Abdixhiku: Nervozizmi i Thaçit shenjë paniku

Aktuale August 29, 2018 - 18:54
Lexo detajet

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë që vërsulja e presidentit të vendit, Hashim Thaçi është shenjë e panikut që buron nga mobilizimi i opozitës, shkruan “Zëri.info”.

“Nervozizmi i Hashim Thaçit e vërsulja e tij ndaj opozitës është veçse shenjë e panikut. Panik që buron nga mobilizimi i opozitës, shoqërisë kosovare e secilit kontribuues tjetër të Republikës”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në “facebook”.

Tutje ai ka thënë që Kosova nuk rrezikohet nga këto veprime të opozitës por nga pazaret e ndarjes së territoreve me Serbinë.

LEXO EDHE: Jevtiç e zbulon: Vuçiq vjen me 9 shtator në Kosovë për të treguar zgjidhjen finale për Kosovën

“Kosova nuk rrezikohet nga veprimet e opozitës për mbrojtje territoriale. As nga uniteti i gjërë shqiptar. Ajo rrezikohet nga pazaret për ndarje të Kosovës me Aleksandrin e Beogradit. Rrezikohet nga një lider që nën hijen Speciales është i gatshëm të falë territor. Rrezikohet nga një President që krahason shtetin e vet të pavarur me krahina në Abkhazi e Oseti; që në thellësinë e paditurisë zhvlerëson 114 njohje shtetërore, mendimin vulë të GJND-së, e secilën përpjekje tjetër 30 vjeçare për shtet e sovranitet”, ka thënë tutje ai.

Sipas Abdixhikut Kosova është e rrezikuar edhe nga kërkesat naive ndaj ndërkombëtarëve.

“Kosova rrezikohet nga kërkesat naive ndaj ndërkombëtarëve “na lini vet se problemet i zgjidhim ne me Serbinë e Aleksandrin” - sepse “ui ar not problematik gajs”. Qëkur shqiptarët qenkan më mirë vet në përballje me agjendat e Serbisë së Madhe e qëkur Serbia s’qenka problematike?! Këso qëndrime, këso plane, këso deklarime naive i kanë zënë në befasi edhe aleatët më të mëdhenj të Kosovës - nga Gjermania në Britani, nga Britania në SHBA”, ka shkruar tutje ai.

Abdixhiku ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të vie rezoluta parlamentare e opozitës.

“avën që vjen, rezoluta parlamentare e opozitës, e mbështetur tashmë edhe nga partitë të pozitës, e deligjitimon përfundimisht përfaqësimin e tij anti-republikan. Kjo rezolutë e fundosë mirë e fort - para Kosovës e komunitetit ndërkombëtar bashkë - projektin e ndarjes. Shqiptarët, në shumicë absolute, si rrallëherë më parë kalojnë vijat partiake e flasin me një zë. Zë që dërgon projektet e Hashimit e Aleksandrit në harresë historike. Zë që thotë mirë e qartë se ndarje nuk ka!”, ka përfunduar Abdixhiku. /ZËRI