Thaçi, i pakorrigjueshëm

Aktuale September 27, 2018 - 07:51
Mësoni më shumë detaje
Image

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë dje se ka marrë përkrahje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për, siç ka thënë ai, “korrigjim të lehtë” të kufirit me Serbinë. Në anën tjetër, drejtuesit e opozitës insistojnë se presidenti i vendit nuk mund të marrë vendime për Kosovën “kokë më vete”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se ka marrë “aminin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, ku do të përfshihej edhe një “korrigjim i lehtë” i kufirit Kosovë - Serbi.

Megjithatë, monitoruesit e procesit të dialogut mbeten të sigurt se SHBA-ja nuk do të përkrahë një marrëveshje që mund të sjellë jostabilitet në rajon.

Ata vlerësojnë se skenari i paralajmëruar nga presidenti për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, pa i ofruar diçka në këmbim Serbisë, është krejtësisht i pamundur që të realizohet, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas tyre, kreu i shtetit është ende i paqartë në deklarimet dhe në paralajmërimet e tija lidhur me opsionin për korrigjim të kufirit, pasi që Thaçi nuk po shpjegon se çka saktësisht nënkupton ky korrigjim.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se presidenti Thaçi nuk mund të marrë vendime për Kosovën pa e pasur mbështetjen institucionale.

Sipas tyre, ish-kryeministri i shtetit me deklarimet se ka mbështetje ndërkombëtare për korrigjim kufijsh është duke e mashtruar veten dhe qytetarët e vendit.

Thaçi: Zyrtarët e SHBA-së ma konfirmuan mbështetjen

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se në takimet që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë amerikanë në New York i është konfirmuar përkrahja e SHBA-së lidhur me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, duke përfshirë këtu edhe  korrigjimin e kufirit me Serbinë.

“SHBA-ja konfirmoi qartë dhe zyrtarisht që mbështet edhe angazhimin që e kemi deklaruar se në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi e që nënkupton njohjen reciproke, ku mund të përfshihet edhe demarkimi i kufirit ose korrigjimi i lehtë i kufijve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Thaçi.

Pavarësisht kësaj, ende nuk ka një qëndrim zyrtar të SHBA-së lidhur me këtë çështje. Porse gjatë së mërkurës ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Britanisë rreth opsionit të korrigjimit të kufirit, me ç’rast ka thënë se qëndrimi i Britanisë mbetet i pandryshueshëm, respektivisht kundër këtij opsioni.

“Ju e dini qëndrimin e Britanisë. Qëndrimi i Britanisë nuk ka ndryshuar”, ka theksuar O’Connell.

Opozita: Pa pasur mbështetjen e Kosovës Thaçi s’mund të marrë vendime për Kosovën

Megjithëkëtë, deputetja e LDK-së Lirije Kajtazi ka konsideruar se presidenti Thaçi po e mashtron veten dhe qytetarët teksa po deklarohet për një përkrahje të ndërkombëtarëve lidhur me idenë për korrigjim të kufirit me Serbinë.

“Këtë që po e bën presidenti është një vetëmashtrim, domethënë mashtrim i vet atij dhe i vet popullit që ai e përfaqëson”, ka deklaruar Kajtazi.

Sipas saj, kreu i shtetit duhet të reflektojë sa më shpejt, në të kundërtën do ta dëmtojë vendin kështu si ka nisur.

Pavarësisht kësaj, deputetja e LDK-së është shprehur e vendosur se nuk do të ketë ndërrim kufijsh mes Kosovës e Serbinë dhe se për këtë, siç ajo është shprehur, janë kundër edhe ndërkombëtarët.

“Nuk do të ketë lëvizje, kështu deklarojnë edhe vendet e tjera, edhe Amerika”, ka potencuar ajo.

Ndërkaq deputeti i LVV-së, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se kryetari i Kosovës nuk mund të marrë vendime pa e pasur fillimisht mbështetjen e vet Kosovës.

