Thaçi e Haradinaj vazhdojnë përplasjen për kufijtë

Aktuale October 01, 2018 - 08:11
Këto janë deklaratat e fundit nga ta
Image

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj edhe pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vazhduar konfrontimin për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Derisa i pari i vendit thotë se marrëveshja finale me Serbinë duhet të përfshijë edhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, kreu i Qeverisë në anën tjetër ka thënë se mbetet arritja e një marrëveshjeje pa prekur kufijtë. Opozita e vendit ka deklaruar se nëse Thaçi nuk zmbrapset nga kjo ide e tij për korrigjim të kufirit do të vazhdojë me protesta gjithëpopullore, ndërkaq njohës të çështjeve politike kanë thënë se tash e disa ditë presidenti Thaçi nuk ka folur për korrigjim të kufijve, pasi nuk ka dashur të ndikojë në procesin e referendumit në Maqedoni për marrëveshjen e këtij shteti me Greqinë, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për medie dje ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të përfshijë korrigjim të kufijve, por jo shkëmbim të territoreve.

"Unë kam besim se kjo situatë do të tejkalohet në ditët dhe në javët e ardhshme. Duhet të përsëris edhe një herë se propozimi im për korrigjimin dhe për demarkimin në mes të Kosovës dhe të Serbisë si pjesë e marrëveshjes ligjërisht mes Kosovës dhe Serbisë, kusht kryesor do ta ketë njohjen reciproke në mes të dyja shteteve. Po ashtu kjo marrëveshje do të përfshijë edhe bashkimin e Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën", ka thënë ai.

LEXO EDHE: Vetëvendosja, ultimatum Thaçit

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po ashtu në një konferencë për medie të dielën ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë assesi nuk do ta përfshijë lëvizjen e kufijve.

“Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së ka shprehur pikëpamjet se një marrëveshje ligjore obligative me Serbinë është interes yni dhe mbesim në dialog, e mbështesim një marrëveshje të tillë, por jo përmes lëvizjes së kufijve ose të territorit. Kosova është në kufijtë e 17 shkurtit 2008 dhe ne synojmë konsolidimin e brendshëm të Kosovës. Pra asnjëherë nuk kemi pasur synim tjetër, ka kohë të gjatë që kemi këtë pozicion. E mirëpresim interesimin e të gjithëve që të gjenden rrugët për të ardhur deri te një zgjidhje ose te një marrëveshje me Serbinë, por jo përmes cenimit të integritetit territorial”, ka thënë Haradinaj.

LVV: Nëse Thaçi nuk zmbrapset do të vazhdojmë me protesta

Pas protestës së të shtunës të mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje, kjo parti ka paralajmëruar edhe protesta tjera nëse presidenti nuk heq dorë nga kjo ide. “Ne tash do ta shikojmë se si po reflektojnë presidenti dhe Qeveria. Nëse ata e kanë kuptuar se qytetarët e kanë seriozisht këtë që të mos lejojnë aventura të tilla dhe të tërhiqen nga ato aventura e të fillojnë t’i bashkërendojnë punët me opozitën ne jemi të gatshëm që të kyçemi në këto procese. Përndryshe, ne do të vazhdojmë me këto protesta”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes Ismajl Kurteshi.

Tutje Kurteshi në një prononcim për “Zërin” ka përmendur edhe vizitën e presidentit Thaçi te liqeni i Ujmanit, vizitë të cilën e ka quajtur shou për vëmendje. “Ajo që ka ndodhur dje në Ujman është një shou i pakripë i Thaçit, i cili ka dashur ta tërheqë vëmendjen atje në një çështje që dje nuk ka qenë as e nevojshme të shkohet atje, por ai ka dështuar totalisht sepse e ka vërejtur që protesta ka qenë ngjarje dje në Kosovë dhe jo ato sjellje të tij që i përngjajnë një njeriu të papërvojë dhe të papjekur”, ka thënë Kurteshi.

KDI: SHBA-ja, përfundimisht kundër idesë së Thaçit

Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër ndryshimit të kufijve, prandaj ditëve të fundit është “zbutur” në qëndrimet për kufijtë. “Nga vizita e presidentit Thaçi në SHBA është vërejtur se ky shtetet përfundimisht i ka thënë jo idesë së presidentit Thaçi për ta bashkuar Kosovën me Luginën ose siç po e quan ai ‘korrigjim të kufirit’. Edhe në deklaratën e tij presidenti ka thënë se SHBA-ja është për një korrigjim të lehtë të kufirit, por nuk është për ndryshim të madh të kufirit Kosovë - Serbi e ideja e presidentit të Kosovës është ndryshim drastik. Dhe kjo lë të kuptojë se SHBA-ja i kanë thënë jo përfundimisht idesë së presidentit për ndryshim të kufirit”, ka thënë Haxholli, duke shtuar se ajo çka do të bëhet në kuadër të dialogut është demarkacioni i kufirit me Serbinë dhe aty do të mundë të bëhet një korrigjim i lehtë i kufirit.

Mirëpo Haxholli ka thënë se është e nevojshme që skena politike në Kosovë të ketë qëndrim nacional për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. “Pasi dialogu është në nivel të presidentëve, presidenti Thaçi do të vazhdojë të jetë në krye të tij, por ende ka dallime në mes të qëndrimeve të vet presidentit, të Qeverisë së Kosovës dhe të qëndrimeve të partive opozitare. Pra, Kosova nuk ka një qëndrim nacional karshi procesit të bisedimeve dhe do të ishte mirë që të kishte dakordacë në vija të trasha të palës kosovare”, ka theksuar ajo.

Tahiri: Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa lëvizje të kufijve

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që presidenti Thaçi nuk është zmbrapsur nga ideja e tij për korrigjim.

“Është krijuar në opinion përshtypja se presidenti Thaçi i ka zbutur qëndrimet, por unë nuk po shoh që i ka zbutur qëndrimet në asnjë segment sa i përket korrigjimit sepse është një deklaratë të cilën e ka thënë dhe të cilën e ka bërë publike. Mendoj se ka ndikuar situata në Maqedoni dhe referendumi i djeshëm që të mos dilet në opinion të korrigjimit të kufijve sepse është me rëndësi të kalojë referendumi dhe të ketë stabilitet që Maqedonia t’i ruajë kufijtë, integritetin dhe sovranitetin territorial dhe shqiptarët të japin kontribut”, ka thënë ai.

Tutje Tahiri ka theksuar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë një ndër pikat kyçe të saj do ta ketë korrigjimin e kufirit me Serbinë. “Presidenti Hashim Thaçi sigurisht do të vazhdojë në ditët e ardhshme me zhvillimin e opsionit të tij, i cili është për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë në kuadër të të cilit do të parashihet edhe çështja e kufirit, zgjidhjet janë kreative dhe të vullnetshme për cilëndo formë që pajtohen, kalon me referendum ose kalon në Kuvend. Nuk ka marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe të Serbisë pa lëvizje të kufijve”, ka thënë ai.