Huqjet e diplomacisë

Aktuale September 20, 2018 - 07:55
Mësoni më shumë detaje
Image

Kosova ka mbetur pa ambasadorë në Britani të Madhe, në Suedi, në Beograd ..., përderisa ka nisur fazën finale të dialogut me Serbinë dhe është në prag të pritjes së vendimit të madh për heqjen e vizave me BE-në. Kjo papërgjegjësi institucionale nuk po kalon pa pasoja për vendin, pasi 15 deputetë të Britanisë së Madhe në Parlamentin Evropian votuan kundër liberalizimit të vizave, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Tani kur ka nisur faza finale e dialogut me Serbinë dhe kur pak muaj na ndajnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian (BE) për liberalizim të vizave Kosova nuk ka ambasadorë në disa qendra vendimmarrëse evropiane, si dhe në ato rajonale.

Ambasada e Kosovës në Londër ka disa muaj që ka mbetur pa ambasador, njëjtë siç ka mbetur edhe ajo në Suedi, shkruan më tutje "Zëri".

As zyra ndërlidhëse e vendit në Beograd, me të cilin shtet Kosova po hyn në një fazë shumë të rëndësishme të dialogut, tashmë ka mbetur pa shefin e saj.

Përfaqësues nga opozita dhe nga shoqëria civile kanë thënë për gazetënZërise kjo është papërgjegjësi e Qeverisë dhe e presidentit Thaçi, pasi duke tentuar që në ambasadat e Kosovës të dërgojnë militantë partiakë kanë lënë disa përfaqësi diplomatike pa ambasadorë.

Kjo papërgjegjësi institucionale, sipas tyre, nuk po kalon pa pasoja për vendin, pasi 15 deputetë të Britanisë së Madhe në Parlamentin Evropian votuan kundër liberalizimit të vizave për Kosovën me BE-në.

Vuniqi: Emërimi i ambasadorëve nuk varet vetëm nga MPJ-ja

Rejhane Vuniqi,  zëvendësministre e Punëve të Jashtme, ka thënë për “Zërin” se Ministria ka marrë veprimet e duhura për emërimin e ambasadorëve të rinj, proces ky që nuk varet vetëm nga Ministria, por edhe nga Presidenca, edhe nga Komisioni.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë të gjitha veprimet e duhura ligjore për të gjithë ambasadorët të cilëve u ka përfunduar mandati dhe për këtë e ka njoftuar Qeverinë. Janë disa misione diplomatike, të cilat aktualisht funksionojnë me të ngarkuar me punë. Sa i përket emërimit të ambasadorëve, ju duhet ta dini që kjo procedurë nuk varet nga MPJ-ja dhe që në kuadër të kësaj procedure janë të përfshirë edhe Komisioni për Punë të Jashtme, edhe Presidenca”, ka thënë ajo.

Duke mos bërë publik emrat e ambasadorëve të cilëve u ka skaduar mandati, Vuniqi ka thënë që emërimin final e bën presidenti i Kosovës.

“Emërimin përfundimtar të ambasadorëve sipas Kushtetutës e bën presidenti dhe ky është një proces zinxhiror. Në këtë kuptim, ju siguroj që po ashtu MPJ-ja ka ndërmarrë veprimet e duhura ligjore, andaj tani edhe jemi në pritje të përfundimit të procedurave”, ka thënë ajo.

Ndërsa e pyetur në lidhje me zgjatjen e procesit për emërim të ambasadorëve, Vuniqi ka thënë që kjo nuk varet krejtësisht nga MPJ-ja, por edhe nga mekanizmat tjerë kushtetues dhe ligjorë.

Osmani: Po bëhen pazare politike me ambasadorë

Në anën tjetër kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, për “Zërin” ka thënë që në komisionin të cilin ajo udhëheq nuk kanë ardhur ende emrat e ambasadorëve, të cilëve u ka përfunduar mandati.

Sipas saj, vonesat ndaj këtij procesi janë për shkak të pazareve politike brenda koalicionit PAN.

