Këshilltari i Kadri Veselit: Shkëmbimi i territoreve nuk paraqet problem

Aktuale August 29, 2018 - 19:48
Lexo detajet

 

Këshilltari i Kadri Veselit, Avni Bytyçi, ka deklaruar se shkëmbimi potencial i territoreve në fazën e fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të paraqiste ndonjë problem.

Bytyçi ka komentuar një shkëmbin potencial të komunave veriore të Kosovës, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit me tre komunat me shumice shqiptare Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Nuk është problematike për një arsye shumë të thjeshtë. Ngaqë kur ndërtohet një marrëveshje në mes të dy vendeve e do të ratifikohej në kuvend dhe si dy vende të pavarura, që me vullnet të plotë po pajtoheni që e njihni njëri-tjetrin dhe i shkëmbeni këto territore të caktuara me qëllim të paqes dhe të mos ndërhyjnë tek njëra-tjetra, atëherë nuk do të ndërhynte as Maqedonia, as Shqipëria, as Mali i Zi e as Bosnja. Kjo sepse hapi më i rëndësishëm në raport me Kosovën është që Serbia do ta njohë Kosovën”.

Ai gjatë një interviste në Info Magazine të Klan Kosovës ka thëne se çdo marrëveshje në mes të dy vendeve ka përkrahje edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Merkel ka thënë shumë qartë ne e pranojmë çdo marrëveshje që arrihet në mes dy vendeve, mirëpo ka shqetësimi që një gjë e tillë të mos shndërrohet në precedent”.

Për Bytyçin shqetësues ngelet kundërshtimi i opozitës, që sipas tij, “për shkak të egoizmit të partive opozitare, mund ta humbasim këtë mundësi”.