SHBA-të dhe Gjermania me qëndrime të ndryshme rreth ndryshimit të kufijve

Aktuale September 02, 2018 - 14:11
Lexoni më shumë detaje

SHBA-të dhe Gjermania pozicionionohen në kahje të kundërta tek çështja e ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Kështu të paktën shkruan gazeta amerikane “Wall Street Journal” si dhe “EUobserver”, të cilat po ashtu raportojnë për takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Vjenë, transmeton lajmi.net.

Berlini është i shqetësuar për një lëvizje që mund të hapë kutitë e mosmarrëveshjes ndër-etnike në disa nga vendet më të varfëra të rajonit. Zyrtarët gjermanë po ashtu janë skeptikë lidhur me këtë çështje, shkruan më tutje WSJ.

Në këtë kontekst, WSJ thekson deklaratën e Ministrit të Jashtëm gjerman Hajk Mas.

“Ne nuk mendojmë se bisedimet mbi shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë janë konstruktive, ato mund të hapin shumë plagë për njerëzit atje”, kishte deklaruar Mas për BBC gjatë rrugës për në Vjenë.

Nga ana tjetër, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA John Bolton tha javën e shkuar se Uashingtoni nuk është i shqetësuar për këtë ide, pavarësisht nga kundërshtimi i dy të tretave të vendeve të përendimit.

Një marrëveshje përfundimtare për korrigjimet territoriale mund të gjejë kritika të rëndësishme në terren, vlerëson WSJ, me nocionin se kjo ide është kundërshtuar nga klerikët ortodoksë serbë dhe politikanët kryesorë të Kosovës.

Përveç kësaj, zyrtarët në Bosnjën fqinje shtuan se ata janë të shqetësuar se kjo mund të nxis më tej përpjekjet e Republikës Serbe për pavarësi.

Gazeta gjithashtu thotë se disa udhëheqës evropianë janë të shqetësuar se një marrëveshje e mundshme e ndryshimit të kufijve mund të shkaktojë copëtim etnik në Maqedoni, që do të përfshinte edhe minoritetin shqiptar.