S’ka datë për tryezën e pestë të partive

Aktuale August 06, 2018 - 08:15
Mësoni më shumë detaje

Ndonëse partitë politike ishin dakorduar qysh në muajin prill që ta vazhdonin ciklin e tryezave, takimi i radhës që pritet t’i mbledhë të gjitha partitë politike ende nuk dihet se kur do të mbahet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zyrtarë të AAK-së, të cilët do të jenë nikoqirë të takimit të pestë, i kanë thënë gazetës Zëri se tryeza e radhës do të duhej të mbahej për dialogun Kosovë - Serbi, porse meqë ende nuk është arritur ndonjë konsensus i brendshëm rreth kësaj teme takimi në fjalë është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

LEXO EDHE: Të gjithë kundër iniciativës së rrezikshme të Thaçit

Në anën tjetër, përfaqësuesit e LDK-së, të cilët e kishin nisur praktikën e tryezave me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, kanë pohuar se ende vazhdojnë të mbeten për opsionin e zgjedhjeve.

Por ndonëse kishin paralajmëruar se do ta organizonin edhe një tryezë në fund të ciklit, nga LDK-ja kanë thënë se ende nuk është diskutuar rreth kësaj çështjeje, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër, deputetët e LVV-së konsiderojnë se mbajtja e tryezave është e kotë, pasi temat e mëdha duhet të diskutohen vetëm në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, deri më tash janë mbajtur katër tryeza gjithsej, të thirrura nga LDK-ja, PDK-ja, LVV-ja dhe PSD-ja.

Rugova: Duhet të shkohet në zgjedhje, variant tjetër s’ka

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se tryeza, e cila parashihej të organizohej nga AAK-ja, është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

“Tryeza jonë do të duhej të thirrej për dialogun, por në këtë fazë nuk po ka gatishmëri për një konsensus rreth kësaj teme, prandaj dhe e kemi shtyrë për një moment më të përshtatshëm. Nuk kemi dashur ta mbajmë tryezën sa për ta mbajtur, siç kanë bërë të  tjerët”, ka deklaruar deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj.

Ndërkohë, pavarësisht faktit që LDK-ja kishte paralajmëruar se do ta thërriste edhe një tryezë të radhës në të cilën do të diskutohej për zgjedhje, nënkryetari i LDK-së Haki Rugova ka mohuar të ketë diçka konkrete në këtë drejtim.

“Do të takohemi si kryesi dhe të vendosim, të shohim se si do të vazhdojmë tutje. Nuk e kemi diskutuar. Ende nuk kemi marrë qëndrim”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Rugova ka thënë se LDK-ja mbetet akoma pro opsionit të zgjedhjeve.

“Ne e kemi prezantuar qëndrimin tonë dhe ai qëndrim yni është ende. Ne presim dhe besoj e jam shumë i bindur që duhet të shkohet në zgjedhje, tjetër variant nuk ka”, ka nënvizuar ai.

Porse, i pyetur se sa është e mundur shkuarja në zgjedhje kur opozita nuk i ka numrat, Rugova ka vlerësuar se kjo është një temë krejtësisht tjetër.

“Sa është e mundur, është një çështje krejt tjetër, ende nuk kemi diskutuar për hapat e mëtutjeshëm, ende është ai qëndrim yni si kryesi që e kemi prezantuar para opinionit”, ka potencuar ai.

Nagavci: Diskutimet duhet t’i bëjmë në Kuvend e jo në tryeza

Ndërkaq deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka vlerësuar se përvojat e mbajtjes së tryezave kohët e fundit kanë treguar që nuk mund të pritet diçka konkrete prej tyre.

“Lëvizja edhe në tryezën që e kishte ftuar vetë kishte vendosur si temë të saj t’i kishte zgjedhjet sepse ne besojmë që Qeveria tashmë nuk ka legjitimitetin e as të drejtën që të marrë vendime të rëndësishme dhe besojmë e insistojmë që diskutimet duhet t’i bëjmë në Kuvend. Kuvendi është arena ku duhet të ballafaqohen argumentet politike dhe tryezat në asnjë mënyrë nuk mund t’i zëvendësojnë debatet ose diskutimet që bëhen në Kuvend”, ka theksuar ajo.

Sipas Nagavcit, është tejet me rëndësi që të arrihet një konsensus i gjerë mes partive politike, porse një gjë e tillë nuk është e mundur të ndodhë, duke u bazuar në praktikat e gjertanishme.

“Tashmë është e qartë që secili prej subjekteve i thërriste tryezat dhe secili fliste për gjithçka, ndërkohë nuk kishte asgjë konkrete në fund të tyre. Natyrisht që është e rëndësishme të arrihet një konsensus për çështjet e rëndësishme, por të paktën përvoja deri më tash tregoi që ky format në mënyrën si ishte organizuar nuk premtonte se do të arrihej diçka”, ka theksuar deputetja e LVV-së.

Tahiri: Nëse palët shkojnë me interesa partiake tryezat s’kanë sukses

Në anën tjetër teksa ka folur rreth organizimit të tryezave njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka vlerësuar se organizimi i tyre paraqet një veprim të duhur.

“Kur të kryhet i gjithë ky cikël i partive që po bisedojnë, atëherë pritet që të nxirret një dokument i përbashkët, varësisht prej atyre që janë marrë vesh. Domethënë, kjo është e mirë sepse jep të drejtë dhe subjektivitet pa marrë parasysh sa deputetë i ka secila parti, sepse koncentrohen në çështjet parimore, ideologjike dhe politike”, është shprehur ai.

Porse sipas Tahirit, nuk mund të thuhet se tryezat e tilla do të rezultojnë suksesshëm, veçmas nëse subjektet politike vendosin interesin partiak para atij nacional.

“A do të kenë sukses ose jo varet sa janë të sinqertë palët që shkojnë aty dhe sa e shohin këtë si interes shtetëror e jo si interes partiak. Nëse e shohin si interes partiak, atëherë kundërshtohen me njëri-tjetrin dhe mund të mos kenë sukses”, ka potencuar Tahiri.