Qorrolli: Vendimi për vizat, para 20 dhjetorit

Aktuale September 17, 2018 - 08:19
Intervistë me profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli
Image

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, ka thënë se vendimi i Këshillit të Ministrave i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave pritet të merret para datës 20 dhjetor të këtij viti.

Qorrolli në një intervistë për gazetën Zëri ka thënë se sipas dinamikës së vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së dhe të procedurave të mbetura udhëtimi i lirë i kosovarëve në drejtim të Shengenit do të bëhet në çerekun e parë të vitit 2019, respektivisht jo më herët se muaji janar dhe jo më vonë se muaji qershor i vitit të ardhshëm.

LEXO EDHE: Sot Grupi Punues për Vizat diskuton për Kosovën

Ndërsa duke komentuar iniciativën e Qeverisë së Kosovës përmes ndryshimit të ligjeve pa e ndryshuar Kushtetutën, Qorrolli ka thënë se kjo është një strategji në tentativë, e cila synon t’i bindë partnerët ndërkombëtarë se Kosova është gati ta kalojë fazën përmbyllëse të shtetndërtimit të saj.

Megjithatë sipas Qorrollit, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes ligjit nuk mund të bëhet, sepse sipas Kushtetutës së Kosovës, rregullimi me ligj mund të bëhet vetëm sa i përket rregullimit të brendshëm, por jo edhe mandati i FSK-së.

Në këtë intervistë Qorrolli ka folur edhe për idenë e “korrigjimit” të kufijve” dhe për rreziqet që mund të dalin nga dështimi i dialogut të Brukselit.

Zëri:  Profesor, Parlamenti Evropian të premten votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Cilat janë procedurat e mëtutjeshme deri në lëvizjen e lirë të qytetarëve?

Qorrolli: Parlamenti Evropian me votimin e tij pro të enjten që shkoi e përfundoi edhe një prej procedurave të mundimshme të institucioneve të BE-së dhe kështu ia konfirmoi mandatin për negociata Këshillit të Ministrave rreth propozimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proces që u bë në muajin korrik nga ana e Komisionit Evropian. Hapat e ardhshëm nënkuptojnë pajtimin e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së si pjesë të Këshillit, ku votimi duhet të jetë pozitiv nga të paktën 55 për qind e Bllokut 28-anëtarësh të BE-së, të cilët përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së.  Vetëm atëherë kosovarët do të jenë në gjendje të hyjnë në BE pa vizë për një periudhë 90-ditëshe në çdo periudhë 180-ditore, me kusht që të mbajnë një pasaportë biometrike dhe kjo mund të bëhet vetëm për biznes, turizëm ose për qëllime familjare.

Heqja e vizave për kosovarët do të zbatohej në të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, përderisa udhëtimi mund të kryhet edhe në katër shtete të tjera të Shengenit, që nuk janë anëtare të BE-së (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra).

Zëri: Kur mund të pritet vendimi nga Këshilli i Ministrave dhe sa mund të marrë kohë nga vendimi final deri te hyrja në fuqi?

Qorrolli: Këshilli është institucioni kryesor vendimmarrës i BE-së. Në procedurën e ashtuquajtur të bashkëvendimmarrjes me Parlamentin dhe me Komisionin rreth liberalizimit të vizave për kosovarët, Këshilli pritet të votojë mbi propozimin e Komisionit para shkuarjes në pushim, respektivisht para datës 20 dhjetor të këtij viti. Sipas të gjitha parashikimeve, votimi për Kosovën do të bëhet pikërisht në muajin dhjetor të këtij viti dhe shanset për t’u bërë më herët janë pothuajse minimale. Procedura dhe votimi në Këshill bëhen sipas shumicës së kualifikuar, 55% të shteteve anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së vendeve të BE-së. Nëse votimi është pozitiv, atëherë Këshilli e propozon nxjerrjen e rregullores për liberalizimin e vizave për kosovarët për një periudhë prej 90 ditëve brenda periudhës 180-ditore. Pas kësaj Këshilli dhe Parlamenti Evropian duhet ta nënshkruajnë rregulloren e re, e cila formalisht e amendamenton Rregulloren 539/2001 të Këshillit. Rregullorja pastaj duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyn në fuqi sipas rregullit 20 ditë pas nxjerrjes së saj.

Liberalizimi do të ndodhë ndërmjet janarit dhe qershorit

Zëri: Kur prisni që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm?

Qorrolli: Sipas kësaj dinamike dhe procedurave të mbetura, udhëtimi i lirë i kosovarëve në drejtim të Shengenit do të bëhet në çerekun e parë të vitit 2019, respektivisht jo më herët se muaji janar dhe jo më vonë se muaji qershor i vitit të ardhshëm. Ky është një parashikim i bazuar tërësisht në procedurat e institucioneve të BE-së dhe e praktikave të ndjekura nga Këshilli me shtetet e tjera të liberalizuara. Çdo optimizëm tjetër që vizat do të hiqen më shpejt paraqet një utopi.

