Liberalizimi i vizave s`do të ndodhë këtë vit, vëmendjen e ka marrë dialogu

Aktuale August 01, 2018 - 17:24
Lexo detajet

Ekspertët e integrimit vlerësojnë se çështja e liberalizimit të vizave, respektivisht lobimi te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, është lënë anash nga institucionet e Kosovës. Një gjë e tillë sipas tyre po ndodh pikërisht për faktin që tërë vëmendjen aktualisht e ka marrë dialogu Kosovë – Serbi, shkruan gazeta “Zëri”.

Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga LVV-ja, Fatmire Kollçaku, ka vlerësuar se Komisioni për Integrime nuk është duke u përfillur fare sa i përket lobimit për liberalizim të vizave.

“Vazhdimisht po anashkalohet Kuvendi, në veçanti Komisioni për Integrime Evropiane. Këtë e kemi konstatuar njëzëri edhe në këtë Komision”, ka pohuar ajo.

LEXO EDHE: Qeveria, pa strategji lobimi për viza

Kollçaku tutje ka vlerësuar se nuk është dashur fare që Kuvendi të shkojë në pushim aktualisht, pasi pikërisht tash Kosova ka nevojë për të lobuar. Meqë është punuar shumë pak në këtë drejtim, sipas saj, gjasat janë shumë të vogla që liberalizimi të ndodhë gjatë këtij viti.

 “Duke u bazuar në të gjitha faktet liberalizimi nuk do të ndodhë këtë vit. Parashikimi më optimist do të jetë që dikur kah mesi i vitit të ardhshëm, por do të shohim”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër njohësi i procesit të liberalizimit të vizave, Taulant Kryeziu, ka vlerësuar se lobimi duhet të nisë te vendet më të rëndësishme për procesin e liberalizimit të vizave, që ende kanë skepticizëm në këtë drejtim.

 “Me rëndësi është që të vazhdohet lobimi te vendet kryesore të BE-së që janë Franca, Gjermania, Belgjika. Duhet të informohet saktësisht se cilat janë të arriturat e Kosovës në sundimin e ligjit. Çka u intereson atyre është që qytetarët tanë të mos bëhen barrë e taksapaguesve të vendeve anëtare, cilat janë masat që i kanë marrë sa i përket migrimit ilegal”, ka deklaruar ai.

Pos kësaj, sipas Kryeziut, duhet edhe qytetarët të njoftohen se çka realisht nënkupton liberalizimi i vizave. Më tej ai ka vlerësuar se çështja e lobimit dhe e informimit të qytetarëve lidhur me liberalizimin ka mbetur anash, pasi krejt fokusi aktualisht është kthyer kah dialogu me Serbinë. “Qeveria është totalisht e çakorduar për arsye se dialogu me Serbinë dhe arritja e konsensusit e ka marrë tërë vëmendjen”, ka theksuar ai. /ZËRI