Sot Grupi Punues për Vizat diskuton për Kosovën

Aktuale September 17, 2018 - 08:03
Lexoni më shumë detaje

Image

 

Pas votimit pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian, sot pritet që kjo çështje të diskutohet në kuadër të Grupit Punues për Vizat, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Sot në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian pritet të takohet Grupi Punues për Viza (COWEB), ku do të diskutohet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, duke bërë që procesi i heqjes së regjimit të vizave për kosovarët të shkojë drejt përfundimit.

LEXO EDHE: Kosova, kundër ndërkombëtarëve

Nëse ky Grup Punues e jep pëlqimin për heqjen e vizave, propozimi kalon në nivelin e COREPER-it, në të cilin diskutohet nga ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkohë vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë.

Optimistë se procesit të liberalizmit të vizave po i vjen fundi janë shprehur përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, të cilët për gazetën Zëri kanë thënë se tani ky proces është çështje muajsh.

Ndërkaq sipas njohësve të integrimeve evropiane vendimi për hiqen e vizave do të ndodhë deri në fund të vitit nëse nuk ka ndonjë ndërhyrje politike në Këshillin e Ministrave.

Pajaziti: Liberalizimi i vizave, çështje muajsh

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, në një prononcim dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë se çështja e vizave pas vendimit të Parlamentit Evropian është çështje muajsh.

“Meqenëse u zgjat ky proces, tani pavarësisht se po e shohim dritën në fund të këtij tuneli nuk mund të flasim për datën e saktë se kur do të jetësohet, por ajo që është me rëndësi se vendimet kryesore në institucionet e Bashkimit Evropian janë marrë, së fundmi votimi në Parlamentin Evropian e ka vulosur një vullnet politik të shteteve të BE-së”, ka thënë ai.

Pajaziti është shprehur optimist se deri në fund të këtij procesi nuk do të ketë komplikime, por nuk pret unitet brenda BE-së për çështjen e Kosovës.

“Nuk besoj se do të ketë komplikime, shumica e  kritereve politike janë përmbushur, përfundimi është çështje muajsh. Nuk pres të ketë vendime unanime, sepse brenda BE-së ka vende që nuk i kanë qëndrimet e njëjta për ne, por jam i sigurt që vendim i Parlamentit Evropian do të reflektojë edhe te Këshilli i Ministrave të BE-së dhe kjo çështje do të menaxhohet. Rezerva nuk ka të bëjnë me zhvillimet në Kosovë, por është çështje e brendshme e vet BE-së sepse ajo po përballet me vështirësi të emigracionit dhe çështje tjera, kështu që antagonizmat ose pajtimet brenda kanë të bëjnë më politikat e BE-së”, ka thënë Pajaziti.

Pacolli: Situata në BE, e pafavorshme për Kosovën

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë që vendimi i Parlamentit Evropian ka qenë i pritshëm, mirëpo tani sfidë e Kosovës është Këshilli.

“Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga PE-ja është lajm shumë i mirë edhe pse një rezultat i tillë ka qenë i pritur duke ditur qëndrimin që PE-ja ka për Kosovën. Sfida kryesore fillon nga tani kur Kosova duhet të marrë mbështetjen e shumicës së kualifikuar nga Këshilli. Është paralajmëruar që grupet punuese do të fillojnë punën brenda këtij muaji”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Sipas saj, situata në Bashkimin Evropian është shumë e pafavorshme për Kosovën.

“Tani jemi në një situatë mjaft të pafavorshme për Kosovën. Rritja e partive të djathta ekstreme në shumë vende të Evropës, kriza me refugjatët, si dhe zgjedhjet e radhës së PE-së që do të mbahen në maj të 2019-s të gjitha këto do të kenë ndikim në vendimin e secilit shtet anëtar. Rezultatet e votimit në PE na tregojnë që do të jetë vështirë të arrihet shpejt një unitet mes shteteve anëtare, duke pasur parasysh që një numër i madh i deputetëve që vijnë nga vendet të cilat e kanë njohur Kosovën: Franca, Holanda, Belgjika, Italia, Austria, Danimarka kanë votuar kundër liberalizimit”, ka thënë Pacolli duke shtuar se liberalizimi i vizave varet nga ajo se si do të ecën trialogu.

Fetoshi: Sundimi i ligjit, pengesë për liberalizimin e vizave

Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën tani ka hyrë në fazën finale ku pritet që deri në fund të vitit qytetarët të lëvizin pa viza.

“Çështja e liberalizimit të vizave tashmë ka hyrë në fazën e fundit dhe në qoftë se vendimi i Këshillit të Ministrave të Brendshëm nuk ndërhyn politikisht në fund të vitit kosovarët do të mundin të lëvizin pa viza. Votimi nga Parlamenti Evropian reflektoi vullnetin pozitiv të BE-së, ndërsa vlerësimi për kriteret do të jetë baza politike e vendimit edhe në Këshill”, ka thënë ai.

Tutje Fetoshi ka përmendur rrugën nëpër të cilën kalon ky proces i rëndësishëm për Kosovën. “Në aspektin procedural çështja tani kalon në Grupin Punues, që përfaqëson trialogun Komision - Parlament - Këshill, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të pranueshme për Parlamentin dhe për Këshillin. Duke pasur parasysh kohën për negociatat trepalëshe vendimi i Këshillit mund të pritet në fillim të dhjetorit. Nuk besoj se do të jetë unanim, pasi 5 shtete anëtare ende s’na kanë njohur, por kjo s’mund ta rrezikojë miratimin meqenëse shumica e kualifikuar kërkon 55 për qind të shteteve anëtare që përfaqësojnë së paku 65 për qind të popullsisë së BE-së”, ka thënë Fetoshi.

Sipas tij, liberalizimi është proces i ndarë nga dialogu Prishtinë - Beograd, por mund të ndërlidhet me Gjykatën Speciale ose me proceset tjera që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në Kosovë.

Qorrolli: Për liberalizim na duhen votat e 55% të shteteve anëtare

Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, në një intervistë për gazetën “Zëri” tha se vendimi i Parlamentit Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën e vulosi një proces të mundimshëm.

“Parlamenti Evropian me votimin e tij pro të enjten që shkoi e përfundoi edhe një prej procedurave të mundimshme të institucioneve të BE-së dhe kështu ia konfirmoi mandatin për negociata Këshillit të Ministrave rreth propozimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, proces që u bë në muajin korrik nga ana e Komisionit Evropian”, ka thënë ai.

Sipas Qorrollit, tani si hap ka mbetur pajtimi në Këshillin e Ministrave dhe votimi pozitiv.

“Hapat e ardhshëm nënkuptojnë pajtimin e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së si pjesë të Këshillit, ku votimi duhet të jetë pozitiv nga të paktën 55 për qind e Bllokut 28-anëtarësh të BE-së, të cilët përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së”, ka theksuar ai.