Largimi i mbi 60 serbëve nga FSK-ja, i orkestruar nga Beogradi

Aktuale September 20, 2018 - 08:20
Mësoni më shumë detaje
Image

Plani për largimin e mbi 60 pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë si pjesë e një operacioni psikologjiko-ushtarak, i orkestruar nga elemente të inteligjencës ushtarake nga Beogradi dhe Vranja, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kështu u tha në raportin “Tendencat për rrënimin e multietnicitetit: largimet masive të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe roli i Serbisë”, të publikuar gjatë ditës së djeshme nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Shpat Balaj, bashkautor i raportit hulumtues, përmendi tranzicionin të cilin e ka bërë Forca e Sigurisë së Kosovës me shtimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në kuadër të kësaj force, duke theksuar se largimi i disa prej tyre është një dëm i madh për rrugën e shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

LEXO EDHE: Presidenca: Në takimin e Brukselit diskutohet për Luginën

“Në fillim të vitit 2018 FSK-ja numëronte gjithsej 130 pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët përbënin numrin më të madh të komuniteteve joshumicë brenda FSK-së, që nënkupton mbi 55% të komuniteteve pakicë dhe ky nivel kaq i lartë i përfaqësimit ka dëshmuar vullnetin e FSK-së për të qëndruar mbi parimet mbi të cilat është themeluar. Mirëpo ndërhyrjet në FSK kanë për qëllim rrënimin e multietnicitetit dhe të arriturave të deritanishme të FSK-së”, ka thënë ai.

Më tutje Balaj përmendi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, ku tha se ky transformim duhet të ndodhë me ose pa mbështetjen ndërkombëtare.

“Ne konsiderojmë që ky proces duhet të vazhdojë me ose pa përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, sepse FSK-ja deri tani ka dëshmuar që qëllimi i saj është vetëm sigurimi i stabilitetit dhe sigurisë në vend dhe në rajon. Ne konsiderojmë se me transformimin e saj siguria në rajon veç do të rritej dhe do të ishte më stabile”, ka thënë Balaj.

Edhe Plator Avdiu, hulumtues në QKSS, përmendi sfidat nëpër të cilat është duke kaluar Forca e Sigurisë së Kosovës në tentimin e saj për t’u shndërruar në ushtri dhe shantazhet që u janë bërë pjesëtarëve serbë të kësaj force.

“Në rast se ka bllokime nga ana e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, është plani B, që i mundëson Kosovës të bëjë tranzicionin e FSK-së në ushtri, për shkak se Kushtetuta nuk e ndalon. Kushtetuta vetëm e ka një nen që e thotë se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen përmes dy të tretave, duke marrë parasysh edhe dy të tretat e pakicave, por Kushtetuta nuk e ndalon që Kosova të ketë ushtri, por është ligji aktual që i vendos disa kufizime”, ka thënë Avdiu.

Ndërsa Faruk Geci, zyrtar nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, tha se duhet të ndalohen presionet politike mbi pjesëtarët e FSK-së.

“FSK-ja dhe institucionet e Kosovës i kanë informuar partnerët ndërkombëtarë për këtë presion të vazhdueshëm. Mirëpo duhet kuptuar, vendimi i tyre ka qenë nën arsyetimin që unë për momentin nuk mund të vazhdoj për arsye të rrezikut tim personal, sepse edhe komuniteti brenda në disa raste i ka trajtuar pak më ndryshe edhe në aspektin e lagjes, të fshatit ose të komunës ku jetojnë. Mirëpo tani ideja është të ndalojmë ndikimet politike dhe presionet mbi ta”, ka thënë Geci.

Ndërkaq në raportin e publikuar nga kjo organizatë jepen edhe rekomandimet për institucionet e Kosovës, në mënyrë që të mos ketë rritje të numrit të pjesëtarëve, të cilët braktisin uniformën për shkak të presionit nga Beogradi.

“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë duhet të bëjnë plan për të parandaluar largimin më tutje të pjesëtarëve të FSK-së dhe shtetet e QUINT-it duhet të kushtëzojnë Serbinë në kontekst të integrimit në BE lidhur me veprimtarinë e saj të vazhdueshme në dëm të FSK-së dhe të institucioneve të tjera”, thuhet në raportin e QKSS-së, duke inkurajuar edhe transformimin e Forcës në ushtri nëpërmjet ndryshimeve të ligjit, meqë sipas tyre tani janë humbur shpresat se procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të jetësohet.