Spitalet me mungesë të infermierëve, reduktohen shërbimet për pacientët

Aktuale July 28, 2018 - 07:59
Lexo detajet

Spitalet kosovare po ballafaqohen me mungesë të infermierëve, ndonëse mijëra pacientë në ditë i frekuentojnë Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe spitalet tjera rajonale, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministria e Shëndetësisë në tre muajt e parë të këtij viti ka punësuar 60 infermierë, por vlerësohet se spitalet kanë nevojë për 500.

“Spitalet kanë nevojë për 500 infermierë, megjithatë pavarësisht nevojave për infermierë Ministria e Shëndetësisë këtë vit nuk ka plotësuar as gjysmën e tyre. MSH-ja në tre muajt e parë të këtij viti ka punësuar 60 infermierë”, pati thënë më herët për “Zërin” Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës.

LEXO EDHE: Shqiptarët e Maqedonisë janë kundër ndarjes së Kosovës

Mungesa e infermierëve po shkakton vështirësi në ofrimin e shërbimeve nëpër spitalet vendore.

Ahmet Asllani, drejtor i Spitalit të Gjakovës, ka konfirmuar për “Zërin” se gjatë periudhës së pushimeve verore i reduktojnë disa shërbime operative.

Edhe Hamëz Berisha, drejtor i Spitalit të Mitrovicës, e ka shprehur nevojën për infermierë në këtë spital. “Kemi mungesë të infermierëve, sidomos është shumë e theksuar arsyeja se mosha mesatare e infermierëve në Mitrovicë është 55 vjeç”, ka thënë ai

Mungesa e infermierëve po ia vështirëson punën stafit mjekësor

E.K., motër medicinale, në njërën nga qendrat e mjekësisë familjare në Gjilan, ka thënë për “Zërin” se mungesa e infermierëve të rinj po ua vështirëson punën personelit mjekësor. Sipas saj, për shkak të mungesës së personelit ata detyrohen të bëjnë më shumë punë.

“Kemi nevojë për më shumë infermierë, më shumë staf mjekësor. Për shkak të mungesave neve po na duhet të kryejmë më shumë punë. Edhe shërbimet do të jenë më të mira kur ka më shumë staf mjekësor”, ka thënë ajo.

“Zëri” ka kontaktuar me drejtorë dhe me zyrtarë për informim në spitalet e përgjithshme në Kosovë, të cilët kanë treguar që kanë bërë kërkesa për punësimin e më shumë infermierëve të rinj.

Drejtori Klinik i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se ky spital ka nevojë për 10 infermierë. “Spitali i Gjilanit ka 6-7 departamente. Kemi nevojë për 10 infermierë tani për tani për të gjitha shërbimet. Kemi bërë kërkesë dhe po presim përgjigje”, ka thënë ai.

Ndërsa edhe drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Skender Dreshaj, ka treguar se edhe ky spital ka nevojë për infermierë të rinj.

Për më shumë, nevojën për specialistë dhe për infermierë e kanë shprehur më herët edhe zyrtarë për informim në Spitalin e Prizrenit.

Baftiu: Pas 10 vjetësh do të ballafaqohemi me mungesë të mjekëve

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Besa Baftiu, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se anëtarët e këtij Komisioni kanë diskutuar me ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin në lidhje me largimin e personelit shëndetësor nga Kosova, si dhe rreth kërkesave për infermierë shtesë nëpër spitale.

“Në mandatin e kaluar kemi pasur kërkesa prej QKUK-së për infermierë shtesë. Në këtë vit është ndarë një shumë e mjeteve pikërisht për infermierë dhe për mjekë specialistë. Nuk e di se sa janë punësuar, nuk e kemi diskutuar në takimin e fundit me ministrin. E kemi diskutuar në përgjithësi ikjen e personelit shëndetësor, qoftë të infermierëve, të mjekëve dhe të gjithëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pas disa viteve Kosova do të ballafaqohet me mungesë të mjekëve.

“Duhet të punohet më shumë në këtë drejtim. Ne një ditë do të kemi mungesë edhe të mjekëve, edhe të specialistëve sepse nuk kemi politika të Ministrisë së Shëndetësisë afatgjate që e bën një planifikim sa i përket specialistëve, sepse mosha mesatare e tyre në Kosovë është e vjetër dhe pas 5 ose 10 vjetësh do të ballafaqohemi edhe me mungesën e tyre”, ka thënë ajo.