Listat e pritjes për koronarografi, deri në nëntor

Aktuale August 06, 2018 - 08:31
Lexoni më shumë detaje

Shumë pacientë vazhdojnë të mbesin në lista të pritjes për koronarografi, (ekzaminim që siguron një pamje të hollësishme të enëve të cilat furnizojnë zemrën me gjak) e pa u ardhur radha në këtë listë ata që kanë nevojë nuk mund të vënë stenta. Në disa raste edhe pas koronarografisë pacientët duhet të presin rreth 20 ditë për stentim. Për më shumë ka dyshime se stentat që janë blerë nga Ministria nuk janë kualitative, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Rreth 435 pacientë janë në listë të pritjes për koronarografi, listë kjo e cila nuk pritet të përfundojë deri në muajin nëntor të këtij viti. Koronarografia është ekzaminim që siguron një pamje të hollësishme të enëve të cilat furnizojnë zemrën me gjak.

LEXO EDHE: S’ka datë për tryezën e pestë të partive

Kjo është konfirmuar edhe nga drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) Tefik Bekteshi.

Ai ka thënë për gazetën Zërise kjo listë do të eliminohet në muajin nëntor.

“Jemi duke i thirrur pacientët që janë shënuar në muajin mars. Lista momentale e pritjes është diku rreth 435 pacientë. Po presim sallën e dytë, nëse ajo sipas planit lëshohet në shtator atëherë lista e pritjes do të eliminohet për dy muaj. Deri në vitin e ri, me një sallë e kishim planifikuar që të largojmë listën e pritjes edhe pse çdo muaj paraqiten diku përafërsisht 100 persona dhe ky nuk është numër i vogël”, ka thënë ai për gazetën "Zëri".

Megjithatë edhe pse është deklaruar se lista për stentime në këtë klinikë është eliminuar, pacientët pa e bërë koronarografinë nuk mund të trajtohen për stentime.

Bekteshi ka theksuar se pas koronarografisë ata që kanë nevojë për stentime ndodh që të presin diku deri në 20 ditë.

“Lista të pritjes për stentim nuk ka. Njëherë e kemi të përzgjedhur muajin gusht, një pjesë të gushtit dhe më vonë jo. Sa i përket infarktit akut menjëherë intervenojmë. Në shumicën e rasteve kur në koronarografi paraqitet nevoja për stentim ad hoc shumë rrallë ndodh që të zgjedhim për një ditë tjetër, kur kemi nevojë të konsultohemi me kardiokirurg a është ndoshta qasje më e mirë intervenimi kardiokirurgjik ose të vazhdojmë me stentim, ose stetohen menjëherë, ose i jepet data e saktë, zakonisht për 15-20 ditë”, ka thënë Bekteshi.

Sa i përket stentave ai ka deklaruar se tenderin për to e kanë fituar kompanitë që kanë ofruar çmime më të lira.

“Ne stentat i marrim nga tenderi që është në Ministri të Shëndetësisë. Atë e kanë fituar kompanitë më të lira. Të gjitha kompanitë që nuk e kanë fituar tentojnë të thonë se stentat nuk janë kualitative dhe është një qasje shumë e keqe e atyre kompanive. Nëse duan të punojnë duhet ta ulin çmimin”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe stafi profesionist është i përgatitur për stentime dhe se këtë vit nuk është bërë asnjë referim i pacientëve.

Bekteshi ka deklaruar se këtë vit ka vdekur një pacientë në sallë të operimit, megjithëse thotë se QKUK-ja sipas statistikave është shumë më mirë sa i përket vdekshmërisë në këtë repart.

“Na ka vdekur brenda një viti një pacient në sallë. Në raste akute i kemi dërguar dy pacientë në Kardiokirurgji, njëri ka vdekur më vonë e tjetri është shumë mirë. Në krahasim me rezultatet e të gjitha institucioneve botërore jemi shumë mirë me statistika sa i përket vdekshmërisë, por edhe pjesëve tjera, sepse nuk mund t’i ikim një vdekje. Kemi  3% të vdekjeve në Kardiokirurgji. Është fjala për pacientë në gjendje më të rëndë”, ka thënë ai.

Sipas një raporti gjashtëmujor për vitin 2018, të publikuar nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës, Shërbimi i Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive gjatë kësaj periudhë ka kryer 647 stentime, 1,159 koronarografi dhe 104 operacione kardiokirurgjike.

MSH: Stentat na kanë kushtuar 144 mijë euro, i kemi blerë më lirë se viteve paraprake

Zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë për “Zërin” se stentat i kanë blerë mbi 144 mijë euro, gati dyfish më lirë se viteve paraprake.

