Turpi diplomatik në SHBA

Aktuale September 27, 2018 - 08:17
Mësoni më shumë detaje

Image

 

Delegacioni i Kosovës, i cili po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka bërë huqje të rënda diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan sot Gazeta "Zëri".

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tentoi ta mashtrojë opinionin vendor me njoftimin në profilin e tij në “Facebook” kinse e takoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe kryeministrin e Marokut, Saadedine Othmani.

Ky i fundit bëri të ditur se shefi i diplomacisë kosovare i ishte imponuar në takim gjatë kohës së pauzës, shkruan më tutje "Zëri".

Por kryediplomati kosovar dje ka publikuar një bisedë në gjuhën arabe, për të cilën thotë se e ka zhvilluar me kryeministrin maroken në “WhatsApp”.

LEXO EDHE: Delegacioni i BE-së për vizat skanoi sundimin e ligjit

“E vërteta me kryeministrin e Marokut është ndryshe nga ajo e reflektuar nga disa medie kosovare. Unë dje kisha takim të akorduar, me shkrim, me kryeministrin. Sidoqoftë, metri diplomatik nuk ka krahasim me metrin mediatik”, ka shkruar mes të tjerash Pacolli.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se krerët institucionalë të Kosovës kanë shkuar në SHBA pa pasur kurrfarë koordinimi në qëndrimet e tyre, pasi që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po vazhdon të këmbëngulë në idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë, përderisa kryeministri Ramush Haradinaj nuk po heq dorë së kundërshtuari këtë opsion.

Një paraqitje të tillë të diplomacisë kosovare në SHBA njohësit e çështjeve politike e cilësojnë si një skandal të pashfaqur deri më tash.

Rugova: Joserioziteti i liderëve në SHBA dëmton imazhin e Kosovës

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka vlerësuar se pamjet e fundit teksa tregojnë se si liderët kosovarë bëjnë diplomaci ndikojnë tejet negativisht në imazhin e Kosovës.

“Diplomacia kosovare është e çakorduar, e pasinkronizuar, jo në një linjë, sepse presidenti i vendit ka qasje dhe koncepte komplet të tjera ndaj përfaqësimit të jashtëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare, kryeministri ka deklarim dhe qasje komplet tjetër dhe disi më ndryshe edhe ministri i Punëve të Jashtme. Vizita në New York tregon për një joseriozitet, për gafa të papara e të cilat ndikojnë në uljen e imazhit të vendit”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Pavarësisht kësaj Time Kadriaj, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Punë të Jashtme (nga AAK-ja), ka vlerësuar se fakti më i rëndësishëm nga vizita e krerëve të Kosovës në SHBA ka të bëjë me vetë prezencën e tyre atje.

“Me rëndësi është që diplomacia është prezente dhe po takohet me liderë të ndryshëm botërorë, në mënyrë që të lobojë për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova”, ka pohuar ajo.

Pacolli: Përfaqësim skandaloz i Kosovës

Kurse sipas Fitore Pacollit, anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme (nga LVV-ja), pamjet e publikuara së fundi tregojnë saktë se si është bërë diplomacia kosovare përgjatë viteve.

“Sjelljet e tilla që tashmë i pamë përmes kamerave, që nuk i kemi parë më herët, e kanë shkatërruar më shumë Kosovën dhe imazhin e Kosovës sesa i kanë ndihmuar asaj”, ka theksuar ajo.

Arsyeja se pse po ndodhin të tilla raste sipas Pacollit ka të bëjë me faktin që njerëzit e padenjë janë duke e përfaqësuar Kosovën.

“Pra, janë njerëz që nuk kanë integritet, nuk janë të dinjitetshëm për ta përfaqësuar Kosovën jashtë shtetit. Kosova ka nevojë për president, kryeministër e ministër të Punëve të Jashtme që e meritojnë të jenë në atë pozitë”, ka vazhduar ajo.

Tendenca për manipulimin e opinionit

Në anën tjetër Arben Fetoshi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka vlerësuar se pamjet e publikuara nga ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli, teksa shihet duke ia zgjatur dorën presidentit Trump, paraqesin një shfaqje naiviteti dhe një veprim manipulativ (në raport me opinionin) të shumë udhëheqësve kosovarë.

Ndërkohë, veprimet si ai me kryeministren e Serbisë dhe me kryeministrin e Marokut, sipas tij, përbëjnë skandale diplomatike.

“T’i afrohesh në atë mënyrë kryeministres së Serbisë dhe të gënjesh për një takim ‘të frytshëm’ me një kryeministër, i cili të bën horë publikisht, tregon jo vetëm dështim të plotë të protokollit ose mungesë dinjiteti personal, por është edhe tejet poshtërues për vendin që përfaqëson. Duke pasur parasysh raportet me Serbinë dhe qasjen e saj agresive ndaj Kosovës, një shfaqje e tillë dhe një deklaratë e pamatur e shefit të diplomacisë bëhet edhe më e rëndë, jo vetëm e padinjitetshme, por edhe e dëmshme”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Agron Halitaj, ka vlerësuar se ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë një punë “pozitive” në SHBA, pasi sipas tij Pacolli ka dëshmuar qartazi se si pala kosovare bën diplomaci.

“Me gjithë sjelljen aspak të pëlqyeshme Behgjet Pacolli ka bërë një punë të mirë. Ai e ka hequr perden dhe qytetarëve të Kosovës ua ka treguar mënyrën e vërtetë se si bën diplomaci. Mjerisht ngarendja e tij nëpër korridore të OKB-së për t’i zënë burrështetasit e botës vetëm sa për të bërë fotografi me ta nuk përbën rast të izoluar”, ka konsideruar ai.