Zëri: Çfarë duhet të bëjë Kosova gjatë kësaj kohe, a mendoni se është duke u lobuar mjaftueshëm te shtetet anëtare?

Qorrolli: Duke qenë se vendimmarrja në BE tani është në duar të shteteve anëtare, atëherë natyrshëm pritet që të ketë edhe pozicione pro dhe kundër udhëtimit pa viza për kosovarët. Fatkeqësisht një numër shtetesh, të cilat edhe e njohin Republikën e Kosovës, si Franca ose Holanda, kanë paraqitur mosbesimin e tyre për këtë gjë. Dhe kjo u vërtetua me rastin e votimit në Parlamentin Evropian, kur eurodeputetë nga këto shtete votuan kundër këtij liberalizimi. Pra, përveç shteteve mosnjohëse të Kosovës, si Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja, tani kemi edhe shtete njohëse të cilat janë rreshtuar në mënyrë kritike kundër Kosovës. Pres që të ketë edhe ndonjë skeptik tjetër që mund ta lidhë procesin e liberalizimit të vizave me fatin e pasigurt të dialogut politik midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me problemet e brendshme të Kosovës në fushën e drejtësisë. Pra, përgjithësisht të paraqesin dilema për atë që njihet si sundim i së drejtës, ku dihet botërisht se Kosova çalon jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim dhe ka ndërhyrje të pushteteve të tjera në sistemin gjyqësor dhe në atë prokurorial.

Franca, Holanda e Gjermania kanë ngritur dilemat për liberalizimin e vizave

Zëri: Cilat shtete mund të paraqesin pengesë për Kosovën?

Qorrolli: Shtetet si Franca, Holanda, deri diku edhe Gjermania, tashmë kanë ngritur dilemat e tyre dhe ia kanë thënë politikanëve tanë në Prishtinë, por edhe diplomatëve të Kosovës në ambasadat tona gjegjëse, në Paris, në Berlin dhe në Bruksel. Edhe shtetet mosnjohëse të Kosovës, të prirë nga Spanja, janë kundër liberalizimit. Kjo bëhet për dy arsye. E para ka të bëjë me frikën e një vale të re emigrantësh që do të shkonin nga Kosova dhe rrjedhimisht do të bëheshin barrë për shtetin pritës dhe e dyta për shkak të dështimit sistematik të qeverive të Kosovës për ta fuqizuar sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe shkallën e lartë të korrupsionit në vend.

Zëri: Një çështje tjetër aktuale është transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Qeveria ka miratuar Pakon e projektligjeve për transformimin e misionit të FSK-së. Si e vlerësoni këtë vendim?

Qorrolli: Është një strategji në tentativë, e cila synon t’i bindë partnerët ndërkombëtarë se Kosova është gati ta kalojë fazën përmbyllëse të shtetndërtimit të saj, për çka unë nuk jam shumë i sigurt. Fazën e shtetndërtimit Kosova bashkë me tranzicionin e saj politik dhe shoqëror nuk do ta kalojë përderisa ajo vazhdon të udhëhiqet nga politikanë me shumë afera dhe me aktakuza të ngritura për keqpërdorime, korrupsion dhe afera të tjera, si ajo e veteranëve të UÇK-së.

Vendimi, siç u provua, nuk u koordinua me miqtë ndërkombëtarë, në radhë të parë me NATO-n dhe si i tillë pa ndryshime kushtetuese transformimi i FSK-së në FAK do të jetë një sprovë e viteve në vijim, meqë Kosova me Kushtetutë nuk është vetëm shtet i shqiptarëve, por edhe i minoriteteve të tjera, si serbët, romët, boshnjakët etj. Kjo do të thotë që pa pëlqimin e minoriteteve Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet.

S’ka ushtri pa ndryshim të Kushtetutës

Zëri: A mund të bëhet ushtria pa ndryshim të Kushtetutës?

Qorrolli: Transformimi i FSK-së përmes ligjit nuk mund të bëhet, sepse sipas Kushtetutës së Kosovës rregullimi me ligj mund të bëhet vetëm sa i përket rregullimit të brendshëm, por jo edhe mandati i FSK-së. Mandati i çdo ushtrie përcaktohet me Kushtetutë dhe jo me ligj. Kjo është e qartë sepse çështjet e ushtrisë përcaktojnë në radhë të parë se çka është objekt mbrojtjeje për një shtet dhe e dyta se si mbrohet rendi dhe sovraniteti i një shteti. Nuk mund të caktosh definimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial përmes ligjit. Kjo duhet të bëhet me Kushtetutë dhe kësisoj nëpërmjet një konsensusi politik duhet të arrihet te pajtueshmëria që mandati i ushtrisë të shndërrohet në normë kushtetuese.

