Udhëtimi në SHBA, mundësi e mirë për t’i takuar liderët botërorë

Aktuale September 22, 2018 - 16:03
Lexo detajet

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj pritet që së shpejti të udhëtojnë për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), pasi që në fillim të javës që vjen do të mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan "Zëri.info". 

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se në kuadër të këtij udhëtimi ka gjasa që të takohet edhe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump

Nga Zyra e presidentit i kanë thënë gazetës “Zëri” se udhëtimi i presidentit të shtetit për në SHBA paraqet një mundësi mjaft të mirë për t’i takuar krerët e shteteve të ndryshme të botës.

“Presidenti Thaçi do të qëndrojë në SHBA gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Është kjo një mundësi shumë e mirë për të takuar liderët e tërë botës, prandaj Kosova përfaqësohet në nivelin më të lartë shtetëror nga presidenti dhe nga kryeministri”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

Më tej bëhet e ditur se presidenti Thaçi udhëton këtë fundjavë për në SHBA, kurse agjenda e vizitës do të bëhet publike pas nisjes së tij.

“Presidenti Thaçi do të takojë krerë të shteteve dhe të organizatave ndërkombëtare me rëndësi strategjike për Kosovën”, potencohet më tutje. /ZERI