Qetësohet veriu

Aktuale October 01, 2018 - 08:39
Lexo detajet
Image

Barrikada, të cilën serbët e veriut e kishin vendosur në hyrje të Zubin Potokut, të shtunën rreth orës 17:00, pas vizitës së presidentit Hashim Thaçi te Liqeni i Ujmanit, është larguar dje me kërkesën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Një ditë pas vizitës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në liqenin e Ujmanit në Zubin Potok, e cila kishte befasuar serbët e veriut të vendit, por edhe kishte pezmatuar liderët serbë të veriut e vetë kreun e shtetit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjendja në veri, posaçërisht në Zubin Potok, vlerësohet e qetë.
Barrikada, të cilën serbët e veriut e kishin vendosur në hyrje të Zubin Potokut, të shtunën rreth orës 17:00, pjesë e së cilës ishin edhe disa ministra serbë në qeverinë “Haradinaj”, deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe kryetarë të komunave veriore, është larguar me kërkesën e presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

LEXO EDHE: Thaçi e Haradinaj vazhdojnë përplasjen për kufijtë

Për shkak të barrikadës doganierët dhe policët janë detyruar të shkojnë në pikën kufitare në Bërnjakë nëpërmes të rrugëve alternative, ndërsa të dielën gjendja është normalizuar edhe në atë pjesë. Në krye të protestuesve, të cilët kishin vendosur barrikadën, shiheshin ministra e deputetë serbë në institucionet e Kosovës dhe kryetarë të komunave, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq, kryetari i Zubin Potokut Stevan Vulloviq, kryetarët e organeve të përkohshme të komunave veriore, në mesin e të cilëve edhe kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut Aleksandër Spiriq, si dhe drejtues të Listës Serbe. 

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, u ka thënë medieve në Beograd se situata është e qetë falë apelit të presidentit Aleksandër Vuçiq, i cili ka ftuar serbët që të përmbahen. Ai tha se të shtunën ishte shumë vështirë të ruhet paqja dhe qetësia në Zubin Potok, por sipas tij, “Serbia dhe udhëheqja lokale kanë dhënë shumë mund që situata të qetësohet dhe serbët të mos bien pre e provokimeve në Gazivodë”. Sipas tij, një gjë e tillë më nuk guxon të përsëritët.

“Frikohem se pas ngjarjeve të së shtunës një situatë e tillë do të mundë të ishte shkak për situata edhe më të rënda sesa ishte të shtunën dhe do të nxiste reagimin e të gjithë serbëve për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur lirinë e gjithë atë që e kanë krijuar për 19 vjet në veri të Kosovës”, ka thënë Simiq.

Me pezëm të theksuar dhe me shumë nervozë për vizitën e Thaçit në liqenin e Ujmanit është shprehur kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe i Listës Serbe Goran Rakiq. Vizitën e Thaçit në Zubin Potok, i cili sigurohej nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës – ROSU, Rakiq e ka cilësuar “sulm me pasoja të paparapara për serbët që jetojnë në veri të Kosovës”.

“Ne këtë nuk do ta lejojmë, nëse KFOR-i nuk dëshiron, atëherë si kryetar i Listës Serbe ftoj shtetin e Serbisë që ta mbrojë popullin serb dhe pasurinë e pronën e tij dhe që organet tona të intervenojnë urgjentisht. 19 vjet populli ynë jeton në frikë dhe pasiguri, por nuk do të jemi vetëm shikues derisa jeta e fëmijëve tanë rrezikohet. Le ta dinë të gjithë se serbët kurrë më nuk do të lejojnë që një sulm i tillë të ndodhë edhe një herë. Ne me popullin tonë do ta mbrojmë lirinë tonë, jetën dhe pronën, sepse Gazivoda është serbe. Kjo që Thaçi ka ardhur në veri që t’i provokojë serbët është një film që më nuk do ta shohin. Ndërsa mentorët e tij le ta dinë se duke heshtur ka dërguar porosi të qartë se i mbështesin aktet e tilla. Vazhdimi i pranisë së ROSU-së në veri edhe më shumë rrezikon përpjekjet tona për t’i ulur tensionet në terren në mesin e populli, i cili është i pezmatuar për një sulm të tillë dhe për arrestimin e njerëzve të pafajshëm”, ka thënë Rakiq.

Në anën tjetër Dalibor Jevtiq, zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, ka thënë se ka kohë që është folur për marrjen e liqenit të Gazivodës. 

“Duhet ta kemi parasysh faktin se ka kohë e gjatë që flitet se do të vijë deri te marrja e liqenit të Gazivodës dhe se do të ketë incidente. Mbase dikush ka dëshiruar që në këtë mënyrë, duke krijuar tensione, të krijojë situatë të komplikuar për t’i realizuar qëllimet e veta. Është mirë që nuk ka pasur reagim të qytetarëve, sepse dikush edhe këtë e ka pasur për qëllim. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat në ditët në vijim, por është shumë me rëndësi që gjithçka ka kaluar qetë”, ka thënë Jevtiq. Ai ka shtuar se përfaqësuesit e serbëve dhe serbët në Kosovë presin që udhëheqja e shtetit të Serbisë të dalë me një porosi të qartë, duke vlerësuar se është me rëndësi që udhëheqja serbe të bëjë apel për qetësimin e situatës dhe të dërgojë mesazhe të tilla që të gjitha problemet që janë hapur të zgjidhen ekskluzivisht nëpërmes dialogut.

Në ndërkohë mediet serbe kanë njoftuar se lokali ku kishte pirë kafe Hashim Thaçi është sulmuar gjatë natës së mbrëmshme me armë zjarri. Këtë e ka konfirmuar kapiteni Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri. Përveç dëmeve materiale të lënduar nuk ka pasur.

“Policia është në kërkim të të dyshuarve”, ka thënë kapiten Hoti.