Italia vazhdon ta mbështes transformimin e FSK-së në ushtri

Aktuale September 18, 2018 - 13:40
Lexo detajet

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Ministren e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Elisabetta Trenta, me të cilën ka diskutuar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për procesin e transformimit të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, raporton “Zëri.info”.

Zyra e presidentit përmes një njoftimi për media ka treguar për detajet e këtij takimi në mes të dy personaliteteve.

Me Ministren e Mbrojtjes së Italisë, presidenti Thaçi ka biseduar për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për forcimin e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe për procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

LEXO EDHE: Presidenti Thaçi paralajmëron ndryshimin e Kushtetutës (VIDEO)

"Ju falënderoj për përkrahjen e vazhdueshme, që Italia i ka dhënë dhe po vazhdon t'i japë Kosovës. Me mbështetjen tuaj dhe të vendeve të tjera të NATO-s, Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë një forcë shumetnike, profesionale dhe me standarde të NATO-s", ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Italisë, Elisabetta Trenta, është zotuar se Italia do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarët e saj me trajnime në fushën e logjistikes.

Presidenti Thaçi dhe ministrja italiane, Elisabetta Trenta, kanë biseduar edhe për përkrahjen që do ta marrë Forca e Sigurisë së Kosovës përmes Memorandumit të Bashkëpunimit, që sot është nënshkruar nga të dyja shtete, njofton presidenca, transmeton  “Zëri.info”. /ZERI