“Lista e pritjeve për stentim është hequr në QKUK. Të gjitha rastet emergjente trajtohen menjëherë, kurse rasteve të tjera u caktohet data e saktë e intervenimit brenda një periudhe disaditore. Me këtë rast, përveç plotësimit të nevojave me stenta, me kontratën e re ato edhe janë blerë më lirë sesa vitet paraprake. Në kontratën e mëparshme çmimet e stentave kanë qenë 188 mijë euro,  245 mijë euro dhe 216 mijë euro. Ndërsa në kontratën aktuale çmimi është 144 mijë e 75 euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas MSH-së, përzgjedhja e prodhuesit të stentave është bërë nga ekspertët e lëmit përkatës. “Inicimi i procedurave bëhet konform specifikave të listës esenciale, si dhe të rekomandimeve të profesionistëve shëndetësorë të klinikës përkatëse. Kualiteti, si dhe përzgjedhja e prodhuesve është në kompetencën e Komisionit të Vlerësimit, i cili përbëhet nga ekspertët e lëmit përkatës të Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës. Sa i përket pjesës së çmimeve, inicimi është bërë konform vlerave financiare të përafërta, të siguruara nga SHSKUK-ja”, thuhet më tej në përgjigjen për “Zërin”.

Zyrtarët për informim në këtë Ministri kanë deklaruar se furnizimi me stenta është i mjaftueshëm për Klinikën e Kardiologjisë dhe për nevojat e spitaleve e klinikave.

“Klinika e Kardiologjisë përveç funksionimit 24 orë në shtatë ditë të javës dhe të furnizimit të plotë me stenta e materiale tjera shpenzuese nuk do të ketë asnjë problem që t’i plotësojë të gjitha nevojat e pacientëve”, kanë thënë ata.

Në anën tjetër anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se me angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë është larguar lista e pritjes për stentime, ndërsa edhe janë kursyer miliona euro që janë ndarë për trajtime jashtë institucioneve shëndetësore publike.

“Kardiokirurgjia Invasive ka filluar punën 24 orë. Ka qenë një listë shumë e gjatë e pritjes, ndërsa tani është zvogëluar. Me këtë angazhim buxhetit të shtetit po i kursehen miliona euro sepse për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve tona, rastet më të shpeshta që kanë kërkuar trajtim dhe buxheti më i madh që është shpenzuar, ka qenë për pacientët e Kardiokirurgjisë”, ka thënë ajo.

Gjoka: Viteve të kaluara MSH-ja nuk ka pasur interesim për koronarografinë dhe për stentimet

Sami Gjoka, ish-drejtor i Kardiologjisë Invazive, që tani vazhdon të punojë si kardiokirurg në këtë klinikë, ka thënë për gazetën se gjatë kohës së tij Ministria e Shëndetësisë nuk ka pasur mjaftueshëm interesim sa i përket koronarografisë dhe stentimeve. Sipas tij, edhe këtë vit çdo ditë thirren nga lista e pritjes pacientët për koronarografi.

Ndërsa siç ka thënë ai, pas koronarografisë pacientëve që kanë nevoja u vendosen stentat, të cilat duhet të jenë kualitative.

“Listat kanë qenë për shkak të disa problemeve, për shkak se interesimi nga Ministria e Shëndetësisë ka qenë e mangët. Ka pasur listë të pritjes sepse nuk kemi qenë të furnizuar sikurse janë sot. Përkrahja nga ministria e atëhershme ka qenë shumë e dobët”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se pa u bërë koronarogafia pacienti nuk mund të drejtohet për stentim.

“Koronarografia është metodë invasive, e cila përcakton sëmundjen e enëve koronare. Pa atë nuk dihet se a i duhet pacientit stentimi ose jo. Ajo është si provë e parë se a ka nevojë pacienti për stentim ose jo. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë problem me stenta”, ka theksuar ai.

Ka dyshime se stentat që u vendosen pacientëve nuk janë kualitative

Skender Kutllovci, drejtor i “Medical Group”, në një tryezë diskutimi ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka blerë stenta të lira dhe po ashtu nuk i ka blerë ato nga kompanitë që njihen për stenta më të mira.

“Stentat do të mbesin në trupin e qytetarëve. Ato nuk janë blerë nga tri kompanitë amerikane. Ato duhet të jenë të bazuara në kualitet dhe në siguri. Duhet të luftojmë që qytetarët të jetojnë më mirë dhe më gjatë”, ka thënë ai.

Për më shumë, edhe burime të gazetës në mënyrë anonime kanë treguar se ka pasur probleme për shkak të kualitetit jo të mirë të stentave.

“Ka shumë probleme edhe me stenda sepse nuk kanë kualitet. Ka ndodhur që në stentim e sipër i janë mbyllur stentat, e ajo vendoset për të hapur një arterie koronare të mbyllur e jo ta mbyllë atë”, kanë thënë për “Zërin”.