Hoxha: Presim vlerësim pozitiv për vizat

Aktuale August 22, 2018 - 10:53
Lexo detajet

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur e bindur se komiteti LIBE do të japë vlerësim pozitiv sa i përket çështjes së vizave për Kosovën, raporton zeri.info.

 “Çështja e Liberalizimit të vizave do të shtrohet në mbledhjen e 29 gushtit dhe presim vlerësim pozitiv nga ky komitet, për shumë arsye jemi optimistë. Angazhimi maksimal yni që rezultoi me plotësimin e të gjitha kushteve të parapara me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave si dhe ndërprerja e migrimit ilegal, fuqizimi i sundimit të ligjit në çdo nivel e deri te reformat e parapara për liberalizim, si dhe zbatimi i detyrimeve ndërkombëtare, janë dëshmi e përkushtimit tonë për vlerësim pozitiv nga LIBE”, ka deklaruar ajo për “Zërin”. Hoxha më tej, ka thënë se Komisioni për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) në mbledhjen e 29 gushtit prezanton, debaton dhe voton për opinionin lidhur me vizat.

LEXO EDHE: Në fundgusht nisin hapat vendimmarrës për vizat

“Mbledhjet e Komisioneve Parlamentare mbahen një herë në muaj ashtu siç mbahen edhe seancat plenare të Parlamentit Evropian. Është Raportuesi i Parlamentit Evropian, ai i cili e qarkullon opinionin në LIBE dhe nëse është e nevojshme edhe nëpër Komisionet tjera Parlamentare si dhe e prezanton opinionin për seancë plenare”, ka shtuar ajo.

Pas votimit në Komisionin LIBE, Hoxha ka thënë se mbahet seanca plenare, ku siç ajo është shprehur, qysh në seancën e parë me shumicë të thjeshtë pritet që të miratohet opinioni mbi vizat. Ndërkaq, pas votimit në seancë parlamentare, atëherë vazhdohet me procedura tjera në Këshillin e Ministrave. E para e MIE-së më tej, është shprehur e vendosur se liberalizimi do të përmbyllet këtë vit.

 “Fushata për liberalizimin e vizave ka filluar dhe jam optimiste që jemi në rrugë të mbarë. Pra, jemi optimistë se procesi i vendimmarrjes do të përmbyllet brenda këtij viti”, ka nënvizuar ajo./Zeri