Grupi për Vizat nesër vjen në Kosovë

Aktuale September 24, 2018 - 07:49
Lexoni më shumë detaje
Image

Grupi Punues për Vizat i Këshillit të Bashkimit Evropian të martën dhe të mërkurën do të qëndrojë në Kosovë për të parë nga afër progresin e institucioneve kosovare në sundimin e ligjit dhe të çështjeve tjera që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave. Ministrja Dhurata Hoxha thotë se janë përgatitur materialet e nevojshme për ta njoftuar këtë Grup për progresin e arritur, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Grupi Punues për Vizat (COWEB), i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian, nesër dhe pasnesër do të qëndrojë në Kosovë për të parë nga afër punën që është bërë nga institucionet kosovare sa i përket reformave, posaçërisht rreth sundimit të ligjit dhe të aspekteve tjera që ndërlidhen me këtë proces.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën Zërise Kosova ka përgatitur të gjitha materialet përkatëse për ta njoftuar këtë Grup rreth punëve që janë bërë.


Në anën tjetër, deputetë të subjekteve opozitare thonë se shpresojnë se ky Grup do të konstatojë se qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin pa viza, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërsa njohës të proceseve integruese thonë se Grupi Punues për Vizat është filtri i parë i vendimmarrjes për liberalizim brenda Këshillit të Ministrave.

Pas mbështetjes nga COWEB çështja e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën kalon në nivelin e ambasadorëve, që njihet si COREPER dhe në fund kërkohet miratimi nga ministrat e vendeve anëtare të BE-së.

Hoxha: Vizita e COWEB-it shumë e rëndësishme, kemi përgatitur materialet përkatëse

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën “Zëri” se vizita e Grupit Punues për Vizat në Kosovë është shumë e rëndësishme, pasi do të njoftohet për punën e institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

“Vizita e Grupit Punues COWEB për Vizat është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh fazën në të cilën ndodhet procesi i liberalizimit. Grupi Punues do të qëndrojë në Kosovë, me ç’rast do të njoftohet për së afërmi me punën e institucioneve tona dhe me reformat që janë ndërmarrë”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo më tej ka thënë se i kanë përgatitur të gjitha materialet për ta njoftuar këtë Grupin Punues për Vizat rreth punëve që janë bërë.

“Ne Ministria e Integrimit Evropian dhe institucionet tjera i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe kemi përgatitur materialet përkatëse duke i njoftuar detajisht për punët që janë bërë”, ka shtuar Hoxha.

Kurse anëtari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropian, Ismajl Kurteshi, ka thënë se shpreson se ky delegacion i Bashkimit Evropian të konstatojë që qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin pa viza.

“Unë mendoj që edhe kjo çështja e vizave është mjaft e politizuar dhe varësisht nga disponimi politik mblidhen edhe të dhënat. Mendoj se është mirë ata të cilët vijnë këtu të konstatojnë që qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të mbahen të izoluar, ata meritojnë të trajtohen si të gjithë qytetarët e tjerë të Evropës dhe të hiqen vizat sa më parë”, ka deklaruar Kurteshi.

Kryeziu: Grupi Punues, filtri i parë vendimmarrës në kuadër të Këshillit

Njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, ka thënë se Grupi Punues për Vizat (COWEB) është format në nivel të ekspertëve të vendeve anëtare të BE-së dhe se ky do të jetë filtri i parë i vendimmarrjes në kuadër të Këshillit.  

“Ata do të jenë filtri i parë i vendimmarrjes politike që zhvillohet në kuadër të Këshillit përpara se të kalojë tek ambasadorët në COREPER për pajtim dhe në fund te Këshilli i Ministrave për miratim me atë që quhet shumicë e dyfishtë 55% e vendeve anëtare, që përfaqësojnë 65% të popullsisë”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai më tej ka thënë se sundimi i ligjit mbetet njëra nga sfidat kryesor në hapërimin evropian.

“Çdoherë kur ne japim shembuj negativë të mosrespektimit të ligjit, siç kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe e që është thënë dhe rithënë si vërejtje në të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare, ku sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur dhe politika vazhdon ta ndikojë atë në çdo mënyrë të mundshme kjo është hap pas dhe dëshmi që dëmton rëndë jo vetëm këtë proces, por krejt projektin tonë për të qenë ne një ditë vend anëtar i BE-së”, ka deklaruar Kryeziu.

Më tej ai ka thënë se është optimist se vendimmarrja do të përmbyllet këtë vit.

“Gjithsesi unë dua të jem optimist për hir të qytetarëve tanë, të rinisë tonë, të gjeneratave më të moshuara që së paku vendimmarrja të përfundojë këtë vit, duke ditur që takimet e Këshillit në përbërje të ministrave të Brendshëm ose të Drejtësisë janë më 11-12 tetor dhe më 6-7 dhjetor”, është shprehur më tej Kryeziu.

Në fund ai u ka bërë thirrje liderëve institucionalë që të përmbahen te dhënia e datave për liberalizim.

“Për datën e saktë të lëvizjes së lirë do t’i ftoja të gjithë të jenë të përmbajtur dhe të mos rrisin pritshmëritë te qytetarët sepse ky është vendim politik i vendeve të BE-së dhe ku ne ende po kemi hezitime në disa nga to si Franca, Holanda dhe Gjermania, gjë që u dëshmua edhe në votimin, i cili u zhvillua në Parlamentin Evropian”, ka përfunduar Kryeziu.

Alija: Liberalizimi i vizave ka marrë drejtimin e duhur

Rasim Alija, nga Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën ka marrë drejtimin e duhur, megjithatë kjo nuk është për shkak të plotësimit të kritereve.

“Edhe pse procesi i liberalizimit të vizave duket që ka marrë drejtimin e duhur dhe ekziston një disponim i mirë rreth këtij procesi kjo nuk është si shkak i plotësimit të kritereve në fushën e reformave dhe të sundimit të ligjit. Në masë të madhe procesi i liberalizimit është si rezultat i rrethanave tjera politike”, ka vlerësuar Alija.

Më tej ai ka thënë se nuk e di me cilët indikatorë do t’i masë zhvillimet në Kosovë Grupi Punues për Vizat, porse progresi është minimal.  

“Reforma e administratës publike ka filluar, por nuk po shihet asnjë rezultat, reforma zgjedhore shihet si jo e përshtatshme në këtë kohë nga subjektet politike, trajtimi i rasteve të krimit të organizuar dhe të korrupsionit nga gjykatat dhe nga prokuroritë vazhdon të mbetet anemik, madje ka tendencë që haptazi të përzihet politika në punën e sundimit të rendit e të ligjit”, ka vlerësuar Alija.

Në fund ai ka thënë se do të ishte kureshtar të dijë se çka do të paraqiste Qeveria e Kosovës si arritje ose sukses para Grupit, i cili do ta vizitojë Kosovën.  

“Rritjen e pagave dhe të luksit për vetveten, gërryerjen e rezervave shtetërore, sabotimin e hetimit të hajnisë me listat e veteranëve të luftës, rritjen e numrit të rasteve të abuzimit me gruan dhe me vrasjen e saj, faljen e borxheve milionëshe kompanive private, dhënien e miliona eurove kompanisë që ndërton autostrada, rritjen enorme të rasteve me vdekjen e punëtorëve në vendin e punës, sakatimin e cilësisë së arsimit në Universitetin e Prishtinës”, ka deklaruar Alija, duke thënë se krejt në fund mbetet të shihet se cilën nga këto “rezultate” do ta marrë Komisioni i Vizave si progres të shtetit të Kosovës.