Zëri: Ambasada e SHBA-së ka thënë se vendimi i Qeverisë për formim të ushtrisë përmes ligjeve nuk është marrë në koordinim me këtë Ambasadë. A mendoni se e përkrahin SHBA-ja dhe partnerët ndërkombëtarë formimin e ushtrisë përmes ndryshimit të ligjeve, pra pa e ndryshuar Kushtetutën?

Qorrolli: NATO-JA disa herë, por edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e kanë bërë të qartë që ushtria e Kosovës duhet të bëhet me konsensus dhe me ndryshime kushtetuese, të cilat kërkojnë edhe pajtimin e minoriteteve në Kuvend. Në mungesë të kësaj të fundit siç duket Qeveria po ngutet ta shndërrojë në farsë transformimin ushtarak, duke tentuar pastaj ta përdorë si argument politik në fushatat e ardhshme elektorale, si veprim madhor. NATO-ja nuk mund të pranojë në gjirin e saj shtete të cilat ushtrinë e tyre e kanë të themeluar pa konsensus gjithënacional dhe pa figuruar normativisht në kushtetutë mandati i saj.

Zëri: Presidenti Hashim Thaçi tash e një kohë është duke kërkuar “korrigjim të kufijve”, që sipas tij nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Si e vlerësoni këtë ide, a është e mundshme një gjë e tillë?

Qorrolli: Në radhë të parë duhet thënë se kufijtë janë elementi kyç i ushtrimit të fuqisë dhe i sovranitetit të shteteve. Më e rëndësishmja është që proceset e tilla për arritjen përfundimtare të paqes si ky në mes të Kosovës dhe Serbisë zakonisht sjellin konflikte kushtetuese se kush duhet t’i udhëheqë negociatat me palën tjetër, cili është mandati dhe cili është limiti kushtetues i kryenegociatorit. Meqë te ne këtë rol e ka marrë Thaçi si president i Kosovës, atëherë trajektorja e zhvillimeve edhe mund të ketë implikime kushtetuese.

Derisa tash flitet për rregullim kufijsh, askush në Kosovë përveç presidentit Thaçi duket se nuk i di parimet mbi të cilat po zhvillohet ky “ndryshim kufijsh”. Mbase nuk i ka të njohura as ai vetë. Thaçi duhet t’i sqarojë parimet e këtyre negociatave, cilat janë kriteret mbi të cilat ai mbështetet, nëse vlen ai etnik, demografik, ekonomik ose historik. Çka do të fitojë Kosova dhe çka do të humbë ajo? Çka është më kryesorja, cili kriter i të drejtës ndërkombëtare do të ndiqet?

Marrëveshja finale e arritur prej tij dhe homologut te tij, siç dihet me Kushtetutë të Kosovës, duhet të ratifikohet në Kuvend. Prandaj ratifikimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për territor dhe paqe, sipas kërkesave të Nenit 18, paragrafi 1 i Kushtetutës duhet të marrë bekimin e 2/3 të deputetëve.

Por e gjithë kjo histori e bisedimeve për kufij dhe për territore bart disa rreziqe meqë duhen sqaruar disa gjëra: Së pari, paqja e konsoliduar e një tërësie territoriale siç është Republika e Kosovës në kufijtë aktualë (me Deklaratën e Pavarësisë, 17.02.2008) dhe të njohur ndërkombëtarisht do të rrezikohej. Së dyti, Kosova dhe Serbia nuk i kanë të definuar kufijtë ekzistues, meqë palët nuk e njohin njëra-tjetrën në raportet e tyre bilaterale. Së treti, Kosova dhe Serbia nuk kanë mosmarrëveshje rreth kufijve në mënyrë që të flasin për korrektim të tyre. Duhet të ekzistojë një kontest kufitar në mënyrë që ai të korrigjohet dhe/ose të ndryshohet. Por nëse në instancë të fundit kjo ide duhet ta përmbyllë konfliktin njëshekullor shqiptaro-serb dhe t’i normalizojë përfundimisht marrëdhëniet mes dy popujve, atëherë duhet që një arbitrazh ndërkombëtar ad-hoc për ndryshim kufijsh të ndodhë. Dhe kjo vetëm pasi dy parlamentet nacionale, ajo në Prishtinë dhe ajo në Beograd, me 2/3 do ta votonin dhënien e pëlqimit për të hyrë në një marrëveshje të tillë.  Konsideratat ligjore nga ana e shumicës së studimeve ekzistuese i konceptojnë ndryshimet territoriale vetëm pasi dy shtetet palë të bien dakord për një gjykim, qoftë përmes GJND-së ose një paneli të arbitrazhit ad hoc, duke e zgjidhur çështjen e rregullimit të kufijve në pajtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare.

