Qeveria, pa strategji lobimi për viza

Aktuale August 01, 2018 - 07:45
Lexo detajet

Ekspertët e integrimit vlerësojnë se çështja e liberalizimit të vizave, respektivisht lobimi te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, është lënë anash nga institucionet e Kosovës. Një gjë e tillë sipas tyre po ndodh pikërisht për faktin që tërë vëmendjen aktualisht e ka marrë dialogu Kosovë - Serbi, shkruan Gazeta "Zëri".

Pavarësisht se kanë kaluar dy javë prejse Komisioni Evropian (KE) ka publikuar rekomandimin për vizat, institucionet e Kosovës ende nuk kanë ndonjë strategji konkrete për të lobuar te shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë skeptike sa i përket çështjes së liberalizimit për Kosovën. Përkundrazi, ndonëse nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë gazetës se lobimi është duke ndodhur për çdo ditë, nuk kanë treguar se cila do të jetë strategjia e cila do të ndiqet në këtë drejtim. Lidhur me këtë nuk është përgjigjur as Ministria e Integrimit Evropian (MIE). Kurse ekspertët e integrimit vlerësojnë se institucionet duhet patjetër të lobojnë te vendet e BE-së, si: Gjermania, Franca e Belgjika, të cilat sipas tyre duhet të informohet saktësisht se cilat janë të arriturat e Kosovës në sundimin e ligjit. Institucionet, siç thonë ata, duhet të realizojnë edhe kampanja për informimin e qytetarëve mbi atë se çka saktësisht nënkupton liberalizimi. Nisur nga tërë këto, ekspertët vlerësojnë se gjasat janë minimale që liberalizimi të finalizohet përgjatë këtij viti.  

Qeveria: Lobimi po ndodh çdo ditë

Të pyetur se cila do të jetë strategjia e Qeverisë për të lobuar te vendet skeptike të BE-së për liberalizmin, nga zyra e kryeministrit duke mos treguar kanë thënë se lobimi është duke ndodhur çdo ditë. “Lobimi po ndodh çdo ditë duke i kryer punët e shtëpisë përmes qeverisjes së mirë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Më tej thuhet se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së tash do t’i përmbushin obligimet e veta sa i përket procesit të liberalizimit.

Deliu-Kodra: Vendimi final është në favor të Kosovës

Duke folur rreth lobimit kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se kryetari i Kuvendit tashmë ka nisur lobimin te shtetet që duhet të jenë shtete vendimmarrëse për Parlament Evropian për punë të votimit. “Natyrisht që institucionet e Republikës së Kosovës në këtë fazë duhet të mobilizohen për çështje të votimit, në mënyrë që votimi të shkojë në favor të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se në muajt në vijim duhet të bëhet një punë intensive.

Deputetja e PDK-së madje është shprehur e bindur se lobimi do të vazhdojë edhe gjatë pushimeve verore. “Ne besojmë shumë se meqë jemi në këtë fazë, kur edhe jemi në pushim, institucionet edhe Kuvendi, por edhe deputetët veç e veç do të kenë rastin që të kenë takime të ndryshme, por edhe Qeveria t’i shfrytëzojë ato për çështje të lobimit. Besojmë që vendimi final do të jetë në favor të Kosovës”, ka shtuar ajo.

Sa i përket kohës kur mund të finalizohet ky proces, Deliu-Kodra ka thënë se mund të shkojnë gjashtë muaj deri te vendimi final, po qe se procedurat shkojnë në rregull. Por nuk ka përjashtuar edhe vitin e ardhshëm si vit të finalizimit të procesit, nëse ndodh e kundërta.

Kollçaku: Liberalizimi s’do të ndodhë këtë vit

Kurse anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga LVV-ja, Fatmire Kollçaku, ka vlerësuar se Komisioni për Integrime nuk është duke u përfillur fare sa i përket lobimit për liberalizim të vizave. “Vazhdimisht po anashkalohet Kuvendi, në veçanti Komisioni për Integrime Evropiane. Këtë e kemi konstatuar njëzëri edhe në këtë Komision”, ka pohuar ajo.