“Hashim Thaçi nuk e ka mbështetjen e partive politike këtu në vend dhe të qytetarëve të Kosovës, kjo është më e rëndësishmja. Kur ai merr vendime për Kosovën në radhë të parë duhet ta ketë përkrahjen e Kosovës dhe nuk e besojmë atë që po e thotë, që ka përkrahje nga ndërkombëtarët”, është shprehur ai.

Kurteshi më tej ka thënë se edhe LVV-ja është për arritjen e një marrëveshjeje, porse jo për një të atillë nga e cila do të dëmtohej Republika e Kosovës.

Kosova s’mund ta marrë Luginën pa i dhënë diçka Serbisë

Në anën tjetër Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, ka konsideruar se nuk mund të dihet qartë se si presidenti i Kosovës e ka prezantuar idenë e tij për korrigjim të kufirit në SHBA, pavarësisht deklarimit që ai ka bërë.

“Ne nuk e kemi të qartë se çka ka prezantuar presidenti atje, nuk jemi të sigurt se si e ka prezantuar idenë e tij. A e ka prezantuar ashtu si na e ka prezantuar neve ose e ka relativizuar, nuk e dimë se çka ka bërë. Ambasadori Delawie ka thënë se nuk përkrahin ndryshime të mëdha të kufijve ose nuk pranojnë marrëveshje që shkakton jostabilitet dhe mundësi të konfliktit në rajon”, ka deklaruar ajo.

Andaj pavarësisht deklarimit të presidentit, që SHBA-ja ka përkrahur një marrëveshje me korrigjim të lehtë të kufirit, sipas Haxhollit nuk mund të realizohet ideja e Thaçit për bashkim të Luginës me Kosovën.

“Amerikanet me gjasë i paskan thënë shumë qartë që pranojnë vetëm një korrigjim të lehtë të kufirit, që i bie që ideja e tij për ta marrë Luginën e Preshevës bie poshtë, sepse marrja e Luginës nuk është korrigjim i lehtë, por korrigjim drastik. Kështu që me këtë çka po thotë presidenti amerikanët janë kundër kësaj ideje të tij”, ka theksuar ajo.

Por në rast se ideja e Luginës së Preshevës hidhet në diskutim në kuadër të dialogut, atëherë sipas saj Kosova nuk mund ta marrë atë pa i dhënë diçka në këmbim Serbisë.

Ndërkaq Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka konsideruar se aktualisht ka qëndrime krejtësisht të pakoordinuara nga krerët institucionalë në Kosovë sa i përket çështjes së kufirit me Serbinë.

“E kemi parë që presidenti po insiston në korrigjim të kufirit, në anën tjetër kemi parë që kryeministri po insiston në ruajtjen e tërësisë së integritetit të Kosovës, pra në kufijtë ekzistues. Kemi dy qëndrime të kundërta. Thaçi thotë se e ka marrë përkrahjen prej SHBA-së për korrigjim të kufijve, por ne nuk po e dimë se çka është duke nënkuptuar me korrigjim të kufijve”, ka thënë ai.

Porse, sipas tij, SHBA-ja nuk përkrah një marrëveshje kur nuk dihet se çka do të përfshihet në të.

“SHBA-ja nuk përkrah korrigjimin e kufijve pa ditur se çka është korrigjimi i kufijve. Këtu është problemi. Akoma presidenti nuk po na e shpjegon se çka nënkupton me korrigjimin dhe çka po përkrah SHBA-ja, se çfarë marrëveshjeje po synon ta arrijë”, ka shtuar ai.

E në rast të realizimit të skenarit të paralajmëruar nga kreu i shtetit tash e një kohë për marrjen e Luginës Demahsaj ka vlerësuar se kjo është e pamundur të ndodhë pa ofruar diçka Kosova në këmbim të kësaj, pra pa pasur shkëmbim ose ndarje të territorit.