Pozita dhe opozita s’po arrijnë “ta korrigjojnë” Thaçin

Aktuale August 28, 2018 - 08:01
Lexo detajet

Image

Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur iniciativën për korrigjim të kufijve, por partitë opozitare s’po arrijnë të koordinohen ta parandalojnë këtë nismë të të parit të shtetit. As partitë në pushtet nuk po e përkrahin idenë e Thaçit, shkruaan sot gazeta "Zëri"

Tri subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, po e kundërshtojnë presidentin Hashim Thaçi si kryenegociator në dialogun me Serbinë, si dhe idenë e tij për korrigjim të kufijve. Opozitarët edhe më tutje nuk kanë një strategji se si ta ndalin Thaçin në këtë proces, madje ata kanë qëndrime të ndryshme. LDK-ja thotë se nuk do ta lejojë Thaçin të bëjë “pazare” me territorin e Kosovës, por nuk tregon se si do ta ndalojë, Vetëvendosja thotë se protestat janë opsion për ta ndalur të parin e shtetit, kurse PSD-ja kërkon që të përgatitet platforma për dialogun para se të vazhdohet me fazën finale.

LEXO EDHE: BE-ja mund ta ndihmojë vetingun në drejtësi

E vetmja gjë për të cilën janë pajtuar deri më tani opozitarët është thirrja e një seance të jashtëzakonshme për dialogun para datës 7 shtator, kur edhe është takimi i radhës ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiqit. Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, në të cilën konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm e se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.

Edhe partnerët e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e kundërshtojnë idenë e korrigjimit të kufijve duke e vlerësuar si të rrezikshme për rajonin. Ndërsa analistët politikë thonë se nëse kundërshtimi nuk bëhet me kohë dhe nëse nuk arrihet një gjithëpërfshirje në dialog, atëherë marrëveshja finale me Serbinë mund ta ketë fatin e njëjtë me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila u kundërshtua një kohë të gjatë, por në fund u ratifikua. 

LDK: Do t’i bashkërendojmë veprimet në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, për “Zërin” ka thënë se territori i Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e pazareve të presidentit Thaçi. Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të lejojë që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq të bëjnë pazare me territorin e Kosovës. “Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprime të tilla. Negociatat për territorin e Kosovës janë kundërkushtetuese dhe kushdo që hyn në lojëra të tilla do t’i bartë pasojat kushtetuese dhe politike. Ne do t’i bashkërendojmë veprimet në Kuvend për të penguar vënien në pikëpyetje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës nga presidenti i vendit”, ka thënë ai.

LDK-ja, sipas tij, do të refuzojë çdo marrëveshje që bëhet pa mandat të Kuvendit dhe pa pajtueshmëri të gjerë të forcave relevante politike dhe të qytetarëve.

Vetëvendosja: Protestat, opsion për ta ndalur Thaçin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka bërë të ditur që partia e tij është kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës. “Të gjitha të këqijat Kosovës i kanë ardhur të kamufluara me disa emra që nuk duken të rrezikshëm duke filluar prej decentralizimit që në fakt ka qenë ndarje në baza etnike e tek Asociacioni që në fakt është synuar autonomia dhe tash kemi korrigjimin e kufijve, i cili nuk paraqet asgjë tjetër përveç ndarje të Kosovës sipas projektit të Serbisë”, ka thënë Kurteshi për “Zërin”.

Ai po ashtu ka thënë se Thaçi po takohet në mënyrë private me Vuçiqin dhe assesi në emër të Kosovës. Sipas Kurteshit, korrigjim i kufijve nënkupton humbje të madhe për Kosovën. “Korrigjimi i kufijve parasheh që Serbia të marrë edhe pjesën më të pasur të Kosovës dhe shumë të rëndësishme për vendin tonë, siç është Ujmani dhe ‘Trepça’, por edhe një territor shumë më të madh, i cili do të ishte ofruar eventualisht, por për këtë çështje nuk mund të bisedohet para se Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje si mjet për ta ndalur Thaçin në bisedime ka paralajmëruar protesta në shtator të këtij viti, mirëpo ende nuk ka dhënë ndonjë datë se kur saktësisht do të mbahen ato.

PSD: Të krijohet sa më parë platforma për dialogun

Në anën tjetër Dardan Sejdiu, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në një prononcim për “Zërin” ka thënë që presidenti Thaçi nuk është i mandatuar të flasë në emër të Kosovës. Ai ka thënë se Kuvendi duhet të dalë sa më parë me një platformë për dialogun. “Ne besojmë se Hashim Thaçi nuk ka kompetencë të flasë në emrin e Republikës së Kosovës. Mendoj që nga Kuvendi duhet të dalë një platformë për dialogun dhe kur ta kemi atë prapë Kuvendi duhet ta thotë fjalën e tij për mandatimin e personit ose të ekipit që do ta drejtojë procesin negociator. Pra, përderisa i themi vetes Republikë Parlamentare nuk ka kuptim që opsionet të cilat lidhen me të ardhmen e këtij vendi të diskutohen jashtë këtij institucioni”, ka deklaruar Sejdiu.