Kollçaku tutje ka vlerësuar se nuk është dashur fare që Kuvendi të shkojë në pushim aktualisht, pasi pikërisht tash Kosova ka nevojë për të lobuar. Meqë është punuar shumë pak në këtë drejtim, sipas saj, gjasat janë shumë të vogla që liberalizimi të ndodhë gjatë këtij viti. “Duke u bazuar në të gjitha faktet liberalizimi nuk do të ndodhë këtë vit. Parashikimi më optimist do të jetë që dikur kah mesi i vitit të ardhshëm, por do të shohim”, ka theksuar ajo.

Kryeziu: Liberalizimi është lënë anash, vëmendjen e ka marrë dialogu

Në anën tjetër njohësi i procesit të liberalizimit të vizave, Taulant Kryeziu, ka vlerësuar se lobimi duhet të nisë te vendet më të rëndësishme për procesin e liberalizimit të vizave, që ende kanë skepticizëm në këtë drejtim. “Me rëndësi është që të vazhdohet lobimi te vendet kryesore të BE-së që janë Franca, Gjermania, Belgjika. Duhet të informohet saktësisht se cilat janë të arriturat e Kosovës në sundimin e ligjit. Çka u intereson atyre është që qytetarët tanë të mos bëhen barrë e taksapaguesve të vendeve anëtare, cilat janë masat që i kanë marrë sa i përket migrimit ilegal”, ka deklaruar ai.

Pos kësaj, sipas Kryeziut, duhet edhe qytetarët të njoftohen se çka realisht nënkupton liberalizimi i vizave. Më tej ai ka vlerësuar se çështja e lobimit dhe e informimit të qytetarëve lidhur me liberalizimin ka mbetur anash, pasi krejt fokusi aktualisht është kthyer kah dialogu me Serbinë. “Qeveria është totalisht e çakorduar për arsye se dialogu me Serbinë dhe arritja e konsensusit e ka marrë tërë vëmendjen”, ka theksuar ai.

 

Hoxha: Të insistohet që çështja e vizave të përmbyllet në fillim të 2019-s

 

Ndërkaq Rreze Hoxha, njohëse e procesit të integrimit nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë se dhënia e rekomandimit pozitiv nga ana e KE-së i ka dhënë fund përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës në aspektin procedural. Ajo çfarë mbetet të pritet tash sipas saj, është njohja e këtij realiteti nga të gjitha institucionet relevante, vendimmarrëse brenda BE-së. “Andaj mbetet të shpresohet dhe njëkohësisht të kërkohet nga ana e diplomacisë kosovare lobimi drejt Komisionit Parlamentar përkatës të BE-së për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) me kërkesën që ta mandatojë Parlamentin Evropian që t’i ndjekë procedurat e tjera të nevojshme për përmbylljen e këtij procesi. Kështu duke arritur dakordim brenda institucioneve të BE-së për vendim pozitiv ndaj kësaj çështjeje ajo të votohet dhe të përmbyllet si e tillë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkohë për shkak të të gjitha procedurave nëpër të cilat duhet kaluar brenda institucioneve të BE-së, sipas Hoxhës, është pothuajse e paarritshme dhe të mendohet që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën mund të ndodhë brenda vitit 2018. “Ajo mbi të cilën duhet insistuar nga ana e institucioneve të Kosovës është që kjo çështje të diskutohet dhe të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm, për shkak se BE-ja do të kalojë në një proces të zgjedhjeve të brendshme. Po qe se çështja e liberalizimit të vizave nuk procedohet tutje deri në fillim të vitit 2019, atëherë rrezikon të mbetet jashtë agjendës edhe për një vit të tërë”, ka nënvizuar ajo.