeverisë për formimin e ekipit negociator ka qenë i gabuar, pasi ata fillimisht duhet që presidenti Thaçi të ndalet së udhëhequri këtë proces, të miratohet një platformë e tek pastaj mund të flitet për ekipin negociator. Pavarësisht kësaj, zyrtarë të partive në pushtet mbeten optimistë se do të arrihet një konsensus i gjerë mes spektrit politik në Kosovë sa u përket negociatave me Serbinë. Në të kundërtën sipas tyre, mosarritja e një dakordimi të gjerë politik i sjell dëme të konsiderueshme shtetit të Kosovës.

Porse njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se edhe takimi i radhës, që pritet të mbahet në Bruksel, do të zhvillohet pa një dakordim të partive politike në Kosovë.

Opozita, kundër ekipit të caktuar nga Qeveria

Teksa ka folur rreth delegacionit të caktuar nga Qeveria e Kosovës për negociatat Kosovë - Serbi, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka konsideruar se aktualisht nuk duhet të flitet fare për ekipin negociator para se të bëhet një analizë e dialogut të deritanishëm.

“Që nga shpallja e pavarësisë vazhdimisht kemi pasur degradim dhe është e papranueshme që në këtë formë të formohet ekipi negociator. Fillimisht duhet të bëhet një analizë e dialogut të deritanishëm, të fillojë një dialog i ri me një platformë të qartë dhe tek pastaj mund të flasim për një ekip negociator, i cili eventualisht do të mandatohej nga Kuvendi”, ka deklaruar ajo.

Gjatë bisedës për “Zërin” Kollçaku ka vlerësuar se kreu i shtetit duhet të ndalet sa më parë së drejtuari këtë procesin e dialogut me Serbinë.  “Fillimisht duhet të bisedohet në Kuvend për këto, tek atëherë do të mundë të bisedohej për një ekip eventual”, ka potencuar ajo.

Ndërkaq deputeti i Partisë Socialdemokrate, Salih Salihu, ka thënë se çështja e dialogut nuk është vetëm çështje e pozitës. Përkundrazi, siç ai është shprehur, në këtë proces duhet të marrin pjesë edhe partitë që janë në pushtet, por edhe ato që ndodhen në opozitë. “Edhe opozita, edhe pozita janë përfaqësues të popullit, njerëz që kanë marrë besimin e qytetarëve dhe nuk mund të përjashtohen nga një proces që është kaq i rëndësishëm”, ka theksuar ai.

Porse sipas Salihut, ekipi negociator i caktuar nga Qeveria është bërë në mënyrë krejtësisht të njëanshme, andaj lidhur me këtë proces fillimisht duhet të miratohet një platformë në Kuvendin e Kosovës. “Bartës i krejt dialogut duhet të jetë Kuvendi, ekipi negociator të votohet nga dy të tretat e deputetëve, platforma të jetë e miratuar po ashtu me 2/3 e votave dhe një komision i cili do ta përcillte punën e ekipit negociator. Kështu, sa herë që ekipi negociator do të ndeshej në ndonjë pikë të pakapërcyeshme do të duhej të çohej në Kuvend të diskutohej dhe Parlamenti të vendoste si do të shkohej tutje”, ka potencuar ai.

Pozita, optimiste për konsensus

Pavarësisht qëndrimeve të opozitës “kundër”, mënyrës se si është duke u zhvilluar faza finale e dialogut, përfaqësuesit e partive në pushtet janë shprehur optimistë se do të arrihet një dakordim mes subjekteve rreth këtij procesi.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka vlerësuar se konsensusi mes partive politike sa i përket çështjes së dialogut është më se e nevojshme. “Konsensusi është i domosdoshëm te spektri politik në Kosovë. Për këtë është e vetëdijshme edhe opozita, por unë besoj që në ditët në vijim do të gjendet një rrugë drejt konsensusit sepse, thjesht, ndryshe mund të humbim si Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas Selmanajt, në Kuvend duhet të debatohet rreth ekipit dhe platformës, në mënyrë që të ketë një qëndrim të përbashkët rreth procesit të bisedimeve Kosovë - Serbi. “Duhet në Kuvend të ketë debat edhe rreth ekipit, edhe rreth platformës dhe tani të kemi një qëndrim të përbashkët”, ka shtuar ai.

Edhe takimi i ardhshëm në Bruksel, pa dakordim të partive

Në anën tjetër Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog ka vlerësuar se ideja e Qeverisë për ta krijuar këtë ekip negociator më shumë ka qenë ide e presidentit Thaçi sesa e Qeverisë. Qëllimi i kreut të shtetit, sipas saj, ka qenë që ai të duket sikur nuk është i vetëm në këtë proces, porse ka edhe përkrahjen e Qeverisë. “Nuk ka pajtueshmëri as brenda këtij ekipi rreth asaj se si duhet Kosova t’i qaset dialogut”, ka theksuar ajo.

Duke u nisur nga këto rrethana sipas Haxhollit, spektri politik nuk do të jetë i bashkuar as në takimin e radhës në Bruksel e as më tej sa i përket çështjes së dialogut.  “Momentalisht pres që sërish skena politike të jetë e fragmentuar edhe në takimin e ardhshëm të dialogut, i cili ende nuk dihet se kur do të mbahet. Po tash për tash nuk pres të ketë unitet as për takimin e ardhshëm të dialogut, as brenda ekipit negociator, as mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë”, është shprehur Haxholli.