Presidenca: Në takimin e Brukselit diskutohet për Luginën

Aktuale September 20, 2018 - 08:06
Lexoni më shumë detaje
Image

Ndonëse ende nuk dihet saktësisht se kur do të zhvillohet takimi i radhës në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi është bërë e ditur se në këtë takim ndër të tjera do të flitet edhe për kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Këtë e ka pohuar Zyra e Presidentit të shtetit, Hashim Thaçi, ku përmes një përgjigjeje dhënë Zërit është thënë se në këtë takim do të bisedohet edhe për modalitetet rreth arritjes së marrëveshjes obliguese ligjore mes dy shteteve.

Se do të diskutohej për Luginën e Preshevës ishte thënë edhe para takimit të fundit, i cili u mbajt në fillim të muajit shtator, porse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

LEXO EDHE: Huqjet e diplomacisë

Ndërkohë, pos opozitës që tashmë po i kundërshton në vazhdimësi idetë e Thaçit rreth dialogut, edhe përfaqësues të Nismës Socialdemokrate nuk po e mbështesin paralajmërimin e presidentit për korrigjim të kufirit, ani pse vetë lideri i këtij subjekti, Fatmir Limaj, është caktuar udhëheqës i ekipit të formuar nga Qeveria për bisedimet me Serbinë.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se është e pamundur të arrihet synimi i Thaçit që ta marrë Luginën e Preshevës pa i dhënë asgjë në këmbim palës serbe.

Kocijançiq: Ende s’ka datë për takim

Edhe pse pas takimit të mbajtur në fillim të shtatorit ishte thënë se takimi i radhës në Bruksel do të organizohej së shpejti, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, i ka thënë gazetës “Zëri” se ende nuk ka ndonjë datë se kur do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel.

“Ende nuk është caktuar ndonjë datë deri më tash”, ka thënë shkurt Kocijançiq, e pyetur se kur do të mbahet takimi i radhës.

Megjithëkëtë, nga Zyra për Komunikim me Publikun e Presidencës kanë bërë të ditur për gazetën se në takimin, që pritet të mbahet së shpejti në kuadër të fazës finale të dialogut, do të diskutohet edhe për kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën.

“Po, sigurisht se do të diskutohet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Pos kësaj, në këtë përgjigje theksohet se në takim do të flitet edhe për modalitetet për arritjen e marrëveshjes obliguese ligjore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të presidentit për korrigjim të kufirit me Serbinë, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, e ka quajtur absurditet deklarimin e kreut të shtetit për marrëveshje paqësore në bazë të korrigjimit të kufijve.

“Përpjekjet e Hashim Thaçit për t’i siguruar miqtë ndërkombëtarë se ndarja e territorit të Kosovës ‘nuk do të ketë efekt domino për stabilitetin e rajonit dhe të Evropës’ nuk janë ‘argumente racionale’, por propagandë serbe e thënë nga presidenti i Kosovës”, ka deklaruar Sherifi në një kundërpërgjigje ndaj një editoriali të Thaçit, të titulluar “Korrigjimi paqësor i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, i cili u publikua para pak ditësh.

Sipas tij, deklarimi i presidentit për korrigjim të kufijve bie në kundërshtim të plotë me realitetin historik.

Beqa: Kushtetuta mund të ndryshohet nëse është në interes të qytetarëve

E deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka vlerësuar se synimi i presidentit për bashkimin e Luginës me Kosovën është i qëlluar.

“Unë konsideroj që ajo pjesë i është ndarë Kosovës padrejtësisht dhe ka mundësi dhe moment politik që ajo pjesë t’i bashkohet Kosovës. Për mua është shumë e mirëseardhur. E di që është vështirë. Por ne duhet t’i përkrahim vendimet që janë në interes të popullit”, ka deklaruar ai.

Madje, sipas Beqës, edhe Kushtetuta mund të ndërrohet po që se vlerësohet se një gjë e tillë po bëhet në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, disa gjëra duhet të ndryshojnë, siç është çështja e referendumit.

“Referendumi duhet të jetë i rregulluar me Kushtetutë”, ka potencuar deputeti i PDK-së.

Opozita nuk e mbështet ekipin negociator

Në anën tjetër, pos që po vazhdon t’i kundërshtojë idetë e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, opozita nuk po e mbështet as ekipin negociator të formuar nga Qeveria e Kosovës.

Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate (PSD), ka thënë se ky subjekt e cilëson atë grup si instrument që mundëson legjitimimin e Thaçit si drejtues të këtij procesi.

“Ne mendojmë se çështja e dialogut është përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Republikës së Kosovës, prandaj ekipi i caktuar nga Qeveria për ne është ndërhyrje e papranueshme në këtë proces, që ka për qëllim ta shpërfillë Kuvendin. Rrjedhimisht, ky grup s’mund të jetë kurrgjë më shumë se patericë e aventurave të zotit Thaçi, që PSD-ja i konsideron të rrezikshme për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

PSD-ja, siç ka bërë të ditur ajo, kërkon dakordimin e të gjitha forcave politike që Kuvendi të jetë bartësi i këtij procesi, pastaj miratimin e një platforme e tek pas kësaj edhe mandatimin e një ekipi negociues.

Ndërkohë, ekipin në fjalë tashmë e kanë kundërshtuar edhe dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja e Lëvizja Vetëvendosje.

Beqaj: Thaçi rrezikon të ardhmen e Kosovës

Kurse teksa ka folur për paralajmërimet e Thaçit rreth dialogut, politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se kreu i shtetit rrezikon të ardhmen e Kosovës me deklarimet dhe me veprimet që mëton t’i bëjë në kuadër të fazës finale të këtij procesi.

“Deklarimi i tij i fundit se vetëm korrigjimi i kufijve mundëson njohjen e Serbisë shpjegon arsyet e një vazhdimësie që e ka marrë si detyrim për arsyet që i di vetë, ndërsa unë mund të supozoj. Pra, ai rrezikon të ardhmen e Kosovës për të mos rrezikuar të ardhmen personale nëse nuk e ndjek rrugën e filluar”, ka deklaruar ai për “Zërin”.  

Ndërkohë ka konsideruar se idetë e Thaçit, të shpërfaqura kohët e fundit lidhur me fazën finale, janë të vështira për t’u realizuar. Jetësimi i këtyre ideve, siç Beqaj është shprehur, mund të prodhojnë lëvizje me pasoja të mëdha.

“Përpjekja për realizimin eventual të tyre do të krijojë turbulenca dhe lëvizje me pasoja të paparashikueshme afatgjate”, ka nënvizuar ai.

Ndërkaq Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka konsideruar se ndryshimi i Kushtetutës, siç ka paralajmëruar presidenti, mund të bëhet lehtazi nëse arrihet një marrëveshje për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

“Çështja kryesore është se a mund të gjendet mundësia e arritjes së marrëveshjes për shkëmbim të territoreve. Nëse kjo arrihet, atëherë mundësia për t’u ndryshuar Kushtetua është e pashmangshme. Këtu është problemi. Nëse arrihet marrëveshja nënkupton gjithnjë ndryshim të Kushtetutës”, ka deklaruar ai.

Por sipas tij, marrja e Luginës së Preshevës, siç po deklaron presidenti, pa i dhënë diçka Serbisë është e pamundur të ndodhë.