Sipas Sejdiut, në platformën për dialogun duhet të qartësohen çështjet të cilat do të diskutohen me Serbinë, si dhe vijat e kuqe të Kosovës. “Ajo çka po thotë Thaçi është e paqartë sepse ky njeri nuk ka konsistencë në qëndrimet e tij. Paradite flet diçka tjetër, e pasdite del kundër vetes. Ne kemi paraparë në rezolutën tonë dhe vazhdojmë ta themi se  vendimet në lidhje me gjithë këtë proces duhet të merren me përkrahjen e 2/3-s së Kuvendit. I gjithë ky proces nuk mund të zhvillohet pa një strategji të qartë, pa një platformë ku qartësohen çështjet që do të shtrohen në tavolinë dhe të diskutohen vijat e kuqe”, ka theksuar ai.

Mes tjerash Sejdiu ka thënë që PSD-ja është subjekti i vetëm i cili duke e trajtuar me seriozitetin që duhet çështjen e dialogut ka bërë thirrje dhe ka pasur angazhim konkret për ta ndërprerë pushimin e Kuvendit dhe Kuvendi të marrë përgjegjësinë në lidhje me procesin e dialogut.

As pushteti nuk e përkrah idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për “Zërin” se Kosova i ka kufijtë e vet dhe se në dialogun me Serbinë duhet të kërkohet njohja e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit serb. Ai po ashtu ka thënë se idetë për ndryshim të kufijve janë të rrezikshme për rajonin. “Në këtë kohë ajo që duhet të kërkohet është njohja dhe konsiderojmë se idetë për ndryshim të kufijve nuk janë të mira pasi përkeqësojnë marrëdhëniet me Serbinë, por dihet se kanë edhe efekte në vende tjera të rajonit”, është shprehur Isufi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, konsideron që ideja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve është e rrezikshme për paqen dhe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor. “Mbështetjen që po ia jep Hashim Thaçi, nga pozita e presidentit të Kosovës, idesë serbe për të vendosur në tavolinë bisedimesh territoret shqiptare është ideja më e rrezikshme për paqen dhe për sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Fatkeqësisht, pas refuzimit absolut që i është bërë në Kosovë idesë së vjetër serbe për ndarjen e Kosovës, të prezantuar si ‘Korrigjim kufijsh’, në vend që të tërhiqej nga qëndrimet e veta, Thaçi vazhdoi aventurën me partnerin e tij Vuçiq për të kërkuar nga Vjena mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-së për copëtimin e Kosovës”, ka potencuar Sherifi.
Sipas tij, është momenti i fundit që të gjitha forcat politike dhe institucionale të Kosovës të dalin me qëndrim të qartë se në përpjekjet për të vënë në tryezë bisedimesh integritetin territorial të Kosovës Hashim Thaçi nuk përfaqëson askënd tjetër pos vetes së vet.

Sipas tij, hapja eventuale e negociatave të reja,  kamufluara si “Faza finale e bisedimeve” për t’i korrigjuar kufijtë me Serbinë do të zhbënte procesin e gjatë, të mundimshëm dhe me plot sakrifica të pavarësimit të Kosovës.
 

Marrëveshja me Serbinë mund ta ketë fatin e njëjtë me atë të Demarkacionit

Kurse drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë se kundërshtimi i opozitës po duket vetëm formal sa për t’u dukur se janë duke e kundërshtuar presidentin Thaçi si kryenegociator dhe idetë e tij. “Kjo për faktin se nuk po ka ndonjë kundërshtim domethënës siç është përmes Kuvendit ose përmes mekanizmave tjerë. Kjo na jep të kuptojmë që kundërshtimi i Thaçit po bëhet vetëm sa për konsum publik. Opozita përafërsisht ka gjysmën e Kuvendit, prandaj do të duhej të kishte qëndrueshmëri sa i përket kundërshtimit të dialogut të udhëhequr nga Thaçi, duke e ngritur në Kuvend këtë çështje, por deri më tani nuk kemi parë asgjë”, ka vlerësuar Demhasaj.

Sipas tij nëse tri partitë opozitare, LDK-ja, Vetëvendosja dhe PSD-ja, nuk pajtohen me epilogun e dialogut mund ta bllokojnë ratifikimin marrëveshjes në Kuvend, pasi pa votat e një pjese të opozitës marrëveshja nuk mund të ratifikohet. Por ai thotë se nëse kundërshtimi nuk bëhet me kohë, atëherë në Kuvend marrëveshja finale me Serbinë mund ta ketë fatin e njëjtë me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila u kundërshtua një kohë të gjatë, por në fund u ratifikua. “Çfarëdo marrëveshje që do të arrihet duhet të shkojë në Kuvend për ratifikim e që kërkohen 80 vota, të cilat janë të pamundura për t’u arritur pa votën e një pjese të opozitës. Por problemi qëndron në atë se nëse nuk ka kundërshtim të qartë dhe organizim të nevojshëm me kohë, pra nëse nuk ka një gjithëpërfshirje në procesin e dialogut, atëherë pasi të vijë marrëveshja mund të kundërshtohet, por ekziston rreziku që ta ketë fatin e njëjtë sikurse Demarkacioni me Malin e Zi, që u kundërshtua gjatë, por në fund u ratifikua”.