Kufijtë s’lëvizin

Aktuale September 26, 2018 - 07:41
Lexoni lajmet me te fundit nga vendi
Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pritet të gjejë mbështetje as në takimet që po zhvillon në SHBA për korrigjim të kufijve me Serbinë. Kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj iniciative të presidentëve Thaçi dhe Vuçiq janë disa shtete evropiane, me në krye Gjermaninë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se çështjen e dialogut Kosovë - Serbi do ta shtrojë në takimet që do t’i ketë gjatë kësaj jave me liderët botërorë, duke përfshirë këtu edhe takimin me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Por pavarësisht faktit që Thaçi tashmë ka bërë të ditur se në kuadër të marrëveshjes finale do të ketë edhe korrigjim të kufirit me Serbinë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se një ide e tillë e kreut të shtetit nuk do të përkrahet nga liderët e shteteve të fuqishme të botës, të cilët po marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në New York të SHBA-së, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Një ide të tillë tashmë nga SHBA-ja e ka kundërshtuar haptazi kryetarja e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviq, e cila në takimin që ka pasur me Thaçin dje ka lënë të nënkuptohet se çështja e kufijve është temë e mbyllur.

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka kundërshtuar fuqishëm disa herë deri më tani një ide të tillë të presidentëve Thaçi dhe Vuçiq.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se Thaçi duhet të kërkojë nga liderët botërorë që t’i bëjnë presion Serbisë për ta njohur Kosovën e jo të lobojë për mbështetje mbi idenë e korrigjimit të kufirit.

Kundërshtimi i Kroacisë mbi idenë e korrigjimit të kufijve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se në SHBA është takuar me homologen e tij kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq.

Me këtë rast Thaçi ka thënë se me presidenten e Kroacisë, ndër të tjera, ka biseduar edhe për fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është mirënjohëse për ndihmën e jashtëzakonshme të Kroacisë në shtetndërtimin e vendit, në forcimin e demokracisë, në sigurimin e një të ardhmeje të sigurt në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, ka deklaruar ai.

Mirëpo menjëherë pas takimit mediet kroate kanë raportuar se Kitaroviq e ka kundërshtuar idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve, duke ia ka përmendur atij “parimin e Komisionit të Badinterit që kufijtë në territorin e ish-Jugosllavisë duhet të mbesin të gdhendur në gurë”.

Në anën tjetër, analisti gjerman nga Këshilli për Politika të Demokratizimit, Bodo Veber, ka vlerësuar se nuk do të ketë korrigjim të kufirit, sepse një vendim i tillë, siç ai është shprehur, nxit pasoja të paparashikueshme.

Në një debat të mbajtur për dialogun në Graçanicë me përfaqësues të shoqërisë civile Veber ka thënë se kjo ide mbetet krejtësisht e parealizueshme.

“Kjo do të thoshte kthim në vitet e ’90-ta. Fare nuk po shikohet se cilat janë pasojat dhe si po jetojnë njerëzit nën marrëveshje të tilla, por gjithmonë është me rëndësi se kush e kontrollon territorin”, ka potencuar ai.

Opozita: Thaçi të bëjë presion te SHBA-ja që Serbia ta njohë Kosovën

Kurse nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se në takimet që do t’i zhvillojë në SHBA presidenti Thaçi duhet të kërkojë nga shtetet e botës që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e jo të lobojë për korrigjim territoresh.

“Presidenti është mirë të lobojë te të gjithë burrështetasit që i takon, veçmas te Trump, që të bëhet presion shumë më i madh te Serbia për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe pastaj kërkimfaljen për krejt çka është bërë, sidomos për dëmet e luftës dhe pastaj ne mund të ulemi dhe të bisedojmë sigurisht edhe për çështjen e demarkacionit të kufirit”, ka deklaruar Kollçaku.

Sipas saj, në asnjë rrethanë nuk duhet të bisedohet me një shtet për kufij përderisa ai shtet nuk e njeh Kosovën.

Ndërkaq deputeti i PSD-së, Salih Salihu, ka vlerësuar se mashtrimet që po u bëhen shqiptarëve, duke aluduar se kinse Kosova ka mbështetje nga vendet e tjera, po e dëmtojnë tejet shumë shtetësinë e Kosovës.

“Përvojat kanë treguar që nëse një shtet, një qeveri dhe një president do që të japë diçka prej këtij vendi shtetet e huaja nuk të mbrojnë. Prandaj është shumë me rëndësi qëndrimi ynë, qëndrimi i Kuvendit të Kosovës si organi më i lartë e jo qëndrimi i një individi”, është shprehur Salihu.

Andaj sipas tij opozita duhet të ketë koordinim të plotë sa i përket çështjes së dialogut.

Korrigjimi i kufijve sjell pasoja

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka konsideruar se presidenti i Kosovës nuk do të gjejë fare mbështetje për idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë në takimet që pritet t’i ketë në SHBA.

Përkundrazi, sipas tij, shtetet ndërkombëtare dhe ato të BE-së do të kenë qëndrime të palëkundshme karshi këtij opsioni.

“Ato e dinë mirë se çka do të thotë korrigjimi, korrigjimi në fakt nënkupton ndryshim të kufijve, këmbim të territoreve dhe këmbimi i territoreve mund të sjellë pasoja të dëmshme për qytetarët e të dyja anëve të kufirit, në këtë rast të Kosovës dhe të Serbisë.

Është një proces që mund të përcillet me shumë pasoja. Prandaj, unë jam i bindur që nuk do të ketë përkrahje të duhur”, ka potencuar ai.

Ndërkaq sipas politologut Ramush Tahiri mbështetja e shteteve të botës do të varet krejt nga ajo se çka do të prezantojnë palët, ajo kosovare dhe ajo serbe, në takimet që do të kenë me udhëheqësit e këtyre shteteve.

“A do të ketë përkrahje ose jo presidenti varet prej secilit vend individualisht dhe prej kapaciteteve të tij se sa arrin t’i shpjegojë çështjet edhe ky, edhe përfaqësuesit e Serbisë, kryeministrja në këtë rast, që është atje”, ka theksuar ai.

Sipas Tahirit, zgjidhja e kësaj teme nuk shihet të jetë afër, por megjithatë, siç ai është shprehur, është mirë të bisedohet për këtë çështje. 

Teksa ka komentuar vizitën e delegacionit kosovar në SHBA, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialog në kuadër të KDI-së, është shprehur kureshtare të dijë se çfarë qëndrimesh janë duke shpalosur anëtarët e delegacionit shtetëror në New York.

“Për çfarë versioni të shtetit të Kosovës janë duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare? A është Kosova pro apo kundër korrigjimit të kufijve (ndryshimit të kufijve) si pjesë e një marrëveshjeje eventuale në mes Kosovës dhe Serbisë? A po kërkohet mbështetje ndërkombëtare për këtë opsion nga presidenti Thaçi? Dhe a po kërkon kryeministri Haradinaj mbështetje ndërkombëtare kundër këtij opsioni? Cili pra është qëndrimi zyrtar i shtetit të Kosovës në këto takime rreth zgjidhjes potenciale të pranueshme për Kosovën në dialogun me Serbinë?”, ka pyetur ajo.

Sipas Krasniqit, mungesa e koordinimit në mes institucioneve të Kosovës arrin nivel të paprecedent kur liderë shtetërorë sillen si të pavarur nga njëri-tjetri në artikulimin dhe në promovimin e qëndrimeve të tyre rreth së ardhmes së shtetit të Kosovës.