Manovrat e rrezikshme politike të Thaçit

Aktuale September 19, 2018 - 07:50
Lexoni më shumë detaje
Image

Presidenti Hashim Thaçi po paralajmëron referendum dhe ndryshime kushtetuese në rast të arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë. Por, analistët politikë vlerësojnë se kreu i shtetit po synon që ta parapërgatitë opinionin për një marrëveshje të dhimbshme me Serbinë, përkatësisht një kompromis më të gjerë, shkruan sot Gazeta "Zëri.info". 

Pas idesë për korrigjim të kufirit me Serbinë dhe se marrëveshjen finale do ta vendosë në referendum, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka paralajmëruar edhe ndryshimin e Kushtetutës.

Një gjë e tillë, sipas tij, do të bëhet në rast të arritjes së marrëveshjes finale në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi. Monitoruesit e procesit të dialogut vlerësojnë se një ide e tillë e kreut të shtetit ka qenë e pritshme, pasi që pretendimi i tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën nuk mund të jetësohet me Kushtetutën aktuale.

Pos kësaj, ata shprehin frikën se ndryshimi i aktit më të lartë juridik do të mëtohet të bëhet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS), në mënyrë që AKS-ja të finalizohet me kompetenca ekzekutive.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se ndërrimi i Kushtetutës është i pamundur të ndodhë në rrethanat aktuale. Deklaratat e Thaçit, sipas tyre, janë krejtësisht skandaloze dhe të pamatura.

Thaçi: Do të ndryshohet dokumenti i Ahtisaarit

Teksa paralajmëroi ndryshimin e Kushtetutës, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme tha se do të ndryshohet edhe dokumenti i Ahtisaarit.

“Ne duhet ta kuptojmë se në rast të arritjes së marrëveshjes Kosovë - Serbi, me njohje reciproke, do të ndryshohet edhe Kushtetuta e Kosovës, do të plotësohet dhe do të ndryshohet edhe dokumenti i presidentit Ahtisaari dhe do të kemi një dokument të përputhshëm me realitetin e ri që do të krijohet”, ka deklaruar gjatë së martës Thaçi.

Kreu i shtetit pos kësaj ka bërë të ditur edhe një herë se në kuadër të fazës finale të dialogut synohet të bëhet korrigjimi i kufirit. Por një gjë të tillë e ka kundërshtuar kategorikisht kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Jam thellë i bindur që lëvizja ose synimi i një marrëveshjeje me Serbinë përmes ndryshimit të kufijve është kthim mbrapa, drejt destabilizimit dhe tragjedive”, ka vënë në pah Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti ka thënë se ruajtja e integritetit territorial të Kosovës duhet të jetë obligim i secilit.

Sipas tij, pazaret e dy presidentëve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë, nuk do t’i paguajnë qytetarët e Kosovës.

“Pasi që na e rrudhën lirinë dhe demokracinë, institucionet dhe mirëqenien, duan të na e rrudhin edhe territorin dhe pavarësinë, duan ta ndajnë Kosovën e ta copëtojnë edhe Kosovën Lindore. Pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne, sepse një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, ka thënë ai gjatë një konference.

Haliti: Statusi i Kosovës nuk varet vetëm nga dëshirat tona

Teksa ka folur rreth paralajmërimit të presidentit për ndryshim të Kushtetutës, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Mendoj që asnjë ndryshim nuk mund të ndodhë pa një pajtueshmëri ose pa një qëndrim të këtyre faktorëve, që janë vendimtarë për jetësimin e pavarësisë, për njohjet e mëtutjeshme. Prandaj jam me dy mendje: e para, nuk dyshoj që presidenti është i interesuar për ta zgjidhur sa më mirë çështjen e marrëveshjes me Serbinë, por jam i mendimit që marrëveshja për kufijtë e Kosovës nuk është e hapur për bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Andaj, sipas Halitit, statusi i Kosovës nuk varet vetëm nga dëshirat e politikanëve kosovarë.

“Pavarësinë e Kosovës e kemi si pasojë e angazhimeve tona pjesërisht, por realisht e kemi si pjesë e angazhimit të madh të bashkësisë ndërkombëtare”, ka potencuar nënkryetari i Kuvendit.

Sejdiu: Atë që s’ka mundur ta bëjë Serbia po e bën Thaçi

Kurse anëtari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Korab Sejdiu, ka konsideruar se presidenti Thaçi po vazhdon me deklarimet e tij skandaloze. Por, sipas tij, Thaçi nuk e ka përkrahjen në Kuvend. Andaj synimi i tij për ta ndryshuar Kushtetutën, sipas deputetit të pavarur, mbetet i paarritshëm.

