Referendumi në Kosovë me epilog si të Maqedonisë

Aktuale October 02, 2018 - 07:59
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tash e një kohë është duke thënë se marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë do të dalë në referendum, ku qytetarët do ta thonë fjalën e fundit. Megjithatë, edhe pse Kosova nuk ka ligj për referendum, sipas analistëve, po të organizohej një referendum për këtë çështje ai do të dështonte, ngjashëm ose edhe më keq se referendumi i organizuar të dielën në Maqedoni, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dihet se referendumin në Maqedoni e ka mbështetur vetëm partia e kryeministrit Zoran Zaev, si dhe partitë shqiptare atje, ndërsa opozita ka kundërshtuar heshturazi, por referendumi dështoi pasi kanë votuar vetëm rreth 37% e qytetarëve.

LEXO EDHE: Bashkimi i opozitës, peng i kalkulimeve politike

Në anën tjetër, në Kosovë situata është edhe më e pafavorshme. Në bazë të qëndrimeve aktuale të partive politike në vend, referendumi i kërkuar nga Thaçi do të kishte një epilog edhe më të keq, pasi një organizim të tillë do ta mbështeste vetëm ish-partia e Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës dhe votuesit e saj.

Isufi: Ligji për referendum është duke u përgatitur

Ahmet Isufi, shef i Grupi Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë se ligji për referendum është duke u përgatitur, por jo për temën e “korrigjimit të kufirit”.

“Ligji për referendum është duke u përgatitur, prandaj është kërkesë ligjore që duhet të përfundojë, por që nuk ka të bëjë me temën e korrigjimit të kufirit”. Ne konsiderojmë që çështja e hapave të korrigjimit të kufirit është çështje e iniciuar nga presidenti, por që kundërshtohet nga shumica e subjekteve politike”, ka thënë ai.

Më tutje Isufi ka thënë se procesi i dialogut do të përfundojë vetëm me njohje reciproke dhe vetëm pastaj të hapen tema të tjera.

“Më mirë do të ishte që së pari liderët politikë duhet të sqarohen në mes vete për idenë e presidentit sesa të hidhet në opinion pa u definuar se çka është duke u kërkuar. Konsiderojmë se çështja e Kosovës është në bisedime, është duke shkuar me njohje reciproke me Serbinë e pastaj mund të hapen tema të tjera”, ka theksuar ai.

Kurteshi: Populli tregoi pozicionimin e tij në protestën e 29 shtatorit

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ismajl Kurteshi, një prononcimin për gazetën “Zëri” ka thënë se qytetarët ia kanë dhënë përgjigjen presidentit në protestën e 29 shtatorit.

“Populli e ka thënë fjalën e tij më 29 shtator, që doli kundër kësaj ideje të mbrapshtë të presidentit dhe mendoj që referendumi duhet të aplikohet për shumëçka, por qytetarët në rastin e kufirit ia dërguan një mesazh të qartë presidentit, që nuk i lejohet të luajë me kufijtë e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Kurteshit, një referendum do të ishte i mirëseardhur për çështjen e bashkimit kombëtar.

“Në parim ne jemi për referendum e sidomos kur është çështja e bashkimit me Shqipërinë, por edhe për shumë çështje të rëndësishme për qytetarët e vendit e të cilët udhëheqësit e papërgjegjshëm gjatë viteve të fundit nuk i kanë pyetur qytetarët për asgjë”, ka thënë ai.

Baraliu: Dihet se një referendum i tillë do të dështonte

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike në vend, në një prononcim ka thënë se duke u bazuar në disponimin politik në vend nuk shihet se ka interesim për ligjin për referendum.

“Presidenti mund vetëm të japë iniciativë, ndërkaq Qeveria i propozon ligjet dhe i përcjell për në Parlament dhe pasi që të bëhen leximet mund të miratohet. Mirëpo duke u bazuar në përvojat e deritanishme, as presidenti, asnjë institucion dhe as prania ndërkombëtare në Kosovë nuk kanë qenë të interesuar që Kosova të ketë ligj për referendumin. Nuk ka asnjë lëvizje, pra nuk e di se sa mund të jetë e realizueshme, sepse po flasin ndryshe dhe po manovrojnë ndryshe, kjo nuk është bindëse”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, qytetarët në protestën e fundit të organizuar më 19 shtator kanë treguar qëndrimin e tyre kundër “korrigjimit të kufirit”, i cili sipas tij nënkupton shkëmbim.

“Divergjencat që ekzistojnë edhe nga Kuvendi, nga Qeveria dhe nga Presidenca e sidomos në protestën e fundit të qytetarëve, e cila ishte e orientuar kundër iniciativave të tilla nga Presidenca për korrigjim të kufijve, që në fakt është shkëmbim territoresh. Duhet të ketë kujdes secili që mendon ta hedhë në referendum një çështje të tillë monopate, sepse disponimi është kundër, prandaj kot mund të organizohet referendumi për një çështje, e cila është apriori e qartë se nuk do të kalojë. Institucionet qeveritare dhe opinioni publik në Kosovë janë kundër shkëmbimit të territoreve, respektivisht ‘korrigjimit të kufirit’”, ka potencuar Baraliu.

Cakolli: Suksesi i referendumit do të varej nga mënyra e parashtrimit të pyetjes

Eugen Cakolli, njohës i çështjeve politike, ka thënë se ligji për referendum është e pamundur të miratohet për shkak të situatës politike.

“Sa i përket çështjes së referendumit dhe mundësisë së nismës legjislative për miratimin e ligjit për referendumin, besoj se inicimi i një ligji të tillë është i pamundur për shkak të mungesës së numrave dhe përçarjes së madhe mes pozitës dhe opozitës në Kuvend”, ka thënë ai në një prononcim për gazetën “Zëri”

Sipas Cakollit, suksesi i referendumit për “korrigjimin e kufirit” me Serbinë do të varej nga mënyra sesi do të parashtrohej pyetja.

“Rasti i Maqedonisë ka treguar që çështjet e mëdha duhet të zgjidhen nga elitat politike, të cilat kanë marrë bekimin qytetar për të çuar përpara procese të caktuara Nëse pjesë e referendumit do të ishte shkëmbimi i territoreve qytetarët do të votonin kundër, por nëse do të ishte vetëm bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën qytetarët do të votonin pro”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo do të kishte implikime kushtetuese, pasi që Kushtetuta e Kosovës ndalon që çështjet me interes vital për komunitetet t’i nënshtrohen referendumit.