Delegacioni i BE-së për vizat skanoi sundimin e ligjit

Aktuale September 27, 2018 - 08:04
Lexoni më shumë detaje
Image

Grupi Punues për Vizat (COWEB) i Këshillit të Bashkimit Evropian ka qëndruar të martën dhe të mërkurën në Kosovë dhe ka vëzhguar nga afër progresin e institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve të tjera që lidhen me liberalizimin e vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, pas takimit të përbashkët me anëtarët e këtij grupi ka thënë se ajo e ka informuar delegacionin për angazhimet e deritashme për liberalizimin e vizave, si dhe për hapat e mëtejmë për këtë proces.

LEXO EDHE: Thaçi, i pakorrigjueshëm

“Ne me përkushtim të plotë kemi kryer detyrat tona sa i takon liberalizimit të vizave, duke vënë prioritet nacional edhe procesin integrues”, ka theksuar ministrja Hoxha, duke shtuar se pret që këtë vit të merret vendimi për lëvizjen e lirë të kosovarëve, shkruan më tutje "Zëri".                                                         
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj ka thënë se opozita kosovare i ka thënë jo liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Në një postim në “Facebook”, pas takimit me Grupin Punues nga Bashkimi Evropian, Hoxhaj ka thënë se sjellja e përfaqësuesve të opozitës ka qenë për keqardhje.

“Opozita sot hapur ka dalë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COWEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë. Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë me gjithë agjendat dashakeqëse të një pjese të politikës në Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndaj Hoxhajt ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, duke thënë se akuza e Hoxhajt është naive dhe e pabazuar dhe se dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës “në të vetmen çështje në të cilën ne kemi dhënë përkrahje pa rezervë”.

“Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së i kam siguruar se LDK-ja e mbështet fuqishëm agjendën eurointegruese të Kosovës. Si opozitë kemi mbështetur reformat dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe BE-së, që burojnë nga MSA-ja... I falënderova për mbështetjen në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave dhe kërkova që sa më parë të përmbyllet kjo çështje edhe në Këshillin e Ministrave”, ka shkruar Hoti.

Kurse Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë në një përgjigje dhënë “Zërit” ka thënë se Grupi Punues për Rajonin e Ballkanit Perëndimor (COWEB) në Kosovë është në një vizitë të rregullt.

“Kjo është një vizitë e rregullt për të vlerësuar progresin e përgjithshëm në Kosovë në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe nuk është një mision vlerësimi për liberalizimin e vizave”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.             

Ky grup punues, sipas Zyrës së BE-së, merret me zhvillimin e shteteve në sektorin politik dhe ekonomik.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane Blerta Deliu-Kodra është shprehur optimiste se rezultatet e kësaj vizite do të jenë pozitive.

“Pres që rezultatet e këtij takimi të jenë pozitive, sepse ka pasur një përkushtim të institucioneve të Kosovës që të punojnë për këtë agjendë dhe besoj shumë që lajmet do të jenë të mira, duke u bazuar në informatat që do të marrë nga Kosova ky delegacion, i cili po qëndron në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq njohësi i çështjeve të integrimeve, Taulant Kryeziu, i ka thënë “Zërit” që pavarësisht vizitës së COWEB-it Kosova ende nuk e di qëndrimin e shteteve më të fuqishme të BE-së.

“Vizita e grupit punues COWEB është hapi i radhës drejt vizave, mirëpo ne ende nuk e dimë saktësisht se a ka ndryshim të disponimit të vendeve skeptike për çështjen e vizave të Kosovës, gjë që do të reflektonte pastaj edhe në votën e tyre. Problemi kryesor yni është Holanda, Franca dhe Gjermania, gjë që është reflektuar edhe në Parlamentin Evropian. Nëse vetëm shikohen votat e tyre në Parlament e shohim që këto vende janë hezituese për këtë proces”, ka thënë Kryeziu.