Shqiptarët e Maqedonisë janë kundër ndarjes së Kosovës

Aktuale July 28, 2018 - 07:56
Lexo detajet

Kohët e fundit në opinion është rikthyer ideja e ndarjes së pjesës veriore të Kosovës ose shkëmbimi i asaj pjese me Luginën e Preshevës. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni e vlerësojnë si të rrezikshme një ide të tillë, pasi mund të ketë dominoefekt. Ata thonë se ndarja e Kosovës do t’i frymëzonte grupet nacionaliste në vendet e rajonit për të kërkuar bashkim me shtetet tjera, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Me fillimin e fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në opinionin e të dyja vendeve është rikthyer ideja e shkëmbimit të territoreve, veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Ndryshimi i kufijve shihet si i rrezikshëm nga shqiptarët në Maqedoni.

LEXO EDHE: Tri parti 'luftojnë' për katër vota

Sipas përfaqësuesve të partive politike dhe analistëve, një veprim i tillë mund të ketë dominoefekt, pra të nxisë grupe të caktuara në shtetet e rajonit që të kërkojnë bashkim me shtetet amë.

Madje ka të atillë që mendojnë se edhe shqiptarët në Maqedoni mund të kërkonin formimin e parlamentit shqiptar dhe formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në këtë shtet.

Grubi: Ndryshimi i kufijve i papranueshëm, mund të ketë dominoefekt

Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Artan Grubi, ka thënë për “Zërin” se ndarja e Kosovës është e papranueshme, pasi mund të ketë efekt edhe në vendet tjera në rajon.

“Opsioni i ndarjes së Kosovës ose ndryshimi i kufijve është i papranueshëm në Ballkanin Perëndimor sepse mund të ketë dominoefekt, në veçanti në një rajon që është me përkufizime të tilla multietnike, multikulturore, multifetare. Dhe një skenar i tillë mund të sjellë pasoja të paparashikueshme e t’i tejkalojë ato të viteve të ’90-ta. Për këtë është prononcuar disa herë edhe kryetari Ali Ahmeti”, ka deklaruar Grubi.

Ai ka thënë se tema e ndryshimit të kufijve u shkon përshtati rrymave destruktive, ndërsa duke folur për situatën në Maqedoni, ai ka thënë se shqiptarët janë të vendosur për integrimin e këtij shteti në strukturat euroatlantike.

“Shqiptarët janë të përcaktuar për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Jemi në hapat përfundimtarë në realizim të Marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit... Kjo temë i shkon për dobi rrymave destruktive në Evropën Juglindore, të cilat nuk duan të shohin paqe, stabilitet dhe siguri”, ka shtuar Grubi.

Në fund ai ka thënë se Serbia duhet ta njohë realitetin e ri të krijuar në Evropën Juglindore. “Po deshi të bëhet pjesë e Evropës së Bashkuar duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe të përkufizojë vijën kufitare”, ka përfunduar Grubi.

Zekiri: Ndarja e Kosovës do t’i frymëzonte forcat nacionaliste në rajon

Edhe Muhamed Zekiri, deputet i LSDM-së së kryeministrit Zoran Zaev, ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e mirë. Sipas tij, është koha që të mbyllen dilemat e ndryshimit të kufijve.

“Fillimisht qytetarët e Kosovës duhet të jenë ata të cilët duhet të shprehen a të pajtohen me një opsion të tillë apo jo. Mendimi im është se një marrëveshje e cila do të parashihte aneksimin e një pjesë të territorit të Kosovës do të ishte e dëmshme jo vetëm për qytetarët e saj, por për tërë rajonin. Pa dyshim është koha të mbyllen të gjitha çështjet e hapura në rajon dhe të shohim të gjithë përpara e të bëhemi pjesë e strukturave euroatlantike”, ka deklaruar Zekiri.

Ai më tej ka thënë se ndarja e Kosovës do t’i frymëzonte forcat nacionaliste në rajon.

“Po flasim momentalisht për çështje hipotetike, por duke pasur parasysh të kaluarën e rajonit nuk mund të thuhet se një marrëveshje e tillë nuk do të ndikojë edhe në shtetet e rajonit dhe mund t’i frymëzojë forcat nacionaliste të kthehen në skenë me kërkesa të ngjashme, gjegjësisht të kërkojnë redefinim të kufijve posaçërisht këtu mendoj në Bosnjën dhe në Republikën Serbe”, ka shtuar Zekiri.

Ndërsa, i pyetur nëse edhe shqiptarët në Maqedoni mund të kërkojnë bashkim kombëtar, Zekiri ka thënë se nuk mendon se kjo do të ndodhë.

“Nuk do të ndodhë një gjë e tillë duke pasur parasysh se Maqedonia dhe qytetarët e saj pa marrë parasysh përkatësisë etnike kanë trasuar qartë rrugën e tyre të bëhen pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Në këtë familje të madhe evropiane s’kam dyshim se do të jemi bashkë edhe me qytetarët e Kosovës, por edhe vendeve tjera të rajonit”, ka deklaruar Zekiri.

Kurse profesori universitar Nuri Bexheti ka thënë se lajmet për shkëmbim territoresh janë të rreme.

“Është ende shumë e paqartë. Megjithatë, jam i bindur se çështja e shkëmbimit të territoreve është lajm i rrejshëm. Besomëni se kjo është një paralojë e dialogut”, është shprehur Bexheti.

Pajaziti: Shqiptarët në Maqedoni e mbajnë nën tavolinë planin për krijimin e parlamentit shqiptar

Njohësi i çështjeve politike të Maqedonisë Muhamer Pajaziti ka thënë se ideja për ndarje dhe shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë do rindez konflikte të reja në rajonin e Ballkanit.

“Shqiptarët në Maqedoni ka një kohë që e mbajnë nën tavolinë planin për krijimin e parlamentit shqiptar, si dhe krijimin e asociacionit të komunave shqiptare të cilat do fillojnë të grumbullojnë taksa për t’i kthyer në investime në rajonet më të varfra shqiptare. Ky plan ishte më i përhapur gjatë regjimit të kaluar, por fatkeqësisht edhe qeveria e re nuk është treguar dorëlirë me projekte kapitale në zonat e banuara me shqiptarë”, ka vlerësuar Pajaziti.

Më tej ai ka thënë se shqiptarët sërish ndihen të mashtruar nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, të cilën e sollën në pushtet moton “Jetë për të gjithë”. 

“Por e keqja është se qysh në fillim kanë plasur skandalet korruptuese nga njerëzit më të afërt të kryeministrit. Statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve ka ngecur, ndërsa dihet se pabarazitë gjithmonë sjellin konflikte. Por një gjë dihet, këto ide për ndarje që nxisin konflikte burimin e kanë te lidershipi i korruptuar dhe i përfshirë në vepra të rënda kriminale. Në Maqedoni ndarja mund të rezultojë edhe nga mentaliteti maqedonas që akoma nuk e pranon diversitetin si pasuri dhe vlerë të shtuar”, ka shtuar ai.

Pajaziti në fund ka thënë se ndarja e Kosovës pa dyshim në këto rrethana do ta destabilizojë edhe Maqedoninë. Sipas tij, shqiptarët nuk do të presin pa kufi për t’i realizuar të drejtat elementare.