Aktuale

Krasniqi: LDK që katër muaj i bllokoi 50 milionë euro, tash thërret seancë për to

Krasniqi: LDK që katër muaj i bllokoi 50 milionë euro, tash thërret seancë për to
19 shtator 2018 • 16 : 29

Lexo tjera detaje

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po manipulon me qytetarët dhe përveç tjerash po tenton të bllokojë marrëveshje që sigurojnë investime milionëshe në Kosovë nga Bashkimi Evropian.

Pas mbledhjes së kryesisë, ku u thirr seanca e jashtëzakonshme për të miratuar disa marrëveshje me BE-në, Krasniqi tha se LDK tek tash e paska kuptuar dëmin që ka bërë me bllokimin e këtyre marrëveshjeve.

“Grupi Parlamentar i LDK-së kishte zbuluar këto dy ditët e fundit që ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të Kosovës me Bashkimin Europian duhet të ndodhë sa më parë, ndërsa në tre-katër muajt e fundit e ka bojkotuar votimin e këtyre marrëveshjeve, herën e fundit – në seancën e javës së kaluar”, ka thënë Krasniqi.

Ai tutje Tha se LDK-ja ka pamundësuar marrjen e fondeve prej 50 milionë eurove nga marrëveshja IPA.

“E njëjta parti e cila ia ka pamundësuar Kosovës deri më sot marrjen e fondeve prej 50 milionë eurosh nga Marrëveshja IPA 2017, pjesa e parë, që ka pamundësuar pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit Europian “Europa për Qytetarët”, që ua ka pamundësuar tash e disa muaj studentëve të Kosovës pjesëmarrjen në Programin “Erasmus +”, përkundër ftesave dhe kërkesave të vazhdueshme që së paku marrëveshjet ndërkombëtare me të cilat përfitojnë qytetarët e Kosovës t’i votojnë, sot LDK e paska kuptuar – shpresoj – që kanë bërë gabim të jashtëzakonshëm, që u kanë bërë dëm qytetarëve të Kosovës, e paskan menduar se është diçka urgjente”, ka thënë ai.

“Kjo çështje ka qenë urgjente qysh prej ditës së parë kur ka ardhur në Kuvend të Kosovës, në muajin maj ose qershor. Ka qenë pikërisht LDK, e cila me bojkotin e vet e ka pamundësuar miratimin, meqë duhen 2/3”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se shpreson se ky ndryshim i qasjes do t’i ndjekë LDK-në edhe për temat tjera të rëndësishme, siç janë ligjet të cilat ndërlidhen me fusha jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën, por edhe sa i përket Dialogut me Serbinë”, ka shtuar tutje Krasniqi

Krasniqi tha se deputetët, lojalitetin e parë duhet ta kenë para qytetarëve të Kosovës.

“Ne duhet ta kemi më së pari bindjen e plotë që u shërbejmë atyre që na kanë zgjedhur të vijmë në Kuvendin e Kosovës, duhet të mendojmë për ta më shumë sesa t’i ndërrojmë qëndrimet kur të na vijnë dy-tre miq nga Brukseli, të cilët ne i respektojmë dhe i çmojmë shumë”, ka thënë ai.

© zëri.info