Pasi që Kosova nuk është as pjesë e OKB-së dhe as palë e Statutit të GJND-së, atëherë zgjidhja më e pranueshme është një arbitrazh ad-hoc, që do të udhëhiqej nga juristë eminentë botërorë e i cili arbitrazh do t’i sqaronte detajisht përfitimet e të dyja palëve dhe gjithashtu humbjet territoriale të të dyja palëve.

Para se të ndodhë kjo opinioni duhet ta dijë se çka fiton dhe çka humb Kosova. Nëse duhet ta japim Zubin Potokun dhe Zveqanin ta zëmë për Preshevën dhe për Bujanocin të bëhen matjet se sa është hapësira e këtyre qyteteve, sa është numri i popullsisë dhe shkëmbimi të ndodhë vetëm pasi ky arbitrazh të japë verdiktin e vet në pajtim me standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare në çështjet e rregullimit të kufijve.

Një “Dejton 2” do ta rrezikonte pavarësinë e Kosovës

Zëri: Kjo kërkesë e Thaçit a mund t’i hapë rrugë Serbisë që ta kërkojë pjesën veriore të Kosovës, pra a i hap rrugë shkëmbimit të territoreve?

Qorrolli: Duhet të dihet se marrëveshja përfundimtare ose siç njihet ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, cilin kriter do ta marrë parasysh, kriterin etnik ose kriterin demografik, sa kilometra katrorë për shkëmbim ose sa popullsi për një gjë të tillë? Nëse ndryshojnë kufijtë dhe kjo bëhet në bazë të dimensionit etnik, atëherë karakteri kushtetues i Kosovës duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë me automatizëm, bie Pakoja e Ahtisaarit dhe Kosova mund bëhet shtet i shqiptarëve dhe e kombësive tjera, pak a shumë siç ka qenë me Kushtetutën e Kaçanikut, por me standard të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. Me fjalë të tjera, karakteri etnik i përcaktimit të kufijve do ta zhbënte Pakon e Ahtisaarit mbi bazën e të cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008-n.

Kosova dhe Serbia me shumë gjasë do të dështojnë në Bruksel me këto negociata për ndryshime territoresh dhe kjo do të çojë drejt një organizimi të një konference ndërkombëtare, e ngjashme pak a shumë me Konferencën e Dejtonit të vitit 1995, ku do të angazhohen të gjitha palët e interesit, si SHBA-ja, Rusia, BE-ja dhe faktorët e tjerë të botës. Kjo konferencë dhe çdo prekje e sovranitetit aktual përfundimisht do ta rrezikonte Republikën e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Prekja e kufijve gjithashtu do ta cenonte edhe opinionin këshillëdhënës të GJND-së të vitit 2010 mbi të cilin opinion organizmi më i lartë i jurisprudencës botërore kishte thënë se pavarësia e Kosovës nuk e cenon dhe është në pajtueshmëri me të Drejtën Ndërkombëtare.

Zëri: Qeveria ka emëruar ekipin negociator, të cilin pritet ta kryesojë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Si e vlerësoni këtë vendim? Cili prisni se do të jetë roli i presidentit më tutje në procesin e dialogut?

Qorrolli: Asnjëherë më parë ekipet negociatore nuk kishin kaluar përmes Kuvendit të Kosovës për t’u votuar. Kjo u bë për shkak të ndasive të thella mes koalicionit qeverisës dhe opozitës, në momentin kur kjo e fundit i nisi procedurat për hartimin e një rezolute parlamentare për obligimin e Thaçit për t’i raportuar Kuvendit dhe për ta ndaluar atë së negocuari për territorin e Kosovës në Bruksel.

Një lloj praktike e pashembullt e inercisë personale e politike, e cila mbeti në tentativë dhe nuk u votua. Bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit asnjëherë në themel të tyre nuk u bënë për çështje teknike dhe përfshirja e Limajt në këto bisedime është një betejë e radhës së politikanëve kosovarë për protagonizëm. Si e tillë, ajo do të shterohet dhe bisedimet duhet të marrin karakter shtetëror dhe jo karakter bajraktarësh fisnorë se kush po shkon i pari në Bruksel. Është iluzor dhe i padobishëm fati i njerëzve që protagonizmin e kanë si qëllim politik.

Zëri: A prisni se do të arrihet konsensusi politik për fazën finale të dialogut me Serbinë?

Qorrolli: E vështirë për t’u arritur, por jo edhe e pamundur. Për gjëra të tilla si territori, aleanca dhe paqja, Kushtetuta e Kosovës e kërkon që në Kuvend të votohet me 2/3-n. Kjo me automatizëm nënkupton se duhet arritur konsensusi, pasi që asnjëra palë politike nuk i ka 2/3 në Kuvend. Pra, konsensusi me një mënyrë është edhe kërkesë kushtetuese.