“Pavarësisht faktit që kemi kërkuar nga MPJ-ja këto informata (duke përfshire planin e rotacionit), ato ende nuk i janë dërguar Komisionit tonë”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, shkak për mosemërimin e tyre janë pazaret që po bëhen në koalicionin PAN.

“Fatkeqësisht, për shkak të politizimit të skajshëm të shërbimit të jashtëm gjithçka është shndërruar në pazare në mes të partnerëve të koalicionit dhe si duket kjo është ndër arsyet kryesore të vonesave. Deri më tani në vend se të emërojë ambasadorë të karrierës MPJ-ja po vazhdon të sjellë emra politikë për t’u intervistuar në Komision, duke shkelur kështu kërkesat ligjore që së paku 50% të jenë diplomatë karriere”, ka thënë ajo.

Osmani ka bërë të ditur që emrat të cilët tashmë janë dërguar në Komision janë emra politikë, për këtë arsye edhe opozita nuk i ka marrë si të mirëqena.

“Deri më tani MPJ-ja ka sjellë vetëm emra politikë në Komision, prandaj edhe opozita ka refuzuar të bëhet pjesë e shkeljeve ligjore. Pavarësisht kësaj, deputetët e pushtetit kanë intervistuar ambasadorët politikë dhe i kanë përcjellë tutje emrat në Presidencë. Momentalisht është vetëm një propozim që nuk është intervistuar akoma dhe edhe ai është emërim politik. Mirëpo ende mbesin disa shtete për të cilat nuk është dërguar asnjë propozim dhe vendet mbesin vakante”, ka thënë tutje Osmani.

Ndërsa lidhur me Nenin 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, i cili kërkon që së paku 50% të emëruarve si shefa misionesh të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politikë, Osmani ka thënë që ky nen është duke u shkelur vazhdimisht. 

“Neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe për Shërbimin Diplomatik vazhdon të shkelet dhe emërimet politike tani janë mbi 2/3, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të ministrit të Jashtëm se do ta respektojë kuotën 50/50. Prandaj ne si opozitë po vazhdojmë të refuzojmë intervistimin e të emëruarve politikë sepse nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e kësaj shkeljeje ligjore që po e dëmton jashtëzakonisht shumë diplomacinë kosovare”, ka potencuar ajo.

Krasniqi: Kosova pa ambasadorë në Britani, në Suedi, në Shqipëri, ...

Ndërsa Albert Krasniqi, hulumtues nga KDI-ja, ka thënë për “Zërin” që Kosova nuk ka ambasador në Britani të Madhe, në Suedi, në Shqipëri dhe shef të zyrës ndërlidhëse në Beograd.

Sipas tij, mosemërimi i ambasadorëve në këto shtete e dëmton integrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Deri më tani në të paktën katër shtete nuk kemi përfaqësim me ambasadorë, siç janë Britania e Madhe, Suedia, Shqipëria dhe shef të zyrës ndërlidhëse në Beograd. Mungesa e përfaqësimit në këto shtete në nivele të larta dëmton shumë procese, siç është ai i liberalizimit të vizave. Ta zëmë një numër i konsiderueshëm i deputetëve të Parlamentit Evropian nga Britania e Madhe votuan kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me një diplomaci më ofensive mbase kjo edhe do të mundë të evitohej”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, mosmandatimi i ambasadorëve në këto shtete zbeh mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si INTERPOL-i, UNESCO-ja ose në Këshillin e Evropës.

Tutje, Krasniqi vlerëson që emërimi i ambasadorëve në Kosovë po bëhet në mënyrë të jashtëligjshme dhe jo për nevoja të shtetit të Kosovës.

“Kohëve të fundit kemi parë që emërimet e ambasadorëve të rinj po vijnë nga strukturat e partive politike, të cilët po emërohen jashtëligjshëm. Pozitat diplomatike po u përshtaten kërkesave individuale dhe jo nevojave të Kosovës”, ka thënë ai.