“Kushtetuta nuk mund të ndryshohet, ndër të tjera pa mbështetjen e 2/3-tave të deputetëve të Kuvendit. Si mendon që ta arrijë këtë qëllim, që për presidentin Thaçi është tërësisht i paarritshëm, unë nuk e di dhe vetëm ai mund të përgjigjet. Mirëpo një gjë është e qartë, se në këtë legjislaturë dhe me këta deputetë që janë sot në këtë Kuvend presidenti vetëm mund të ëndërrojë lidhur me sigurimin e një mbështetjeje të tillë”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Pavarësisht kësaj, ai ka bërë të ditur se opozita qëndron e bashkuar për ta parandaluar çdo dëmtim që mund t’i bëhet shtetit nga “aventurat” e presidentit.

“Fatkeqësisht atë që nuk ka mundur ta bëjë Serbia qe një dekadë pas pavarësisë presidenti Thaçi po e bën për disa javë ose muaj. Pra, për pak kohë ka kthyer tërë botën kundër shtetësisë së Kosovës, duke përfshirë edhe disa nga aleatët tanë më lojalë”, ka theksuar ai.  

Kuçi: Ndërrimi i Kushtetutës s’bëhet me iniciativa private

Natyra Kuçi, zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate (PSD), ka thënë se paralajmërimi i kreut të shtetit për ndryshim të Kushtetutës është vazhdimësi e veprimeve të Thaçit për legjitimimin e projektit të tij personal.

“Siç bëri me propozimin për referendum, tash e përhap edhe idenë e ndërrimit të Kushtetutës. Partia Socialdemokrate synon ndërrimin e Kushtetutës së tanishme të ndërtuar mbi Pakon e Ahtisaarit, e cila po e vështirëson funksionalitetin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ajo.

Sipas Kuçit, Kosovës i duhet një Kushtetutë e re që e ridefinon shtetin si një republikë qytetare, zhvillimore dhe sociale. Porse për ta bërë një gjë të tillë, sipas saj, duhet të ketë debat gjithëpërfshirës.

“Ky proces është serioz dhe kërkon debat e gjithëpërfshirje shoqërore e nuk bëhet me iniciativa private nga lart, por me bashkërendim ndërinstitucional e doemos me përfshirjen e qytetarëve nga poshtë para mbajtjes së referendumit”, është shprehur ajo.   

Cakolli: Presidenti po e përgatit opinionin për një marrëveshje të dhimbshme

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, ka thënë se ka qenë e pritshme të kërkohet ndryshimi i  Kushtetues nga presidenti, pas përmendjes së vazhdueshme të idesë për bashkim të Luginës me Kosovën.

Sipas Cakollit, kreu i shtetit po synon që ta parapërgatitë opinionin e gjerë për një marrëveshje të dhimbshme me Serbinë për një kompromis më të gjerë.

Deklaratat e Thaçit, siç Cakolli është shprehur, janë në frymën e idesë së tij për korrigjim të kufijve. Por sipas tij, synimet e kreut të shtetit shkojnë më larg se kaq.

“Në fakt, ideja për ngritjen e kësaj çështjeje në nivel për ndryshimin e Kushtetutës është treguesi më i qartë se bëhet fjalë për diçka më tepër, duke qenë se për ta ndryshuar Kushtetutën, ta zëmë për bashkimin e Luginës, nevojitet shumica e dyfishtë, që i bie se pa votat e Listës Serbe aktualisht nuk mund të bëhet ndryshimi i Kushtetutës në këtë drejtim”, ka nënvizuar ai.  

Andaj, sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës do të bëjë një formë të kompromisit të bashkimit të Luginës me Kosovën në njërën anë dhe në anën tjetër rritjen e kompetencave të Asociacionit.   

Batalli: Ndryshimi i Kushtetutës, vështirë i arritshëm

Lekë Batalli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka vlerësuar se paralajmërimi i presidentit rreth ndryshimit të Kushtetutës është i pritshëm, duke qenë se përputhet me propozimin e tij për ndryshimin e kufijve si pjesë e fazës finale të dialogut me Serbinë.

“Kushtetuta në nenet ku përkufizon shtetin dhe sovranitetin e Kosovës parasheh pacenueshmërinë e territorit të Kosovës dhe se Kosova nuk mund të ketë pretendime territoriale ndaj shteteve të tjera”, ka deklaruar ai.

Prandaj, realizimi i idesë së kreut të shtetit për ndryshim të Kushtetutës, sipas Thaçit, nuk është aspak i lehtë që të ndodhë.

“Sipas Kushtetutës, presidenti mund të propozojë ndryshime, mirëpo çfarëdolloj ndryshimi i Kushtetutës duhet të miratohet nga 2/3-at e deputetëve, duke përfshirë 2/3-at e deputetëve që mbajnë vende të rezervuara. Pasi që për momentin partitë politike nuk janë të një mendimi rreth ndryshimit të kufijve vështirë se do të miratohej ndryshimi në Parlament”, ka potencuar Batalli.