'Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa lëvizje të kufijve'

Aktuale October 01, 2018 - 15:25
Lexo detajet

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që presidenti Thaçi nuk është zmbrapsur nga ideja e tij për korrigjim.

“Është krijuar në opinion përshtypja se presidenti Thaçi i ka zbutur qëndrimet, por unë nuk po shoh që i ka zbutur qëndrimet në asnjë segment sa i përket korrigjimit sepse është një deklaratë të cilën e ka thënë dhe të cilën e ka bërë publike. Mendoj se ka ndikuar situata në Maqedoni dhe referendumi i djeshëm që të mos dilet në opinion të korrigjimit të kufijve sepse është me rëndësi të kalojë referendumi dhe të ketë stabilitet që Maqedonia t’i ruajë kufijtë, integritetin dhe sovranitetin territorial dhe shqiptarët të japin kontribut”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: 'SHBA-ja, përfundimisht kundër idesë së Thaçit '

Tutje Tahiri ka theksuar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë një ndër pikat kyçe të saj do ta ketë korrigjimin e kufirit me Serbinë.

“Presidenti Hashim Thaçi sigurisht do të vazhdojë në ditët e ardhshme me zhvillimin e opsionit të tij, i cili është për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë në kuadër të të cilit do të parashihet edhe çështja e kufirit, zgjidhjet janë kreative dhe të vullnetshme për cilëndo formë që pajtohen, kalon me referendum ose kalon në Kuvend. Nuk ka marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe të Serbisë pa lëvizje të kufijve”, ka thënë ai.