Zgjedhjet, në pjesën e dytë të 2019-s

Aktuale September 26, 2018 - 07:44
Lexoni lajmet me te fundit nga vendi
Image

Partitë opozitare, veçanërisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithatë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë së paku deri në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, shkruan sot Gazeta 'Zëri". 

Lidhja Demokratike e Kosovës tash e një kohë është duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kërkesë kjo që mbështetet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe diçka më heshtur edhe nga Partia Socialdemokrate.

LEXO EDHE: Kufijtë s’lëvizin

Megjithatë, opozita nuk ka votat e mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë përmes mocionit të mosbesimit. Kështu vlerësohet se zgjedhje të reja nuk do të ketë së paku deri në pjesën e dytë të vitit 2019, kohë kjo kur deputetët të mbushin dy vjet prejse kanë filluar punën dhe në këtë formë atyre u llogaritet mandati i plotë sa u përket beneficioneve, shkruan më tutje "Zëri". 

Partitë në pushtet e mohojnë mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme në këtë kohë.

Ndërsa ato në opozitë thonë se qeveria “Haradinaj” e ka të pamundur ta përfundojë mandatin e plotë për shkak të mungesës së numrave në Kuvend.

Kollçaku: Qeveria nuk e përfundon mandatin e plotë

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se nuk do të priten zgjedhjet e rregullta, pasi që, sipas saj, zgjedhje do të ketë më herët.

“Qeveria nuk i ka numrat ta shtyjë qoftë edhe një projektligj dhe është koha që kjo Qeveri ta përfundojë mandatin. Ne do të jemi vazhdimisht duke përkrahur çdo iniciativë që përfundon mandatin e kësaj qeverie dhe ne në vazhdimësi kemi thënë që zgjidhje janë zgjedhjet, sepse përmes zgjedhjeve demokratike do të bëhet një qeveri e shumicës, qeveri që do ta ketë besimin e qytetarëve”, ka thënë ajo.

Kollçaku ka thënë se për momentin Vetëvendosja nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar sa i përket rrëzimit të qeverisë, megjithatë, sipas saj, Qeveria nuk e ka më legjitimitetin.

Krasniqi: Nuk është koha për zgjedhje, LDK-ja nuk ka guxim

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka konsideruar se nuk është koha që vendi të shkojë në zgjedhje.

“LDK-ja po flet për mocion qe së paku pesë muaj, por ata as nuk e kanë guximin e as nuk janë të sinqertë në këtë deklarim. Përndryshe, le të urdhërojnë që sot e le ta procedojnë mocionin”, ka thënë ai për “Zërin.

Sipas tij, çdo parti serioze duhet të jetë në çdo kohë e përgatitur për zgjedhje dhe siç ka thënë ai, PDK-ja ka strukturat më të konsoliduara për çfarëdo procesi zgjedhor.

Kurse Valmir Ismaili, nga organizata “Demokraci Plus”, ka thënë për “Zërin” se qëndrimi i subjekteve politike nuk është stabil.

“LDK-ja është aktualisht partia më e madhe në vend dhe çfarëdo iniciative që merret nga ana e saj duhet të merret me seriozitet. Sidoqoftë, për të pasur kjo iniciativë sukses nuk mjaftojnë vetëm votat e LDK-së, por duhet të jenë edhe votat e të gjitha partive të tjera opozitare dhe disa deputetë nga partitë që aktualisht janë në pushtet. Aq është e paqartë situata aktuale në Kuvendin e Kosovës sa është vështirë të thuash nëse ky mocion do të ketë sukses ose jo”, ka thënë ai.

Ismaili ka konsideruar se qeveria “Haradinaj” e ka të vështirë të qëndrojë deri në fund të mandatit. “Nëse do të niseshim nga premisa që Qeveria e kaluar është rrëzuar për shkak të mungesës së numrave dhe guximit për të marrë vendime të mëdha, atëherë Qeveria e tanishme do të duhej të shkonte në shtëpi moti. Kjo Qeveri as nuk i ka numrat në Kuvend e as guximin (rasti i dialogut, ky vetë kryeministri është pajtuar që t’ia lërë presidentit dialogun në dorë) dhe mbahet vetëm duke bërë pazare me subjekte politike, madje edhe me individë dhe krejt kjo në kurriz të popullit”, ka thënë ai.

Alija: Deri në vitin e ardhshëm mund të përmbyset Qeveria

Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, ka konsideruar se në rrethanat aktuale në vend është e pamundur që të sigurohen votat për mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“A do të shkojë vendi në zgjedhje ose jo gjithçka varet nga zhvillimet politike. Qe dy herë radhazi ka dështuar kuorumi edhe me iniciativat e pozitës, edhe me ato të opozitës për qaste jetike, që kanë të bëjnë me Republikën e Kosovës. Nuk ka mundur t’i sigurojë votat as pozita dhe as opozita, pra 61 vota, është mjaft e pamundur në rrethana të tilla me mospajtime edhe brenda subjekteve opozitare të arrihen të sigurohen votat për një mocion të mundshëm”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij, ka gjasa që vitin e ardhshëm gjithçka të ndryshojë.

“Deri në vitin e ardhshëm mund të ndodhë gjithçka, mund të përmbyset aleanca. Thjesht është një terren i panjohur, e gjitha do të varet nga momentumet politike që të arrihen të shtyhen përpara edhe kauzat, siç janë zgjedhjet e parakohshme.